Përkeqësimi i imazhit

  • 10 January 2017 - 17:01
Përkeqësimi i imazhit

Diskutimet e reja në Parlamentin Evropian po e errësojnë edhe më shumë perspektivën e shtetit tonë, të mbetur në izolim, varfëri dhe korrupsion, mungesë ligji dhe regjim autokratik. Raporti vjetor për Kosovën fshikullon rëndë politikën kosovare, për shkak të polarizimit të skajshëm, shtimit të tensioneve dhe mungesës së kompromisit për çështjet e ndjeshme. Se sa e përkushtuar është Republika në rrugë- timin drejt BE-së e dëshmon edhe injorimi i emërimit të ministrit për Integrime Evropiane, pas largimit të Bekim Çollakut. Kjo ministri, që do të duhej të ishte katalizator i proceseve integruese, nuk ka arritur kurrfarë suksesi. Kosova është shumë e vonuar në realizimin e detyrave që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe mungesa e personit kryesor në krye të MI-së krijon boshllëqe të panevojshme dhe paqartësi në adresimin e përgjegjësive.

Por, kjo nuk është kritika e vetme e parlamentarëve evropianë. Ata kanë rikujtuar edhe një herë se sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, përveç mosratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, problem tjetër është mungesa e rezultateve konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe dënimet për raste të nivelit të lartë. Autoritetet e drejtësisë vendore po shfaqen të pafuqishme për të dërguar në bankën e të akuzuarve "peshqit e mëdhenj". Shumë raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit kalojnë pa u dënuar, sidomos në veri të vendit, ku kontrabanda ka shënuar rritje alarmante. Dështimet janë të shumanshme. Nëse e dëgjon Edita Tahirin, mund të mendosh se kemi mbërritur maksimumin dhe gjithçka po shkon fjollë. Por, në fakt, edhe vetë Parlamenti Evropian e pohon se, pavarë- sisht dialogut me Serbinë, vazhdimi i pranisë së strukturave paralele të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shqetësim të madh. Për të përgënjeshtruar regjimin që bën propagandë të përditshme, është edhe shqetësimi serioz që shprehet në raportin vjetor lidhur me mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe medieve, ku përmendet rritja e presionit dhe ndërhyrjes politike që ushtrohet ndaj medieve. Oligarkët e pushtetit kanë instaluar një sistem autoritar që po rrëshqet drejt diktaturës, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim politik. 

(Kosova Sot)