Editoriali: Ushtria, Kushtetuta dhe ndërkombëtarët

  • 08 March 2017 - 17:05
Editoriali: Ushtria, Kushtetuta dhe ndërkombëtarët

Procedimi përmes miratimit të ndryshimeve ligjore, që do t'ia vishnin FSK-së, kompetencat dhe detyrat ushtarake, duket një zgjidhje e vetme e mbetur, në rrethanat e një refuzimi absolut të Listës Serbe, e cila zbaton urdhrat e Beogradit zyrtar. Siç dihet, themelimi i Ushtrisë së Kosovës kishte dështuar në vitin 2014, kur lideri i LDKsë, që gjendej në opozitë, refuzoi pazarin për vazhdimin e vendeve të rezervuara për pakicën serbe. Pas tre vjetësh, pazari është rritur dhe, me gjasë, përmes ndryshimit të Kushtetutës, do të jetë e pamundur ta transformojmë FSK-në, sepse pa votat e dyfishta të serbëve, nuk mund të ndodhë një gjë e tillë. Për të mos mbetur peng të Serbisë, është gjetur variant përmes procedimit të ligjit të ri, që kërkon një shumicë të thjeshtë votash, duke anashkaluar kështu deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.

Por, përtej entuziazmit të ligjshëm se më në fund Kosova po bëhet me ushtrinë e saj, janë dy çështje, për të cilat nuk kanë folur organet përkatëse dhe përfaqësitë diplomatike në Prishtinë. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se është e pamundur të formohet ushtria, pa u ndryshuar Kushtetuta e Kosovës. Gjykata Kushtetuese do të duhej ta thoshte fjalën e saj, për ta hequr këtë dilemë. Nga ana tjetër, a është ky hap i kreut të shtetit në partneritet me liderin e PDK-së, në koordinim me faktorët ndërkombëtarë? Ditë më parë, është theksuar nga parlamentarë kosovarë, por edhe zyrtarë të ndryshëm, se pa u ndryshuar Kushtetuta, nuk mund të transformohet FSK-ja.

Një zë nga SHBA-ja, BE-ja, do t'i qetësonte të gjithë në këto rrethana. Ushtria na duhet më shumë se kurrë, sepse nuk mund të themi se jemi shtet i mirëfilltë pa e pasur ushtrinë tonë. Por, edhe formimi i saj nuk mund të bëhet në mënyrë gjysmake, të pakoordinuar dhe eventualisht, duke shkelur Kushtetutën. Nga historia e këtyre viteve, dihet fort mirë se pushtetarët apo sunduesit e Kosovës, për konsum të brendshëm politik, janë të gatshëm të ndërmarrin çdo aventurë të mundshme, politike apo juridike. 

(Kosova Sot)