Prishja e raporteve në mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte cinizëm i skajshëm

Prishja e raporteve në mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte cinizëm i skajshëm
Prishja e raporteve në mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte cinizëm i skajshëm

Idriz Zeqiraj

  • 27 June 2026 - 07:48

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Katërshja: Vjosa Osmani, Glauk Konjufca, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla do të kenë mbamendje të përjetshme për ndryshimin sa të madh, aq edhe cilësor, të bërë në politikën e Kosovës. Korracimi i disa "komandantëve" në pushtet, falsifikueshëm e dhunshëm, edhe pse e kanë pranuar se "nuk ishin pjesë e luftës", e kishte ngulfatur Kosovën. Shporrja e tyre nga pushteti ishte imperativ, urdhëresë e kohës.

 

-Prishja e raporteve në mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nuk është thjesht prishje në mes të dy aleatëve shumë të suksesshëm në bërjen e ndryshimit dhe të frymëmarrjes së lirë të popullit të Kosovës. Ishte cinizëm i skajshëm, ishte turp kombëtar, që disa "biçim komandantësh", me bandat e tyre, abuzuan me shtetin dhe pushtetin, të cilët e përtokën, e përdhosën, e përmjeruan anembanë Kosovën.

Populli i Kosovës kishte humbur betejën me krimin dhe kriminelët. Andaj, është pikërisht binomi Vjosa-Albini, me veprimtarët e LVV-Guxo-Alternativa, të cilët e stopuan marshimin kriminal, duke sjellë ndryshimin e shumëpritur.

Prishja e kësaj aleance, për arsye parimore politike dhe kombëtare, shto këtu edhe xhelozinë personale, nëse nuk do të ketë reflektim dhe pajtim, do të ketë ndikim në kahjen negative, në të ardhmen politike të Kosovës.

Ajo që nuk mund të mohohet është se dyshja Albini-Vjosa, deri dje, vepronte në sinkron, në pajtueshmëri të plotë, që nga shtrirja e sovranitetit në veriun problematik të Mitrovicës dhe të veprimeve të tjera, sidomos për sundimin e ligjit. Sepse sistemi i drejtësisë ishte kapur dhe rrënuar në tërësi, me qëllim të bërjes mjegullnajë, për të livadhisur lirshëm dhe sunduar shpengueshëm popullin sa të përvuajtur, aq edhe mjeran.

Rebelimi i Vjosa Osmanit, deri në denoncim publik në sallën e Parlamentit të Kosovës, se "nuk luhet bixhoz me ndërkombëtarët", është shqetësim parimor. Edhe pse nuk përmendi emër, aludimi ishte i lexueshëm. Albin Kurti ka deklaruar, madje publikisht dhe tekstualisht: "Amerika ishte partner i luftës, partner i së kaluarës, por jo partner i së tashmes dhe i së ardhmes!"

Ishte një deklarim sa joreal, aq edhe fatal për Kosovën, sepse Amerika është ekskluzivisht çliruese e Kosovës. Madje, për ta mohuar partneritetin me Amerikën, duhet ta kesh rezervë një superfuqi më të fortë ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht dhe miqësisht. Mjerisht, një rezervë e tillë Kosovës i mungonte.

Amerikanët kanë një mbamendje të fortë dhe nuk harrojnë lehtë. Veç kësaj, mosmirënjohja është e pafalshme. Gjenerali francez Napoleon thoshte se: "Më shumë i urrej mosmirënjohësit sesa tradhtarët!"

Amerika, në veçanti republikanët, janë alergjikë ndaj ecejakeve, flirteve me shtetet e Lindjes, ngaqë anojnë nga Rusia. Ndërkohë që Albini frekuentonte organizimet politike të social-demokratëve edhe përtej Ballkanit, gjithnjë për qëllime të mira, në favor të Kosovës.

Vjosa Osmani i përket brezit intelektual bashkëkohor amerikano-evropian. Ajo nuk e fshehu ambicien për mandatin e dytë presidencial.

Pa asnjë mëdyshje, ajo ishte presidentja brilante, e cila jo vetëm fitoi zemrat e shqiptarëve të kudondodhur, por edhe të burrështetasve botërorë, përfshi edhe organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë.

