Thaçi, Pacolli&Co po e shkretojnë Kosovën

  • 11 April 2019 - 15:45
Thaçi, Pacolli&Co po e shkretojnë Kosovën

Lidershipi kosovar e ka bërë zakon, që sa herë flet për integrimin evropian dhe perspektivën e vendit, të nxjerrë në plan të parë shtresën e të rinjve, asetin kryesor të Republikës. Por, pas dy dekadave, ky refren i bajatshëm nuk pi më ujë. Të rinjtë, me të cilët arsyetohen pushtetarët tanë, po emigrojnë masivisht dhe me këtë trend, pas katër-pesë vjetëve, ky shtet do të shkretohet. Këtu do të mbesin oligarkët, familjarët e tyre dhe shpurat kriminale që u shkojnë prapa. Qeverisjet e korruptuara e degraduan Kosovën, e rrënuan shpresën, e mbytën dëshirën për të jetuar e për të ndërtuar familje. Nuk është e rastësishme që nga njëri prej shteteve me natalitetin më të lartë, në mënyrë alarmante, Kosova sot është e fundit në listë. Njerëzit mendohen gjatë për të bërë fëmijë në këtë ambient, ku të prêt zymtësia dhe padrejtësia, pasiguria dhe abuzimi.

Më kot mundohen përfaqësuesit e lartë qeveritarë të argumentojnë ambicien integruese të popullit tonë, pasi më parë e kanë shkatërruar atë. Profesori amerikan Alon Ben-Meir ia ka përplasur të vërtetën në fytyrë ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, që përmes një editoriali është përpjekur të mburret me rininë e shkathët që e meriton integrimin në BE. Duke e quajtur si shembull tipik të korrupsionit, eksperti i njohur amerikan ia ka përmendur hotelet e shtrenjta dhe tenderët korruptivë kreut të diplomacisë kosovare. Pacolli është rasti eklatant i korrupsionit biznesor e politik, që ka mbërritur deri aty sa dyshohet se e ka blerë edhe postin e presidentit në një pazar me partnerin e tij, presidentin aktual Hashim Thaçi. Politikanët për këta njëzet vjet janë bërë miliarderë në Kosovë, ndërsa edhe ajo shtresë deri dje e mesme u varfërua skajshmërisht. Prandaj, populli po ikën, ndërsa Qeveria shtiret sikur nuk po ndodh asgjë. Aty ku vdes edhe shpresa, shterojnë edhe arsyet e fundit për të qëndruar më tutje. Për sa kohë na udhëheqin njerëz si Pacolli me shokë, autobusët drejt Perëndimit nuk do të kenë asnjë vend të lirë. As në këmbë!

(Kosova Sot)