Nëntë sekretet e bukurisë së të famshmeve mbi 40 vjeç
Këto të famshme nuk i demonstrojnë fare vitet që i kanë, e ekspertët e tyre të grimit thonë se sekreti qëndron te grimi neutral, flokët më të çeltë, si dhe maskimi i qeskave të syve.
Maska dhe pudra e lëngshme, për një ten si porcelan
Cate Blanchett ka një ten porcelani dhe kurrë nuk e tepron me grim. Me kalimin e viteve, lëkura bëhet më e thatë, për çka shihet edhe rrudha më e imët. Kjo lëkurë kërkon të ushqehet. Për këtë shkak, Cate së pari vendos maskën për fytyrë me veprim të thellë, duke e lënë të veprojë për 15 minuta. Maska e rrit qarkullimin dhe lëkurës ia kthen shkëlqimin. Pas kësaj pason pudra e lëngshme, por as me këtë nuk e tepron, ku sasinë e tepërt e heqë me facoletë letre, thotë ekspertja e saj e grimit, Dotti, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Pilingu tri herë në javë, për një lëkurë të bukur
Edhe pse gjenet luajnë një rol të madh, lëkurës i ndihmon edhe pilingu i rregullt. Preferohet që lëkurën ta pastroni tri herë në javë, por pilingu duhet të jetë i butë. Sandra Bullock përdorë pilingjet e bazuar në alfa dhe beta thartirat hidroksilike, të cilat e pastrojnë lëkurën në thellësi dhe kanë veprim antiinflamator. Përparësia e tyre është se veprojnë te çdo tip i lëkurës, ku thartira alfa hidroksilike është më e mira për lëkurën e thatë, meqë i ndihmon në ruajtjen e lagështisë, e ajo beta hidroksilike për lëkurë të yndyrshme, të prirë për akne.
Lapsi i shpëton vetullat
Vetullat janë kornizë e fytyrës dhe forma e rregullt e tyre mund ta zbukurojë fytyrën, gjë që e di edhe modelja amerikane, Christie Brinkley. Me kalimin e viteve, vetullat rrallohen dhe qimet bien, me çka vetullat e humbin formën e tyre natyrore. Në këtë rast, në ndihmë vjen lapsi. Ai duhet të jetë për një a dy nuanca më i ndritshëm sesa vetullat, e vendoset me lëvizje të shkurtra. Pas kësaj, në vetulla vendoset me brushë pudra, e cila ndihmon në zbutjen e linjave të ashpra të lapsit, në mënyrë që ato të duken sa më natyrore.
Nuanca adekuate e korrektorit mbulon qeskat e syve
Edhe të famshmet kanë probleme me qeskat e zeza të syve, gjë që më së miri e di Salma Hayek, e cila me vite të tëra ka qenë në kërkim të nuancës adekuate të korrektorit. Qeskat e kaltra dhe të zeza të syve më së miri i mbulon korrektori me tone të së portokalltës, e të kuqet, i gjelbri. Po ashtu, korrektori vihet vetëm në këndin e brendshëm të syve, e jo përgjatë tërë gjatësisë, meqë hyn në rrudha, duke i theksuar edhe më shumë ato.
Një nuancë më e ndritshme, për një pamje më rinore
Nëse doni të dukeni më të reja, atëherë duhet t’i ktheheni ngjyrës që keni pasur si fëmijë. Kjo do t’ia japë fytyrës një pamje më të butë dhe më të ngrohtë, thotë Michael Canale, grimer i Jennifer Aniston-it. Stili i flokëve duhet të jetë sa më natyror, meqë flokët tepër të stilizuara duken të ashpra dhe na bëjnë të dukemi më të vjetër. Preferohet që flokët t’i lini të thahen natyrshëm, apo t’i terni me brushë. Edhe Nicole Kidman iu është kthyer toneve të buta të verdha, të cilat përtërijnë.
Flokët e gjatë nuk janë vetëm për të rejat
Rregulli i përhapur se me kalimin e viteve flokët duhet të jenë gjithnjë e më të shkurtër është thyer tanimë nga shumë bukuroshe, midis së të cilave është edhe Jennifer Lopez. Femrat nuk duhet të heqin dorë nga flokët e gjata, por me rëndësi është që t’i mirëmbajnë ato, në mënyrë që të jenë sa më të buta dhe që ta bëjnë fytyrën të duket sa më mirë, thotë floktari i Jennifer Lopez-it, Oribe Canales.
Ushtrimet për tërë trupin, në stilin Halle Berry
Përpos për lëkurën, bukuroshet e famshme përkujdesen edhe për trupin. Halle Berry e ruan pamjen e saj me ushtrime të thjeshta për tërë trupin, sidomos për shpinë, gjoks, duar dhe këmbë. Mjafton që t’i zgjeroni paksa këmbët dhe të lëshoheni së pari galiç, e më pas tërësisht në tokë. Më pas përsëri të ngrihemi, duke kërcyer lart, me duar të ngritura. Por, as ajo nuk e tepron – stresi i ushtrimeve të tepërta është i dëmshëm për sistemin imunitar, duke dhënë rezultate të padëshirueshme.
Detoksikimi i trupit
Krahas ushtrimeve të rregullta, pamja rinore kërkon edhe një të ushqyer adekuat. Ushqimet e përpunuara dhe me tepër sheqer duhet t’i evitojmë e në meny preferohet të kemi sa më shumë pemë dhe perime. Po ashtu, një shtesë e mrekullueshme është edhe ajo në bazë të qumështit dhe dyllit të bletëve, të cilën e përdor Jennifer Aniston për një shëndet më të mirë. Për dallim nga ajo, Salma Hayek, para se të paraqitet në tepihun e kuq, i nënshtrohet një pastrimi pesëditor me lëngje natyrore deri në 1200 kalori. Ato e zvogëlojnë fryrjen, largojnë helmet nga organizmi dhe lëkurës ia kthejnë shkëlqimin.
Qerpikët artificialë përtërijnë
Qerpikët artificialë të përtërijnë sa çil e mbyll sytë, por duhet zgjedhur nuancën adekuate. “Pamjen rinore fytyrës ia japin qerpikët ngjyrë gështenje, me kusht që të mos jenë tepër të gjatë, meqë ashtu do të duken false. Më pas duhet vënë vetëm dy shtresa maskarë dhe do ta arrini pamjen sikur që e ka Cate Blanchett”, thotë ekspertja Dotti.
(Kosova Sot)