Roman dashurie: Gruaja me sekrete (9)

  • A.P /
  • 09 May 2021 - 13:26
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (9)

- Aspak nuk më dukesh si maniak. E edhe nëse je, atëherë je një maniak shumë i kulturuar. Edhe pse, dorën në zemër, nuk e kam të qartë se çka do nga unë. - Dua një rast, p.sh të shkojmë diku për darkë. Fluturës menjëherë i shkoi ndërmend ajo që i kishte thënë punëtorja e saj, se Dini ishte i fejuar. Me gjasë këtë e di edhe pjesa më e madhe e qytetit. Nëse me të vërtetë ai ishte aq i pasur dhe një beqar aq i pëlqyer, atëherë dalja e tyre nuk kishte si të mos binte në sy. - Faleminderit! Por, nuk dal aq shpesh në qytet. Kështu kam vendosur vetë. Për herë të parë ajo e pa Dini n të habitur. Ose nuk ishte mësuar që t'i thoshin "jo", ose nuk ishte i përgatitur në një përgjigje të këtillë. - A di çka? Ndihem sikur tentova ta prekja ylberin. Si duket, megjithatë u nguta pak, apo jo?

 

Nuk dinte çka t'i thoshte. I dukej se ai me të vërtetë ishte i dëshpëruar për shkak të përgjigjes së saj, gjë që e mërziti edhe atë paksa. Sikur ta kishte takuar në kryeqytet, me të vërtetë do të dilte me të, por këtu gjithçka dukej ndryshe. Donte që të përshtatej në këtë ambient, që të bëhej si njerëzit e tjerë që jetonin këtu, që të mos veçohej, sikur që ishte veçuar tërë jetën e saj, si vajza e prindërve të pasur. E Dini ishte si i bërë për të çrregulluar të gjitha planet e saja "paqësore". Ai e kishte gjetur të papërgatitur dhe asaj iu desh që ta shikonte sesi, duke kërkuar falje, ai u largua nga dyqani. Pasi mbeti vetëm, e hodhi leckën larg. Ishte e zemëruar me vetveten. Ai i pëlqente, pa fije dyshimi. Kishte diçka magjike në atë sesi i bënte lajka, por ajo kishte kohë që ishte mësuar me një stil tjetër të jetës, si bija e prindërve të njohur. Sa e sa herë kishte vërejtur njerëzit që i ngjiteshin pas, vetëm e vetëm për paratë që kishte, duke kërkuar më pas kushedi çfarë shërbimesh nga prindërit e saj. E, ky njeri e kishte kërkuar sepse i kishte pëlqyer, pa ditur shumëçka rreth saj. Ai i kishte sjellë diçka të veçantë në jetë, prandaj ajo e pyeste veten se si ishte Dini, në jetën e përditshme. Vetëm të mos ekzistonte ajo e dashura e tij...

E, më pas nuk duroi dhe po atë mbrëmje, i telefonoi Lolës. I duhej që t'i rrëfehej. Natyrisht, ashtu si edhe kishte pritur, Lola menjëherë e qortoi pse kishte rënë pre e paragjykimeve rurale dhe nuk e kishte provuar vet atë mashkull. - Sikur ai të të mos ishte vardisur ty, unë menjëherë do t'i qepesha pas. Oj e marrë, a dëshiron që të mbetesh e vetme tërë jetën, a? - Nuk më kupton. Ende mendoj se të tjerët më shikojnë si një të marrë, që ka ardhur këtu të jetojë me ta, për arsye të panjohura. Dhe, jam në periudhën e provës. Sot një grua në dyqan, ku zakonisht blej atë që më nevojitet, më tha se jam duke harxhuar tepër në kozmetikë dhe se, sikur të mos isha unë, disa gjësendeve në dyqanin e saj do t'iu dilte afati i përdorimit, pa i blerë askush. Atëherë kuptova se janë duke më analizuar e unë nuk dua që të bie në sy.  

(Kosova Sot Online)