Ligjet e miratuara nuk i hyjnë në punë komunitetit artistik - Kulturë - Kosova Sot
Ligjet e miratuara nuk i hyjnë në punë komunitetit artistik

Ligjet e miratuara nuk i hyjnë në punë komunitetit artistik

INFRASTRUKTURA LIGJORE NË SFERËN E KULTURËS

Vokshi: Kemi situatë të mjerë dhe denigruese në kulturë për moszbatim të ligjeve

Pjesa dërmuese e ligjeve që rregullojnë veprimtaritë kulturore në vend ende janë larg zbatueshmërisë së tyre. Shumë prej tyre, përveç shpenzimeve që kanë krijuar për t'u hartuar, nuk janë duke i hyrë fare në punë komunitetit kulturor, siç është ai për të drejtat e autorit, sponsorime e ndonjë tjetër. Disa prej tyre janë në procedurë amendamentimi, e shumë të tjerë shkelen pa ndonjë problem, sidomos nga zyrtarë që janë të thirrur t'i zbatojnë ato duke krijuar mjaft probleme për zhvillimet kulturore në vend, sidomos tek institucionet publike, të cilat kanë mjaft probleme me ndërhyrjet politike dhe klanet e shumta. 

Të pafavorshëm për njerëzit e kulturës

"Po të shohim pakënaqësitë e aktorëve rezidentë në teatrin kombëtar dhe nëpër teatrot e qyteteve, atëherë shohim se ligjet, edhe ashtu jo të favorshme për punëtorët e kulturës, në përgjithësi nuk zbatohen nga menaxhmentet, kryesisht të motivuara politikisht", është shprehur aktori Sabit Zeneli

Mosrespektimi i ligjeve dhe vullneti gjithnjë e më shumë për t' i shkelur ato, për njerëzit e kulturës, po krijon një situatë kaosi në zhvillimet kulturore në vend. Aktori Sabit Zeneli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ligjet, të cilat harmonizohen dhe miratohen nga institucionet relevante të kulturës në të gjitha nivelet rrallëherë zbatohen ose përfillën në mënyrë fragmentare, varësisht prej llojit të evenimentit."Po të shohim pakë- naqësitë e aktorëve rezidentë në teatrin kombëtar dhe nëpër teatrot e qyteteve, atëherë shohim se ligjet edhe ashtu jo të favorshme për punëtorët e kulturës në përgjithësi nuk zbatohen nga menaxhmentet kryesisht të motivuara politikisht", ka thënë ai, duke përmendur edhe një takim mes drejtorëve të teatrove të qyteteve për të diskutuar për ndryshimin e Ligjit për teatrin, e kjo, sipas Zenelit, do të thotë se grupet e interesit do të nxjerrin telashe dhe vështirë që do të arrihet ndonjë konsensus i qëndrueshëm e që automatikisht derivon kriza edhe më e thellë se kjo e tanishmja. Vlen të ceket, kapotencuar më pas ai, se edhe neglizhenca e MKRS-së që akoma nuk e ka shpallur konkursin për projekte kulturore për këtë vit. Sipas aktorit Zenelit, është botërisht e ditur tashmë që projektet nga ky konkurs marrin lloj-lloj njerëzisht që nuk kanë lidhje me kulturë, as me letërsi, dhe po ta shohim me vëmendje listën del që projekte mijëra euro marrin anonimusët nëpër fshatra që promovojnë, siç ka thënë ai, flija e rasoj e lihen anash aktivitete muzikore, trashëgimia shpirtërore, etnografia etj.

Pasojat afatgjata

Më tej Sabit Zeneli ka thënë se moszbatimi i ligjit në domenin e kulturës pa dyshim që lë pasoja afatgjata në zhvillimin e saj dhe vështirë pastaj të këndellet e të vihet në binarë, sepse shumë nga ata që janë profesionistë të fushës demoralizohen kur nuk përfillen nga institucionet."Përditë e shohim që nëpër institucione kulturore (teatro) më shumë merren me çështje sindikale se me përgatitje të shfaqjeve dhe ky është treguesi më i mirë për pasojat që vijnë pastaj. Kur të këndellën institucionet e të zbatojnë ligjet e veta në përpikëri, atëherë edhe punonjësit do të jenë më azhure dhe do të japin art", ka thënë Zeneli për "Kosova Sot".

Kurse arkitekti Ylber Vokshi, ekspert në trashëgiminë monumentale, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se nëse do të ishin zbatuar ligjet ekzistuese për kulturë nga niveli qendror (MKRS) dhe ai lokal (38 komunat) nuk do të kishim situatën e mjerë denigruese në tërë territorin e vendit, edhe se me ligje në vete nuk zhvillohet apo kultivohet vetvetiu kultura e një vendi,por faktori njeri.

Ligjet e kopjuara nuk u përshtaten situatave vendore

Ylber Vokshi është shprehur për "Kosova Sot" se trajtimi dhe zbatimi i ligjeve të kulturës as që ka qenë interes apo prioritet i vendimmarrësve kosovarë në vitet e pasluftës. Ndërsa ka thënë se janë kopjuar ligjet e huaja, duke mos ia përshtatur rrethanave vendore, nuk kanë qenë realiste, të mangëta dhe jo të zbatueshme

Sipas Vokshit, trajtimi dhe zbatimi i ligjeve të kulturës as që ka qenë interes apo prioritet i vendimmarrësve kosovarë në vitet e pasluftës. Ndërsa ka thënë se janë kopjuar ligjet e huaja duke mos ia përshtatur rrethanave vendore, nuk kanë qenë realiste, të mangëta dhe jo të zbatueshme."Fare askush nga ata nuk është brengosur për pasojat afatgjata në shekullin 21, që do të derivojnë ato ligje, të cilat me hapa të ngadalshëm po tentohet të plotësohen, ndryshohen ose të bëhen të rinj", ka thënë Vokshi, duke shtuar se ligjet nuk munden me qenë shkaktarët kryesorë që është katandisur kultura e vendit në këtë gjendje denigruese. Vokshi më tej ka theksuar se faktori njeri, i cili kulturën e ka trajtuar si diçka të huajë ku nuk ka para të mëdha për zhvatur, po aty vetëm duhet ndarë para të pakta nga buxheti i shtetit, të cilat as për së afërmi nuk i plotësojnë kërkesat shpirtërore të popullit të varfër kosovar. "Sipas meje, ky është edhe një nga shkaqet kryesore përse e kemi situatën e tillë në sferën e kulturës në Kosovë", ka thënë ai për "Kosova Sot".

"Shumë prej ligjeve nuk kanë qenë në dobi të komunitetit krijues, janë shkelur shumë kritere tek autorët dhe atyre fushave të kulturës. Kujtoj se duhet të merret një udhëzim administrativ juridik nga Qeveria dhe të bëhen ligjet mbi punën e natyrës së organizatës punëdhënëse dhe specifikat e saj", ka pohuar shkrimtari Ismet Tahiraj

Ndërsa shkrimtari Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se vendit i duhen ligjet e zbatueshme dhe përkushtimi i institucioneve që ato të mos mbeten vetëm në letër. Sipas tij, nuk duhet kopjuar kohët e shkuara, kur ligjet e kulturës shkeleshin dhe dëmtonin shumë veprimtaritë kulturore. 

(Kosova Sot)

23 orë e 0 minuta më parë
13/12/18