Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (1)

  • 03 March 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Edhe pse jam e ve, kam të drejtë në dashuri (1)

Pasi që kalova moshën 50- vjeçare, disi fillova ta ndjeja njëfarë frike nga vdekja. Me gjasë ky ishte ndikimi i bindjeve të mia, se pas moshës 50-vjeçare nuk kishte jetë. Por, mu në këtë periudhë të jetës e takova Arianin. Vendi i takimit tonë nuk ishte aspak romantik - varrezat! Ishte e enjte pasdite, dita kur në varreza nuk ka aq shumë njerëz. Vetëm disa plaka që edhe ashtu, së shpejti do të bëhen banore të varrezave. E tillë do të isha edhe unë pas njëzetë vjetësh. Sikur një degë e thatë, pa shpresë se do të lulëzonte ndonjëherë më. Edhe pse nuk isha për ngut, e pastrova me të shpejtë varrin e Amirit, vendosa lule të freskëta në vazo dhe u nisa për t'u kthyer në shtëpi.

Qielli, sa nga retë, e sa nga akshami që ishte duke u afruar, vinte e bëhej gjithnjë e më i zi. Sikur të kisha ardhur me veturë, mendova. Zakonisht në varreza nuk shkoja me veturë, meqë doja që të ecja, për rekreacion. Ecja në moshën time është e dobishme, qoftë për shkak të kileve, të cilat kishin nisur të më mblidheshin rreth belit, e qoftë edhe për shkak të lëvizshmërisë së nyjave. Dy-tri kile më shumë rreth belit nuk është se më pengonin sa i përket pamjes, meqë kishte kohë që më nuk përkujdesesha aq shumë për pamjen e jashtme, por kishte rëndësi për shëndet. Shëndetin duhej ruajtur.

Mund të dilja pa u ndrequr edhe aq mirë, por nuk mund t'ia lejoja vetes që të sëmuresha. Po të sëmuresha, jo vetëm që do t'i nxirrja problem vetes, por edhe fëmijëve. Sidomos për Irsën kjo do të thoshte marrje e kohës më se të nevojshme, të cilën edhe ashtu kurrë nuk e kishte sa i duhej. Agimi ishte krejt në rregull. Atij i mjaftonte që të ishte student i mirë dhe, asgjë më shumë. Për këtë shkak, Irsa gjithmonë mendonte se duhej të ishte vajzë e denjë e të atit dhe të arrinte krejt çka kishte mundësi të arrihej në fushën e mjekësisë.

Kjo nuk ishte e thjeshtë për t'u arritur për të, si nënë dhe bashkëshorte. Ajo kishte një familje, shtëpi dhe punë. Donte me çdo kusht një karrierë si të Amirit. Vdekja e Amirit para pak më shumë se një viti e kishte tronditur pa masë. Atë e kishte pasur jo vetëm baba, por edhe udhërrëfyes në aspektin profesional. Ajo krenohej me këtë fakt. Shumë gojëkëqij thoshin se ajo merrte nota të larta më shumë falë reputacionit të të atit, sesa punës që bënte. Për t'i bindur në të kundërtën, ajo mësonte gjithnjë e më shumë. Amirin e kishte edhe baba, e edhe mentor. Ajo e adhuronte të atin, e këtu edhe unë e kisha një pjesë të fajit. Gjithmonë ia zbukuroja të vërtetën rreth tij. Mungesat e tij të shpeshta nga shtëpia më linin hapësirë të mjaftueshme për ta krijuar një imazh më të bukur për të, sesa që ai, në fakt, e meritonte.

E konsideroja të rëndësishme që fëmijët te i ati i tyre ta kishin një shembull të mirë në çdo aspekt. Për këtë shkak, mospjesëmarrjen e tij në jetën tonë të përditshme, e arsyetoja duke thënë se ai është tepër i zënë, duke ua bërë me dije fëmijëve se, vetëm me një punë të rëndë, arrihen rezultatet më të larta. Kështu, Amiri në sytë e tyre ishte bërë shëmbëlltyrë e babait, ekspertit dhe burrit ideal. Unë vazhdoja me këtë mesele edhe pas vdekjes së tij. E dija se nga unë tani pritej që të isha një e ve e lumtur. E pranova atë rol, i cili nuk më dukej i vështirë, meqë me ikjen e tij nuk është se ndryshoi shumë jeta ime. Gjithçka shkonte sipas rendit dhe rregullit që kishte lënë ai. (vijon)

(Kosova Sot Online)