Rreth librit “ILIR KONUSHEFCI-SIMBOL I BASHKIMIT DHE I TRIMIT DARDAN” të Prof.Dr. Mehdi Hysenit

  • G.G /
  • 11 April 2022 - 15:14
Rreth librit “ILIR KONUSHEFCI-SIMBOL I BASHKIMIT DHE I TRIMIT DARDAN” të Prof.Dr. Mehdi Hysenit

Prof.Dr. Koço DANAJ

PARATHËNIE

Rreth librit “ILIR KONUSHEFCI-SIMBOL I BASHKIMIT DHE I TRIMIT DARDAN” të Prof.Dr. Mehdi Hysenit

Pasi mbarova së lexuari librin e akademikut dhe mikut tim Mehdi Hyseni, para se të shkruaja këtë parathënie nuk munda të mos mendoja: Është një libër i një lloji të ri-leksikon monografik, i dokumentuar me fakte dhe me fotografi apo është një libër i veçantë. Në këtë libër pleksen në mënyrë të natyrshme rrëfimet e anëtarëve të familjes së Ilir Konushefcit, të bashkëluftëtarëve, të bashkideologëve, të bashkëmendimtarëve dhe të bashkithtarëve lidhur me gamën e veprimtarisë së tij të guximshme dhe këmbëngulëse luftarake si themelues dhe si organzator i shquar i UÇK-së.

Merita e veçantë e Mehdi Hysenit në këtë libër filozofik, politik, patriotik, individual është harmonizimi i të gjithë këtyre nocioneve dhe, për këtë arsye në këtë libër e gjen dhe, duhet të gjejë veten e tij çdo shqiptar në emigrim apo në mëmëdhe, i vendosur deri në fund të jetë një “Ilir Konushefc” apo i dyzuar nga kënaqësitë e jetës personale.

Prandaj, ky është një libër për të gjithë shqiptarët. Në këtë libër secili do të gjejë diçka nga e djeshmja e tij, nga e sotmja e tij, por shumëçka edhe nga e ardhmja e tij në raport me atë nocion që quhet Atdhe ose Shqipëri Natyrale Etnike.

Ndërthurja e shkëlqyer që autori u ka bërë ideve të Konushefcit me doktrinën e Bashkimit Kombëtar, është një meritë e tjetër e librit. UÇK-ja ishte, është dhe, do të mbetet një nga epokat më dritëdhënëse, jo thjesht nga heroizmi i pjestarëve të saj, jo thjesht nga Epopeja e Jasharëve etj. etj., por për më shumë se kaq. Do të mbetet e pavdekshme për nga idetë e saj. Ide të cilat Betimi i Luftëtarit të UÇK-së i çonte deri në Bashkimin Kombëtar.

Është një meritë e veçantë e autorit që, idetë e tij mbi bashkimin kombëtar janë të zhveshura nga çdo lloj shovinizmi, nacionalizmi apo përbuzjeje ndaj fqinjëve. Përkundër Platformës shoviniste të Ilija Garashaninit apo Janis Koletis, idetë që përcjell autori janë racionale, të drejta, realiste, demokratike, janë paqësore, duhet mbështetur nga opinioni demokratik kombëtar dhe ndërkombëtar .

Mbasi e mbaron së lexuari librin, çdo shqiptar vihet përballë disa pikëpyetjeve që qëndrojnë në “qafën e politikës botërorë”.

Ja disa mësime të çmuara të këtij libri të llojit të veçantë-homazh kushtuar heroit Ilir Konushefci

Shqiptarët kanë të drejtën të pohojnë se paqja reale në rajonin e Ballkanit, stabiliteti real dhe jo ai i karakterit të protektoratit, do të vendosen duke riparuar padrejtësinë ndaj shqiptarëve. Prandaj, edhe ky libër është një ofertë për paqe, stabilitet, progres dhe mirëqenie që u ofrohet fqinjëve të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Përgjatë një shekulli shqiptarët kanë derdhur aq shumë gjak sa do të mund të ishin bashkuar 5 herë. Epopeja e fundit quhet UÇK. Tani, shqiptarët kanë zgjedhur rrugën e paqes, të demokracisë dhe të dialogut. Të mos e pranosh këtë ofertë paqeje, stabiliteti dhe progresi, do të thotë se mendon të kundërtën dhe se përgatitesh për të kundërtën. Do të thotë se në vend të Pëllumbave të Paqes, preferon akoma shigjetat e Luftës.

