Gruaja që nuk i ka prerë flokët që 15 vjet, synon t’i bëjë dy metra të gjata

  • E.K /
  • 22 tetor 2020 - 11:25
Gruaja që nuk i ka prerë flokët që 15 vjet, synon t’i bëjë dy metra të gjata

Një grua 31-vjeçare nga Gjermania nuk i ka prerë flokët që 15 vjet. Gjatësia e tyre tashmë është më e madhe se tërë trupi i saj.

Stefanie Classen nga Dyseldorfi i Gjermanisë, e cila punon si roje, po i publikon fotografitë e flokëve të saj të jashtëzakonshme në Instagram. Synimi i saj është që flokët t’i rrisë në dy metra, shkruan Daily Mail.

I dashuri i saj, Ralph Kopitz, ia bën të gjitha fotografitë që ajo i publikon në rrjetet sociale, ku ka më shumë se 2.000 ndjekës.

Stefanie thotë se ajo gjithmonë e ka lidhur bukurinë me flokët e gjata. “Posa u bëra e rritur, mora vendim me vetëdije që të mos i shkurtoj flokët”, thotë ajo.

Vendimin për zgjatjen e flokëve e mori në vitin 2005, kur i kishte 16 vjet. “Prindërit kurrë nuk më lejonin që t’i rris flokët më shumë sesa deri në krahë. Ma merr mendja që për ta ishte më lehtë, por sapo u bëra e rritur, dëshirova që t’i rris për të parë se si duken”, shton gruaja gjermane.

Tri vjet pasi vendosi të mos i shkurtonte flokët, gjatësia e tyre kishte arritur deri në krahë dhe Stefanie thotë se ndihej më e bukur me atë pamje.

Ajo i pastron flokët dy herë në javë, por pranon se pjesa më e vështirë është tharja e tyre. “Shkoj për të fjetur me flokë të lagura dhe zakonisht thahen kur të zgjohem, varësisht nga moti”, tha Stefanie.

(Kosova Sot Online)