Roman dashurie: Gruaja me sekrete (14)

  • G.G /
  • 14 May 2021 - 10:34
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (14)

- Do të dëshiroja ta di nëse ekziston këtu diçka për investim. - Natyrisht se ka. Jo aq sikurse në qytetet e tjera, por kam hulumtuar pak dhe mendoj se kam punën e duhur për ty. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se është e lehtë të futesh aty pasi që pronari për momentin nuk po kërkon partner, por e di se po mendon në zgjerimin e rrjetit të vet dhe në hapjen e rrjetit në shitje me pakicë, që do të ishte një investim ideal. Vlora dukej e interesuar.

- A mundesh të flasësh me këtë njeriun? - Mundem. Jemi të njohur, si të rinj kemi luajtur basketboll së bashku. Është paksa i çuditshëm, por mendoj se do të jetë në rregull. Natyrisht, kushti im është të jam avokati yt dhe të jam i përfshirë në gjithçka, nga fillimi e deri në fund.

Financat janë shumë pak të rëndësishme. Por, do të dëshiroja që të respektoj deri në fund dhe të jam pranë teje në mënyrë që ata të tjerët të mos të tradhtojnë vetëm se nuk ke përvojë në punët e mëdha. Vlora ishte lënduar paksa me këtë qëndrim, por deri diku edhe e kishte pritur këtë. Të gjithë kishin dashur të ngjiten me mbiemrin e saj, e pse jo edhe ky njeri, që i kishte borxhe të atit të saj.

- Në rregull. A mund të dëgjoj për çfarë pune bëhet fjalë? - Kjo hapësirë njihet për mollë të shkëlqyeshme, dardhë, vishnja dhe qershi. Me siguri e keni vërejtur se përreth qytetit ka shumë plantacione në të cilat rriten pemë të mira. Kryesisht këtë punë e bëjnë fshatarët, e ata mundohen shumë për punët e tyre, kështu që nuk kanë kohë që të lëshohen në zgjerimin e punëve të tyre. Prodhimet e veta i shesin nëpër treg dhe kompanive të mëdha dhe janë të kënaqur me punët e tyre.

Të paktë janë ata që kanë shkuar më tej me prodhimin e pemëve, t'i konservojnë, të bëjnë xhem, marmelatë dhe në to nuk i ngjitin etiketat e tyre. E ata që janë të interesuar, me vështirësi i pranojnë partnerët, nga frika se mashtrohen. - Hm, a ka treg për këto prodhime? - Për ushqim gjithmonë ka. Mos dysho në këtë. Mes tjerash, jam pyetur dhe kam gjetur.

Vlora, kush e di pse, i kishte besuar. Edhe pse ishte e re, pasi si gjeneratë nuk konsiderohej tepër e shkathtë për këto punë, ajo kishte marrë besimin dhe nuk kishte dyshuar aspak në ato që i thoshte. Përsëri, ajo e dinte se sa shumë njerëzit ia kishin frikën të atit të saj dhe zemërimit të tij, kështu që edhe ajo ishte e bindur se nuk do të mashtrohej, pasi që kjo do t'i kushtonte shtrenjtë.

U ngrit dhe ia zgjati dorën, e ai me kënaqësi e kishte pranuar. - Atëherë po pres se ky do të jetë një bashkëpunim i mirë. - Edhe unë Vlorë. Por në sytë e tij shihej qartë se nuk ishte kjo e tëra që ai priste nga ajo. Prandaj, ajo kishte shpejtuar të dilte nga zyra e tij, duke pyetur pse ky mashkull nuk i kishte pëlqyer në mënyrën që i kishte pëlqyer Dini. (vijon) 

(Kosova Sot Online)