Shqiptarët janë duke formuluar një Kod të Ri Etik në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, një kod të ri politik, që do të thotë se, para se të jesh pjesëtar i kësaj apo i asaj partie politike, je shqiptar. Një Kod të Ri Fqinjësor, duke mos lejuar më përbuzjen apo racizmin ndaj askujt.

Shprehja aq e përhapur:-“Oh sa mirë me qenë shqiptar”! -Nuk është romantizëm apo folklorizëm, por një ofshamë gjëmëmadhe, një kundërvënie dhe, një mbrojtje ndaj dhunimit të qenies nacionale dhe të paqes nga dikush apo nga disa fqinjë dhe segmente fqinjësh.

Shqipëria Etnike është një Nocion progresiv civilizues evropian. Ndërsa bashkimi i shqiptarëve është një garanci për stabilitetin e vetë Evropës ku bën pjesë.

Drejtësia ndaj shqiptarëve është e vonuar, por ajo nuk duhet të jetë e cunguar si deri më sot

Mirëpo, “nëse përsëritën gabimet dhe padrejtësia e dikurshme ndaj shqiptarëve, sot apo nesër, atëherë nuk mund të thuhet se është fjala për gabim, por për moralin e atij, që e bën këtë gabim”. (Akademik Mark Krasniqi, “Kosova Sot”, 1992:37).

Për shembull: Disa thonë se kombi shqiptar nuk ka nevojë të bashkohet, por duhet të ndjekë shembullin e Gjermanisë, të Zvicrës dhe të Austrisë. Është një tezë kundërhistorike dhe kundërshqiptare. Është kundërhistorike, sepse kur në vitin 1291, përfaqësuesit e kantoneve të Urit, të Shëycit dhe të Untervaldenit vendosën themelimin e Konfederatës Helvetike, në Gjermani jetonin akoma fise gjermane, por pa shtet. Kur Austria në vitin 1815, pas disfatës së Napoleonit u bë kreyqendra e Koncertit të Vienës, duke u dhënë tonin për gati një shekull marrëdhënieve ndërkombëtare, Gjermania akoma nuk ishte e bashkuar. Ndërsa më 28 Nëntor 1912, ata politikanë shqiptarë që u mblodhën në Vlorë, ishin jo vetëm nga gjithë hapësira e kombit shqiptar, por edhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë Etnike në kufijtë e saj natyrorë, që shtrihej në 4 Vilajetet e atëhershme otomane.

Por, modeli që na ofrohet, është edhe kundërshqiptar. Mbledhja famëkeqe e Ambasadorëve të Londrës e vitit 1913 i copëtoi shqiptarët në 5 pjesë mbi bazën e logjikës koloniale, duke shpërblyer me territore shqiptare shtetet fqinje, që u konsideruan fitimtarë të dy luftërave ballkanike apo që kishin mbështetjen e kësaj apo asaj Fuqie të Madhe.

Por, a ka një model evropian që duhet të ndiqet edhe për kombin shqiptar? -Ka, dhe është shumë i freskët. Dhe, ky është shembulli gjerman. Gjermania në vitin 1945 u nda në katër pjesë dhe më vonë në dy pjesë për të kënaqur fitmtarët e Luftës së Dytë Botërore. Pas 45 vitesh, kjo padrejtësi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky është shembulli që vlen edhe për kombin shqiptar. Përndryshe, kemi të drejtë të pohojmë se përballë kombeve dhe çështjeve të tyre kombëtare, bashkësia ndërkombëtare aplikon dy standarde. Segmente të ndryshme të BE-së shprehen se në rastin e Gjermanisë kjo ndodhi pasi Gjermania Perëndimore e kishte sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar. Po edhe shqiptarët e kanë të sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar, madje në Preambulën e saj. Dhe, pasi këtë Kushtetutë e miratuan shqiptarët, e konsideruan të drejtë edhe juristët e nderuar të Komisionit të Venecias, edhe ekspertët e NATO-s.

