Si mund t’ju ndihmojë djersa juaj për të ndaluar procesin e djersitjes? Shkencëtarët zbuluan se antidjersa mund të prodhohet nga…

  • G.G /
  • 11 dhjetor 2020 - 09:45
Si mund t’ju ndihmojë djersa juaj për të ndaluar procesin e djersitjes? Shkencëtarët zbuluan se antidjersa mund të prodhohet nga…

Keni menduar ndonjëherë për një antidjersë të prodhuar nga djersa juaj? Shkencëtarët nga “Virginia Tech”, në SHBA thonë se kjo është e mundur.

Djersa është mënyra që zgjedh trupi për të na mbajtur të freskët. Kur rritet temperatura e trupit, ‘hipotalamusi’, një rajon në madhësinë e bajames thellë në tru, shkakton prodhimin e djersës.

Teksa avullon nga lëkura, djersa e merr nxehtësinë me vete, duka na freskuar, sipas “Daily Mail”.

Antidjersa bllokon kanalet e vogla të djersës në lëkurë për të ndaluar lagështinë që të arrijë sipërfaqen e lëkurës, duke parandaluar djersitjen.

Shumica e antidjersave përdorin kripëra alumini për të bllokuar kanalet vetëm nën sipërfaqen e lëkurës. Këto janë shumë efektive, por mund të shkaktojnë edhe irritim, duke e tharë lëkurën.

Përveç kësaj, disa studime kanë ngritur shqetësime se kripërat e aluminit mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit.

Sidoqoftë, lidhja midis të dyjave nuk është provuar kurrë dhe “Cancer Research UK” i tha “Good Health” se “provat shkencore nuk mbështesin një lidhje mes kancerit të gjirit dhe antidjersës, kështu që ne nuk duam që njerëzit të shqetësohen“.

Megjithatë, kërkesa për produkte pa alumin është në rritje, thotë Jonathan Boreyko, një inxhinier mekanik që drejtoi studimin e ri.

Boreyko shpjegoi: “Zbulimi rrit mundësinë që djersa të përdoret për të bllokuar kanalet që e lëshojnë dhe për të ndaluar djersitjen”.

Në të ardhmen, thotë z. Boreyko, antidjersat mund të mbushen me një xhel që tërheq ujin. Pasi të jetë shkrirë tek sqetullat, xheli do të nxjerrë ujin nga djersa, duke lënë pas mineralet për të mbyllur kanalet dhe për të parandaluar largimin e lagështisë së mëtejshme.

Një tjetër mundësi është një copë ngjitëse, e cila do të jetë e mbushur me xhel dhe do të funksionojë në të njëjtën mënyrë si versioni i parë.

Studiuesit po bëjnë eksperimente të ndryshme për të parë nëse produkte të tilla si mjalti apo sheqernat do të kenë të njëjtin efekt, sepse edhe ato thithin ujë.

Krijimi i një produkti si ky mund të jetë shumë i vlefshëm për të gjithë ata që kanë irritim të lëkurës pasi përdorin antidjersë.

Mund të jetë gjithashtu e dobishme për njerëzit që përjetojnë ‘hiperhidrozë’ (djersitje të tepërt), një gjendje e pakëndshme dhe e sikletshme që prek rreth një në 50 njerëz, shton Justine Hextall, një dermatologe konsulente.

Megjithatë, nuk ka asnjë garanci se mineralet e krijuara nga djersa e një personi për të bllokuar poret nuk do t’u krijojë atyre irritim.

(Kosova Sot Online)