Editoriali - Kur të bën babai deputet

  • 01 July 2017 - 18:09
Editoriali - Kur të bën babai deputet

Përbërja e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, deri diku edhe mund të sjellë pjesërisht një frymë të re parlamentare. Janë 32 deputetë, të cilët do të jenë për herë të parë në ulëset e Parlamentit. Në këto zgjedhje parlamentare është parë një ndëshkim i pothuajse gjysmës së deputetëve të legjislaturës së kaluar, të cilët nuk ishin aktivë dhe nuk arritën të rizgjidhen për një mandat të dytë. Por, dënimi elektoral, gjithsesi, nuk ishte i plotë për deputetë të caktuar, që as nuk e hapën gojën në mandatin e kaluar. Edhe pse votuesit kanë filluar të ndryshojnë qëndrimet dhe të mbështesin figura të reja, mentaliteti i "trashëgimtarit" vazhdon të jetë i fuqishëm. Emra që nuk kanë kurrfarë kontributi në jetën politike, profesionale, shkencore, akademike, kulturore, etj., i janë bashkuar listës së fituesve në këto zgjedhje. Inercia elektorale po e dëmton përfaqësimin serioz në Kuvend. Është anakronike sot të bëhet deputet dikush, vetëm sepse është i biri apo e bija e një personaliteti, pa pasur kurrfarë përvoje apo pa dëshmuar kapacitetet e besueshme për t'u zgjedhur në parlament. Gjithsesi, ky është verdikti i sovranit, që ka vendosur ta mbushë Kuvendin edhe me figura kontroverse, që shquhen për një diskurs publik banal dhe fyes. Sistemi zgjedhor, që kemi, mundëson përzgjedhjen e kandidatëve në listat e hapura, duke e ashpërsuar betejën brenda llojit dhe duke shtuar mundësitë e manipulimeve. Si rrjedhojë, kemi edhe dhjetëra ankesa në PZAP, për dyshimet se janë vjedhur votat e kandidatëve. Ky sistem mundëson që dikush të mos hyjë në Kuvend, edhe pse ka marrë 8-9 mijë vota, por lehtësisht hyn një tjetër me katër - pesë qind vota. Sidoqoftë, mbetet të shihet performanca e Kuvendit të ri, se sa do të jetë në gjendje ta mbikëqyrë qeverinë e ardhshme dhe sa do të jetë përfaqësues i denjë i interesit publik, që ka munguar shumë, sidomos në legjislaturën që lamë pas.

(Kosova Sot)