Fjalimin e presidentes së mini-shtetit të Kosovës, Vjosa Osmanit, e përshëndeti Parlamenti Evropian, duke u ngritur në këmbë dhe me duartrokitje të gjata.

Takimi i presidentes Vjosa Osmani me kontingjentin e madh të ushtarakëve luftarakë dhe fotografia proverbiale e bërë nga ajo, flet mjaftueshëm për sukseset kulmore të vizitës së saj.

Turnetë e Presidentes nëpër botë, gjithnjë në afirmimin e qeverisjes së mirë dhe të shtetit të Kosovës, dhanë rezultatet e pritshme të disa njohjeve, të heqjes së sanksioneve të padrejta, zhbllokimit të fondeve dhe një sërë premtimesh për pranimin në organizma të tjerë ndërkombëtarë.

Pyetja nëse Vjosa Osmani është karrieriste apo idealiste, përgjigjja është e qartë, e saktë: një idealiste e pakompromis dhe rreptësisht e përkushtuar për atdheun. Kur ajo po mbaronte mandatin e Presidentes, pa pasur parti të vetën dhe as ndonjë grup lobues për fushatën zgjedhore, dëshmoi se ishte dhe mbeti idealiste, në shërbim të Atdheut-Kosovë.

Ndodhi ajo që nuk pritej: Edhe pse kishte marrë premtimin e Albin Kurtit se ai, me LVV-në e tij, do t'ia siguronte votat, duke e porositur atë t'i plotësonte votat e tjera, nuk e mbajti premtimin e dhënë!

Ndërkohë, ndodhi e papritura! Prapa shpinës së saj kërkohej një tjetër emër për president. Dhe kjo ishte pabesi nga ana e kryeministrit Kurti! Shqiptarët u shtangën nga habia. Edhe pse ishin mësuar me veprime jo të zakonshme të Kurtit, këtë nuk e prisnin, ngaqë Vjosa ishte në kulmin e realizimit të projekteve të rëndësishme për Kosovën.

Si me sustë filloi fushata e fejsbukistëve të programuar për denigrimin e figurës së presidentes markante, Vjosa Osmanit. Ajo e denoncoi Kurtin për këtë fushatë të pistë unike! Dhe foli hapur për mospajtimet politike dhe assesi personale, duke lënë hapësirë bashkëpunimi me kryeministrin Albin Kurti.

Analisti i mirënjohur gjerman, Bodo Weber, vlerëson "pozicionimin e mirë të Vjosa Osmanit në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe Bordin e Paqes, të iniciuar nga Trump. Në qeverinë Kurti kjo ka shkaktuar xhelozi dhe tensione", konstaton Weber.

"LVV nuk ka asnjë arsye të mos pranojë kërkesën time për mandatin e dytë", megjithatë, "nuk do të lejoj që emri im të shndërrohet në pengesë për arritjen e një marrëveshjeje", ka deklaruar Vjosa Osmani.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se kundërshtarët e saj po e refuzojnë Vjosa Osmanin, por nuk e dinë pse. Ajo, në pozitën e Presidentes, ka performuar shkëlqyeshëm dhe nuk ka bërë asnjë gabim. Paraqitjet e saj dinjitoze në veprimtaritë ndërkombëtare kanë nderuar Kosovën. E mençur, e përgatitur dhe punëtore e madhe, e ka vlerësuar kolegia Gërvalla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar në shkallën sipërore: "Vjosë, ti je presidentja më e mirë e shekullit XXI."

Ndërsa unë po e ul, paksa, pazarin: "Për ta përgatitur një presidente si Vjosa Osmani, Kosovës i duhen, të paktën, 20 vjet."

Vazhdimi i mandatit të dytë presidencial të Vjosa Osmanit është interes i veçantë dhe domethënës në rrethanat politike të Kosovës së sotme.

Thonë se "inati në politikë është humbës". Albini, si djalë bollshëm i shkolluar, këtë të vërtetë e di mirëfilli. Andaj, koha është për reflektim, gjithnjë duke vënë interesin e Kosovës mbi atë personal.

Dje, binomi Vjosa-Albini ishte shpresa e shqiptarëve vendorë dhe botërorë. Andaj, mos lejoni që sot ta ktheni shpresën në zhgënjim!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".