Cila ngjyrë përshtatet me shenjën tuaj të horoskopit?

  • 18 May 2020 - 15:14
Cila ngjyrë përshtatet me shenjën tuaj të horoskopit?

A e keni pyetur veten ndonjëherë pse disa ngjyra të grimit ju përshtaten më shumë se të tjerat? Disa thonë se këtu fajin e ka astrologjia.

DASHI

Pjesëtarëve të kësaj shenje më së miri iu rri ngjyra e kuqe, e cila sinjifikon pasionin, fuqinë dhe trimërinë. Këto janë vetitë që edhe i karakterizojnë pjesëtarët e shenjës Dash. Ngjyrat: e kuqja e errët, e zeza, e bardha, e arta, e portokallta Si ta veni grimin: Hijen e kuqe të mbyllët vendoseni mbi ndonjë tjetër hije, neutrale, në mënyrë që ta zbusni efektin. Evitojeni ngjyrën e çeltë rozë.

DEMI

Demave iu përshtatet ngjyra e gjelbër, meqë ajo ua përtërinë shpirtin, duke sjellë ekuilibrin midis trupit dhe shpirtit. Ngjyrat: e gjelbra, e kaltra, ngjyra vjollcë, e verdha, e kafenjta. Si ta veni grimin: Hijen ngjyrë ulliri vendoseni në kapakët e syve, por edhe në vijat e poshtme të syve, e më pas fërkojeni, për ta përfituar pamjen "smokey". Evitojeni ngjyrën e kuqe.

BINJAKËT

Për Binjakët ngjyra e preferuar është e verdha, meqë ajo është plot shkëlqim dhe dritë, e ka edhe efekt stimulues dhe e ngritë disponimin. Ngjyrat: e verdha e çeltë, e kaltra e çeltë, e gjelbra dhe e bardha. Si ta veni grimin: hija kozmetike me ngjyrë të verdhë mund të jetë më se e qëlluar nëse e veni në kapakë dhe në këndet e syve. Evitojini të gjitha nuancat e së zezës.

GAFORRJA

Gaforreve romantike më së miri iu rri ngjyra rozë, e cila tregon dashurinë, e më së miri është që këtë ngjyrë ta bartni në periudhat kur ju presin ndryshime të mëdha. Ngjyrat: rozë, tirkiz, e bardhë, e hirtë, e kaltër, e argjendtë, metalike. Si ta veni grimin: Kombinojeni hijen rozë dhe atë të bardhë, në mënyrë që të dukeni sa më natyrore. Evitojeni ngjyrën e kuqe.

LUANI

E portokallta e forcon fuqinë dhe ndikimin e Luanit. Nëse përcaktoheni për këtë ngjyrë, atëherë do t'ju vërshojnë ndjenja e lumturisë dhe ajo e optimizmit. Ngjyrat: e portokallta, ngjyra e arit, e kuqja, ngjyra e bakrit, e kaltra mbretërore, e bardha. Si ta veni grimin: Provojeni ta veni hijen e portokalltë sikur "ajlajnerin". Këtë do ta arrini me një brushë të drejtë të cilën e zhytni në pak ujë, e më pas në hije, duke bërë një vijë mbi kapakun e sipërm. Evitojini nuancat pastele.

VIRGJËRESHA

E kaltra mbretërore është ideale për pjesëtaret e kësaj shenje. Kjo ngjyrë është mishërim i bukurisë, pastërtisë dhe mençurisë. Ngjyrat: e kaltra mbretërore, e gjelbra, livanda, e hirta, e kafenjta, e verdha. Si ta veni grimin: Të kaltrën mbretërore, apo ngjyrën teget vendoseni si bazë për ndonjë nuancë më të çeltë, në mënyrë që t'ju theksohen më shumë sytë. Evitojini të zezën.

PESHORJA

Për pjesëtaret e kësaj shenje ideale është ngjyra e kaltër, e çeltë, meqë ajo sinjifikon dashurinë, bukurinë dhe ekuilibrin. Barteni atë me qëllim që ta arrini ekuilibrin dhe ndjenjën e mirëqenies. Ngjyrat: e kaltra e çeltë, rozë, vjollce, e gjelbër, ngjyra e shampanjës. Si ta veni grimin: Kombinojeni hijen e kaltër të çeltë me një të bardhë, apo të argjendtë dhe mos harroni që ta vendosni në hapësirën nën vetulla. Evitoni: sasitë e tepërta të ngjyrave të çelëta në fytyrë.

AKREPI

Ngjyra e vishnjës është e përkryer për pjesëtaret e kësaj shenje. Asaj i përshkruhet thellësia, fuqia dhe dashuria, e ndihmon që të kaloni më lehtë nëpër periudhat kalimtare në jetë. Ngjyrat: ngjyra e vishnjës, e zeza, e kuqja e errët, ngjyra vjollcë, gështenjë. Si ta veni grimin: Përdoreni hijen mat të vishnjës dhe për definimin e syve, apo atë të kadifenjtë për efektin "smokey" të syve. Evitojini ngjyrat e theksuara.

SHIGJETARI

Ngjyra e pjesëtarëve të kësaj shenje është e kaltra në të gjelbër, meqë e rrit mençurinë dhe optimizmin. Ajo është simbol i tolerancës dhe mirëkuptimit. Ngjyrat: e kaltra, e gjelbra, ngjyra vjollcë, e bardha, e kuqja Si ta veni grimin: Nuancën më të errët të së kaltrës në të gjelbër, për efektin "smoky eyes" zbuteni me ndonjë nuancë të kafenjtë në vendet e palosjes, për ta evituar pamjen e tepërt dramatike. Evitoni: të hirtën në të kaltër, të kaltrën e errët dhe të kuqen e mbylltë.

BRICJAPI

E kafenjta është ngjyra e kësaj shenje të horoskopit. Kjo është ngjyrë e vendosmërisë, simbol i logjikës dhe mençurisë. Ju ndihmon që të ndiheni stabile. Ngjyrat: e kafenjta, e gjelbra e mbylltë, bezhë, ngjyra e ullirit, e zeza. Si ta veni grimin: Duke pasur parasysh se e kafenjta është ngjyrë neutrale, atë mund ta përdorni ditën dhe në mbrëmje. Evitojini të verdhën dhe nuancat e saj.

UJORI

Te pjesëtarët e kësaj shenje mbretëron ngjyra vjollcë, meqë kjo është ngjyra e cila e thekson humanizmin dhe mirësjelljen. Ua kthen ndjenjën e bashkësisë dhe ua përmirëson lidhjet me miqtë. Ngjyrat: vjollce, tirkiz, e kaltra e theksuar. Si ta veni grimin: Provoni një "smoky eyes" tjetër, kësaj here me ngjyrë vjollce. Do të dukeni seksi. Evitojini ngjyrat themelore.

PESHQIT

Ngjyra e detit është përzgjedhja më e mirë të cilën mund ta bëjnë pjesëtaret e kësaj shenje. Iu ndihmon në arritjen e ekuilibrit midis botës së jashtme dhe të brendshme. Ngjyrat: ngjyra e detit, akuamarini, e gjelbra, ngjyra vjollcë, e zeza. Si ta veni grimin: Kombinojeni ngjyrën e detit me ajlajner të zi në kapakët e syve tuaj. Evitojini nuancat e theksuara.

(Kosova Sot Online)