Ngjarje e vërtetë: Dashurinë time donte ta blinte me para (1)

  • E.K /
  • 02 October 2021 - 15:45
Ngjarje e vërtetë: Dashurinë time donte ta blinte me para (1)

- Po ta jap edhe një shans. Dhe, mendo mirë para se ta thuash fjalën e fundit. Meqë, nga kjo varet jeta jonë, e ardhmja jonë e përbashkët - Naimi më kot mundohej që të më mbushte mend. - Tanimë të thashë se do të shkoj dhe, mos u shqetëso, kam menduar mjaft. Nuk e kam marrë këtë vendim brenda natës - iu përgjigja gjakftohtë. - Mendoj se nuk je e vetëdijshme për pasojat e vendimit tënd të marrë. Shpresoj se nuk pret nga unë që të rri në shtëpi dhe të qaj për ty? Ti e di shumë mirë se mjafton një telefonatë, që vendin tënd ta zërë një tjetër. Ka shumë femra që mezi do të prisnin të ishin në vendin tënd. Dhe, për dallim nga ti, ato do të ishin falënderuese për atë që do t'iu ofroja. - Sille kë të duash, unë nuk kam asgjë kundër - i thash dhe u ngrita.

Këtë edhe do ta bëj! Mos mendo se do të pres që ti ta kuptosh që i dashuri yt i ri nuk më vjen as deri te zogu i këmbës. Sapo të shohësh se si është jeta pa para, do të dëshirosh të kthehesh. Po të them qysh tani, mos shpreso në keqardhjen time atëherë - më bërtiste ai, derisa largohesha. - Naim, një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë - i thashë duke e hapur derën. - Do ta marr një tjetër! Menjëherë sot, pasdite! - tha ai me zë të lartë. Merri edhe njëqind të tjera, bre të marrtë dreqi edhe ty me gjithë to, mendova. Dola nga ajo shtëpi e madhe dhe e bukur pa e kthyer as edhe një herë kokën prapa. Ndihesha e lirë, meqë përfundimisht e hoqa qafe njeriun i cili, për shkak të paranojës së tij, nuk më linte të merrja frymë.

Me muaj të tërë isha munduar që t'i jepja fund asaj lidhjeje të hamamit, por Naimi ma thyente mendjen me lotët e tij, si dhe me premtimet se do të ndryshonte. Përfundimisht bëra atë që më duhej ta bëja kaherë. Naimi ishte njëri ndër meshkujt më të preferuar në qytet. Nuk do të befasohesha sikur ai ta bënte atë që thoshte, që po atë ditë ta çonte në shtëpi një femër tjetër, meqë kishte shumë femra që sapo ai t'ua bënte me sy, ato do të ishin të gatshme që të binin në shtratin e tij. Përpos që ishte i bukur, Naimi ishte i biri i dy prindërve të pasur, të cilët ia kishin blerë një veturë të hatashme dhe një shtëpi tepër të madhe. Ata i kishin ndihmuar edhe që ta hapte një fabrikë e cila punonte me sukses, e ku punonte edhe motra ime, Tuana. Ai ishte i arsimuar, argëtues dhe sharmant.

Organizonte ndejat më të mira në qytet dhe kishte një shoqëri të madhe. Te femrat ai vepronte si magnet, derisa unë te tipat e tillë kurrë nuk kisha parë mashkullin me të cilin do ta filloja ndonjë lidhje serioze. Ishte një zë i brendshëm, i cili ma tërhiqte vërejtjen në lidhje me ta, që më thoshte se, pas asaj pamjeje idilike, fshihej diçka e errët. Zakonisht përcaktohesha për ata që ishin më pak të pashëm, më pak të preferuar nga femrat, por pas disa lidhjeve të pasuksesshme, pash se as gjërat e tilla nuk më mbronin nga dështimet. Pasi që më dështoi edhe një lidhje me një mashkull anonim, atëherë pushova së evituari meshkujt si Naimi. Dhe, ai u paraqit në jetën time mu në atë moment. - A po vjen me mua në ndejë? - më pyeti motra ime Tuana atë të shtunë. - Në çfarë ndeje? 

Nuk e kam idenë. E kam vetëm ftesën të cilën ma dha një koleg i punës. Vlen për ty persona. - Mos është për çifte, mori? - i thashë. - Si të duash. Ose rri në shtëpi dhe mendo se si të ka dështuar edhe një e shtunë, derisa në pjesën tjetër të qytetit njerëzit kënaqen - më tha motra ime më e re, pa më dhënë shpjegime të tjera. - Po vi. Nuk dua të të lë vetëm, pasi që të dyja e dimë se çka mund të ndodhë pas daljeve tua solo - thashë disi si pa qejf. - Ja pse të adhuroj - tha ajo, duke rrahur shuplakë e kënaqur. Tuana ishte delja e errët e familjes tonë. Që nga fëmijëria, ajo ishte e prirë që të futej në telashe. Edhe pse prindërit na kishin edukuar njësoj, ne të dyja dallonim sikur dita me natën. Por, ia kishim dalë që ta ndërtonim një raport të qëndrueshëm, ku gjithmonë gjenim zgjidhje për çdo problem. (vijon)

(Kosova Sot Online)