Roman dashurie: Ai i vërteti (10)

  • E.K /
  • 01 April 2021 - 15:51
Roman dashurie: Ai i vërteti (10)

Nuk kuptonte se qëndronte në mes të parkingut dhe se një "Peugeot" i hirtë priste prapa saj, që të dilte nga parkingu. Vetëm pasi që e dëgjoi sirenën e shkurtër, u kthye me befasi dhe kuptoi se e kishte bllokuar rrugën. Pa një burrë prapa timonit dhe i kërkoi falje. - Më falni, ju lutem. Qenkam habitur paksa. I hapi rrugë veturës, por ajo u ndal anash. - Mua nuk do të më pengonte sikur të të shikoja edhe gjysmë ore, por do të më mbyllet banka, prandaj mu desh që t'i bija borisë. - Nuk ka problem. Ajo buzëqeshi dhe me interesim shikoi mashkullin me flokë të thinjura, me fytyrë të rrumbullakët, me sy të mëdhenj e të kaltër dhe me një buzëqeshje të bukur flirtuese.

Shihej se ishte i pëlqyer nga femrat dhe se ishte i vetëdijshëm për këtë. Pasi që i kaloi hutimi i çastit, Doruntina kuptoi se ai e kishte fjalën për bankën ku punonte ajo. - Oh, ju edhe ashtu qenkeni vonuar edhe atë jo për shkakun tim. - Si e dini? - Unë punoj në atë bankë. Tani brenda janë vetëm rojat. Banka është mbyllur para gjysmë ore. Punojmë vetëm deri në orën 4 pasdite. U habit pasi që kurrë deri më tani nuk e kishte parë duke pritur në sportelet e bankës, por më pas iu kujtua se, nga zyra e saj edhe ashtu nuk mund t'i shihte klientët që vinin për të kryer punë në bankë. - Deri në katër? Unë isha i sigurt se orarin e keni deri në pesë... - Jo, jo. Më vjen keq.

Atëherë më duhet që të vi nesër. Kjo d.m.th. se do të mund t'ju shoh sërish? Në fakt, do të na ndajë ai qelqi i sportelit, por nuk do të ankohem. Tani për tani më duhet që të kënaqem me kaq e, me kalimin e kohës, do t'ju lus që të takohemi diku ku nuk do të na ndajnë qelqet. - Ejani nesër. Ditën e mirë! - Po ashtu! Ndjeu sesi u skuq nga turpi. Ai buzëqeshi sërish dhe u largua. Vetëm tani ajo mori frymë lirshëm. Ai ishte tipi i saj. I zhvilluar, me veshje sportive, me bluzë të hirtë, me vathin në njërin vesh, me një pamje të ndonjë adoleshenti modern, me vetëbesim tepër të lartë.

E, përpos kësaj, dinte edhe të vardisej. Vetëm pasi që filloi të shkonte rrugës teposhtë, iu kujtua porosia e Rinorit. Por, tani kishte më pak rëndësi se çka do t'i shkruante. Vendosi që t'i përgjigjej më vonë edhe atë me një përshëndetje. Nuk kishte nevojë të shpikte taktika, sesi të sillej ndaj tij. Ata janë miq dhe nuk kishte nevojë që t'i kushtonin kujdes asaj që thoshin. E edhe ashtu ishte e sigurt se ai ia kishte dërguar porosinë vetëm për shkak të mirësjelljes, në mënyrë që ta kompensonte faktin që ia kishte prishur planet dhe, në momentin e fundit, kishte shkuar në pushime me një femër tjetër. Por, pasi që arriti në shtëpi, tanimë e kishte harruar në tërësi Rinorin. Në kokë i rrinte vetëm pamja e atij mashkullit me "Peugeot". Për këtë shkak vendosi dredhuesit e flokëve, të cilët i përdorte vetëm në raste të veçanta. Edhe pse e dinte se ai nuk do ta shihte nesër atë në bankë, meqë ishte në pushim edhe disa ditë, donte që, për çdo rast, të dukej bukur, qoftë edhe nëse nuk do të dilte fare nga shtëpia.

(Kosova Sot Online)