Shpëlarës truri e matrapazë pronash

  • 29 December 2016 - 17:05
Shpëlarës truri e matrapazë pronash

Kjo që po i ndodh Prishtinës në fund të mandatit është një aventurë shumë e rrezikshme për të ardhmen e kryeqytetit dhe përfundimisht rrënon edhe atë fije shpresë që dikush mund ta ketë ende se me këtë garniturë qeverisëse do të bëhen ndryshimet e shumëpritura. Ndryshime do të ketë, por tepër negative, sepse dhjetëra hektarë tokë publike, përmes pazareve të pista që i bëjnë strukturat mafioze të lidhura me klanin "Pronto", e të katapultuara në ekzekutivin e Prishtinës, po tentohet t'u jepen në dispozicion bizneseve oligarkike. Është shumë e çuditshme se si një subjekt i majtë ka rënë në këtë batak, duke zgjedhur për partnerë në biznesin e pistë e në prapaskenat politike kompani të njohura për inkriminimin e tyre, për monopolet dhe lidhjet klienteliste me mediet mercenare.

Një makineri e tërë propagandistike është vënë në funksion, për të mjegulluar të vërtetën në sytë e opinionit publik, duke u përpjekur që ta zhvendosë vëmendjen nga projektet milionëshe të dyshimta, për të servuar tema e ngjarje të parëndësishme apo për të sajuar gjithfarë lajmesh, që çorodisin qytetarin. Por, çfarëdo që të bëjnë, trioja e VV-së në Prishtinë, Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu e komisar Mulliqaj, popullit nuk mund t'i hedhin më hi syve, sepse tashmë janë hapur letra për të gjithë dhe askush nuk mund të fshihet më pas perdes. Është e habitshme se si po heshtin në këtë rast e në këto rrethana kritike për kryeqytetin dhe pasurinë publike figura kyçe në Lëvizjen "Vetëvendosje", siç është Albin Kurti. Nëse organizata e tij, që deri dje trumbetonte se nuk do të bënte kurrë aleanca me të inkriminuarit, duke ua shpëlarë trurin njerëzve, atëherë pse nuk flet për lidhjet e partiakëve të tij me Devollët, për pazaret e ndyra në kurriz të qytetarëve, e për shumë skandale të tjera. Tupani bie për atë që ka veshë. Të gjithë po e shohin tashmë fytyrën e vërtetë të Shpend Ahmetit&Co.

(Kosova Sot)