Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (17)

  • E.K /
  • 05 November 2021 - 15:54
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (17)

"Ai nuk është aq i keq, sa mendon ti. Vetëm jepja një shans". Shihe ti. Një person i huaj më jepte këshilla rreth babait tim biologjik. Diçka këtu nuk ishte në rregull. KAPITULLI I KATËRT Nuk mendoj se u mërzita kur të lashë jashtë. Por, tash e sa ditë, je e vetmja gjë për të cilën mendoj. Romeo Shkova në shtëpinë te liqeni me anëtarin e bendit, Randy, në ulësen e pasagjerëve. Do të vendosesha në shtëpi pasi që diplomova në maj, që të ndihmoja në përkujdesjen ndaj babait. Kishte qenë një vit i vështirë prej se kishte vdekur nëna dhe viti ishte bërë edhe më i vështirë me kalimin e kohës dhe me babanë, i cili e humbi betejën ndaj dështimit të mëlçisë. "A je e sigurt se nuk është problem për mua që të qëndroj këtu?", pyeti Randy, duke hequr çantën dhe kitarën e tij akustike.

Buzëqesha dhe rrudha supet. Randy ishte shoku im më i mirë dhe kishte qenë i tillë me vite të tëra. Kur ishim më të ri, isha shoqëruar me motrën e tij Sarah për më shumë se tri vjet dhe, me gjasë, ende do të isha me të, sikur të mos ndodhte aksidenti. Duhej ta merrja vëllain tim, Jace, nga një ndejë, por isha në punë. I shkrova Randy-t për të parë se a mund ta merrte ai Jacen, por ai nuk u përgjigj. Prandaj e thirra Sarah-ën dhe ajo tha se do të ma kryente atë punë dhe, rrugës për në shtëpi, një shofer i dehur i goditi ata anash, duke e lënë Sarah-ën të vdekur në vend. E fajësoja veten pse kisha kërkuar nga ajo të ma kryente atë punë. Jace e fajësonte veten pse kishte shkuar në atë ndejë. Randy e fajësonte veten pse e kishte humbur motrën e tij të vogël. Që të tre ne e përjetonim vdekjen e Sarah-ës në mënyra të ndryshme.

Unë mundohesha ta harroja këtë duke u thelluar në studime dhe në muzikë. Jace kishte filluar që të përdorte drogë dhe ta shiste atë, duke u munduar që të harronte se çka kishte ndodhur në atë veturë. Ai e kishte parë Sarah-ën duke vdekur, por kurrë nuk fliste për të. E, Randy… Ai ishte bërë në një masë të madhe një njeri i egër, i cili nuk linte send pa provuar. Kurrë nuk e dija se çka ishte duke menduar, apo çfarë gjërash bizare bënte ai kur nuk ishim duke punuar me bendin. Ai kurrë nuk e kishte fajësuar Jace-n, apo mua për atë që i kishte ndodhur motrës së tij. Në zemrën e tij nuk kishte vend për zemërim, apo hakmarrje. Iu ktheva pyetjes që ma bëri. Se a do të më pengonte që ai të rrinte me mua. "Mos u bëj i marrë!

Ti ke nevojë për një strehë dhe unë kam një strehë për të ta ofruar". "Faleminderit, njeri. Kjo ka një domethënie të madhe për mua. Me gjasë do të rri vetëm disa muaj, derisa t'i zgjidhi disa gjëra". Ai pauzoi dhe më shikoi përsëri. "A je mirë, Dan?" E shikova drejt në sy dhe buzëqesha."Kam disa birra në frigorifer, nëse dëshiron. Do të vrapoj te liqeni. Anëtarët e tjerë të bendit duhet të jenë këtu pas disa orësh për të ushtruar". "Danny, jam i brengosur për ty. Që të gjithë ne jemi". Shqetësimi ishte evident në zërin e tij. "Pse?", i thashë, duke u shtrirë, që të përgatitesha për vrapim. Ai më shikoi me një shikim bizar, sikur unë të kisha tre, e jo vetëm një kokë."Babai të vdiq javën e kaluar, e ti sillesh sikur nuk ka ndodhur asgjë". "Randy, njerëzit vdesin. Ne e dimë këtë". Randy-t i kishte vdekur e ëma kohë më parë dhe ai kurrë nuk kishte pasur një baba. E tëra që kishte pasur, ishte Sarah deri ditën e aksidentit. Prandaj, nëse kishte ndokush që e dinte se çka d.m.th. vdekja, atëherë ne ishim ata. (vijon)

(Kosova Sot Online)