Roman dashurie: Në shikim të dytë (22)

  • E.K /
  • 08 June 2022 - 15:48
Roman dashurie: Në shikim të dytë (22)

Rita Halloway dukej e zemëruar dhe nga pak pa durim, për çka Jaydan e kaploi një siklet, por edhe frikë. E kishte plotësisht të qartë se gruaja e Marcusit e kishte identifikuar si dashnore të burrit të saj. Për këtë shkak i vinte edhe më shumë turp. U qetësua sado pak nga fakti që edhe Marcus hyri në zyre me gruan e tij dhe që ia dërgoi një shikim plot kurajë. - Jayda, apo jo? - e pyeti me qesëndi Rita Halloway, duke bërë me gisht kah zyra e Marcusit. - Eja me mua, zemër. Nuk dua që të tjerët ta dëgjojnë bisedën që do ta bëjmë. Jayda, që gjendej prapa shpinës së Ritës, u kthye shkurtazi kah Marcusi, por ai arriti vetëm të ofshante dhe t'i ngrehte supet, në shenjë pafuqie. Mbeti të qëndronte pranë derës, derisa Marcus shkoi deri te bari me pije, për t'ia qitur vetes një uiski. Ishte herët për alkool, por Jayda vlerësoi se situata ishte kritike dhe se pinte për shkak të nervozizmit.

Rita u ul pranë tavolinës së punës së Marcusit, e ndezi cigaren dhe filloi të qeshte me ironi. - Nuk të kisha paramenduar kështu... - filloi që të bënte komente, pasi që e analizoi Jaydan nga koka deri te këmbët. - Nuk je aspak e ngjashme me dashnoret paraprake të Marcusit. - Zonja Halloway... - Nuk ka nevojë për këtë - bëri Rita me dorë. - Unë nuk e kam problem faktin që je dashnore e burrit tim. Më habit vetëm fakti që kurrë nuk do të mendoja se ai lidhet me femra të këtilla. - Rita, pse nuk po kalon direkt në temë? - i tha Marcus me padurim. - Jayda dhe unë presim të dëgjojmë pse na ke thirrur... - Dua që t'i sqarojmë gjërat, i dashur, nëse nuk ke asgjë kundër - tha ajo me ironi. - Çdo gjë është e qartë tanimë. Jayda dhe unë jemi dashnorë. Dhe, çka?! Këtë e ke ditur edhe më parë. - Natyrisht se e kam ditur! Sikur që e dija edhe për atë budallaqen Petsy dhe për këtë zemërushen! Nuk të kam thënë gjë edhe pse më ke mashtruar, meqë edhe unë të kam mashtruar me burra të tjerë. - Ku do të çojë kjo, Rita? Tani ajo u ngrit dhe e fiku cigaren. Qëndronte midis Marcusit dhe Jaydaa, duke bërë me gisht herë kah ai, e herë kah ajo. - Më dëgjoni, ju të dy... - tani zëri iu bë serioz dhe i ashpër.

Mund të lejoj që të 'dashuroheni' prapa shpinës sime... Mund t'i lejoj thashethemet, mund ta bart epitetin e gruas së mashtruar... Mund të lejoj që, me paratë e mia, të ngreheni skutave të dynjasë... Por, nuk mundem dhe nuk do të lejoj që të më konsideroni budalla! Për dallim nga Jayda, e cila e shikonte Ritën e tronditur dhe e shokuar, Marcus ia ktheu shpinën dhe ia mbushi vetes edhe një pije. - Shoh që, për dallim nga Marcusi, ti nuk di për çka e kam fjalën, e dashur?, tha Rita, duke iu afruar Jaydas dhe duke e shikuar me qesëndi. - Unë... kurrë nuk do ta merrja guximin që t'ju konsideroja budalla... - Burri im të do, zemërushe! Gjë që është plotësisht ndryshe nga ajo që vetëm të flejë me ty! Nuk mund të lejoj që ai ta dojë dikë tjetër, derisa është i martuar me mua. Kupton?! Për këtë shkak, kërkoj urgjentisht që të ndaheni! - Do ta marr guximin t'ju them se gaboni rëndë, zonja Halloway! - tha Jayda me të shpejtë, pasi që e mori veten. - Më vjen keq që qenkeni nervozuar pa nevojë. Burri juaj nuk ka asnjë ndjenjë ndaj meje. Për këtë mund të jeni tërësisht të sigurt. Rita atëherë i rrudhi sytë dhe iu afrua edhe më shumë. - O Zot, o Zot!... Po ti nuk e di? Çka ke kështu, e dashur. A je naive, apo thjesht, një budallaqe më shumë? (vijon)

(Kosova Sot Online)