Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (31)

  • A.P /
  • 21 November 2021 - 11:38
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (31)

Nuk munda të bëja asgjë tjetër, pos të buzëqeshja. "Lulen tënde?", e pyeta, duke analizuar çdo aspekt të dramatikës së Haileyt. Pjesa e frikshme ishte se ajo dukej të ishte tërësisht serioze. "Mendoja se nuk ishe e gatshme që ta humbje kapësen tënde të mizave?" Ajo u bë hundebuzë, derisa duart i vendosi në ije. "Oh, për ty kjo është qesharake? Epo, më vjen mirë. Jam kaq e lumtur që jeta ime e mjerë është kaq argëtuese për ty". "Kjo është pak argëtuese". Ajo i rrotulloi sytë dhe shkoi deri te shtrati i saj, duke u hedhur në të. "Do të vdes e virgjër". Zemra më lëvizi, duke menduar për letrën e Gabby-t sesi donte ta humbte virgjërinë me Bentley-n, por që kurrë nuk mundi ta bënte këtë. "OK, unë do të shkoj". Ajo ngriti kokën dhe më shikoi. "Do të shkosh?!" "Vetëm nëse më premton që kurrë nuk do t'i shikosh gjërat e mia më". "Të premtoj"! tha ajo, duke kërcyer nga shtrati. "Dhe, ne duhet ta gjejmë një mënyrë për ta larguar një pikë nga lista e gjërave që duhet t'i bëj". E mora çantën dhe nxora listën time. Hailey me të shpejtë ma mori atë nga dora dhe ia hodhi një sy. "Motra jote e bëri këtë? Uau! Duket tepër e mençur". "Edhe ishte e tillë". Hailey pushoi dhe ma hodhi një shikim pikëllues, të cilin më pas do ta urreja. Ajo iu kthye listës dhe e pastroi zërin. "Numër 12. Iu jep atyre që kanë nevojë". Buzëqesha, duke i rrotulluar sytë. "Nuk ma merr mendja se ajo mendonte ta ndihmoja një vajzë për ta humbur virgjërinë".

Buzët e saj u mblodhën dhe ajo iu kthye listës. "Numër gjashtëmbëdhjetë", ajo ma dha copën e letrës dhe unë buzëqesha. #16. Ndejë në shtëpi. "Epa… më duhet të pranoj se duhet ta organizojmë një ndejë, herët apo vonë", thash duke rrudhur supet. "Por, tani për tani, kam nevojë ta huazoj pastën tënde të dhëmbëve. Kam mbetur pa të". "Ta huazosh? Me gjithë qejf, nuk ke nevojë të ma kthesh". Hailey më pas më tregoi se pasta e dhëmbëve gjendej në banjë, në kutinë e ilaçeve. "Dhe, ngutu! Nëna nuk ka qejf të vonohemi për studimin e Biblës". Shkuarja në kishë të dielën me vetëm disa orë gjumë dukej tepër e dhembshme. Hailey dhe Ryan po ashtu duhej të zgjoheshin tepër herët, për të shkuar në orën e studimit të Biblës. Rebecca më tha se do të ishte me të vërtetë mirë sikur të shkoja edhe unë, por ajo që deshi të ma thoshte, ishte: Duhet të vish në kishë! Një gjë që e mësova rreth Rebeccas ishte se ajo i bënte urdhrat duke buzëqeshur, në mënyrë që ato të dukeshin si lutje. Ndonjëherë shikoja Henryn duke ndërvepruar me të dhe e pyesja veten si ia kishin dalë ata të bëheshin një çift. Ata dukeshin aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, sa që lidhja e tyre dukej tepër e çuditshme. Bile, kisha vërejtur Henry-n duke pirë duhan në veturë, vetëm që të mos e merrte vesh Rebecca. Por, më pas, e kisha parë disa herë, mënyrën sesi e shikonte ai, kur ajo nuk e hetonte. E kisha parë shkëlqimin në sytë e tij. Pastaj, mënyrën sesi ajo ia mbante dorën atij, sikur të ishte dora e saj. Celulari i tij cingëroi pak para se të hynim në kishë dhe Rebecca e ngriti vetullën lartë. "Kush të telefonon kaq herët?" Henry ia lëshoi sytë celularit dhe bëri një grimasë, duke na thënë që të hynim se as ai nuk do të vonohej. Rebecca mbajti derën e kishës hapur për ne, duke iu dhënë udhëzime fëmijëve të saj: "Mos harro, Hailey, një lutje përpara dhe një lutje prapa, për fëmijët më të vegjël. ata duhet të mësojnë". "OK", tha Hailey duke i rrotulluar sytë. "Dhe, Ryan, sa u përket fëmijëve më të rritur... Mos u shqetëso rreth asaj që të pengon ai djali, Avery. Atë e kanë përjashtuar nga klasa". "Pse?", pyeti Ryan, dukshëm i interesuar. Fytyra e Rebecca-s u vrenjt nga zemërimi. "Le të themi vetëm se ai ka bërë disa gjëra të mërzitshme. Familja e tij është zhvendosur në një kishë tjetër". (vijon)

(Kosova Sot Online)