Na thonë se tani, që po shuhen kufijtë, nuk ka nevojë të bashkohen shqiptarët. Shuarja e kufijve, nuk e ezauron bashkimin e shqiptarëve, përkundër e shtron si imperativ të dorës së parë. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i njerëzve, aq më shumë lind nevoja e forcimit të shteteve në territoret e të cilave ndodh ky qarkullim. Dhe, kjo për të garantuar cilësinë e këtij qarkullimi të lirë dhe për të parandaluar kaosin e rrëmujën. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i ideve nga një vend në tjetrin, aq më shumë forcohen identitetet kombëtare të vendeve të ndryshme. E, kjo për arsyen e thjeshtë se, qarkullimi i lirë i ideve nuk do të thotë shuarjen e identiteteve nacionale, por përkundrazi forcimin e tyre. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i mallrave, aq më shumë po bëhen përpjekje për forcimin dhe për përkrahjen e asaj që quhet sipërmarrje kombëtare.

Globalizëm nuk do të thotë kaos, por qytetërim, rregull, diversitet identitetesh nacionale, që japin e marrin me njëri-tjetrin, pa u tjetërsuar njëri nga tjetri. Njerëzit lëvizin të lirë në gjithë Evropën, por trojet mbeten aty ku janë, shtetet aty ku janë, kombet aty ku janë. Nuk ka shuarje kombesh, por emancipim dhe civilizim të tyre. Dhe elementi i parë i civilizmit të një kombi është e drejta e tij për t`u bashkuar. Nga ky rregull universal nuk kanë pse të bëjnë përjashtim shqiptarët, edhe në shekullin XXI.

Ky libër i autorit është një shëmbull i shkëqlyer se si duhet shkruar historia, për më tepër ajo kombëtare.

Deri më sot shumica e historisë shqiptare është shkruar nga shovinizmi fqinj, prandaj edhe është e shtrembëruar e falsifikuar. Ndërkaq, libri që po i jepet lexuesit është shkruar nga një mendimtar i shquar shqiptar pa më të voglin denigrim për fqinjët. Por vetëm me një qëllim. -Dinjitet reciprok, respekt reciprok, por secili në shtëpinë e tij.

Ja një shembull për lexuesin. Mbledhja famëkeqe e Londrës 1912-1913. Takimet e ambasadorëve të 5 fuqive të mëdha, të Italisë, të Francës, të Gjermanisë, të Austro-Hungarisë, të Rusisë nën drejtimin e ministrit të Jashtëm britanik Edward Grey, nuk përbën bazën e mjaftueshme për të qënë një konferencë. Për më tepër, nuk përbëjnë bazën për të qënë një konferencë zyrtare. Cilat janë argumentet në favor të tezës së lartpërmëndur:

1-I pari, të cilin e pohon vetëdrejtuesi i mbledhjes ish-ministri i Jashtëm britanik Grey në Kujtimet e tij. Ja pohimi i tij lidhur me këtë çështje: “.......Ne ishim gjashtë: Lichnoësky, Mensdorff dhe Imperiali, përkatësisht ambasadorët e Gjermanisë, të Austrisë dhe të Italisë; Cambon dhe Benckendorff, ambasadorët e Francës dhe të Rusisë, dhe unë për Britaninë e Madhe. Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm t’i thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një Komitet Miqsh, ashtu siç edhe ishim. Ne mblidheshim pasdite, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri në gusht 1913, por ne mblidheshim vetëm kur e kërkonin rrethanat dhe raportet e miqësisë që ne kishim, nuk i pengonim debatet të vazhdonin në afat të papërcaktuar në mënyrën më të bezdisshme...”. ( Edward Grey, “Memoires”, Payot, 1927, f. 248).

2-Në këto takime që zgjaten 6 muaj, territoret shqiptare u pëdorën për t’i qetësuar dhe kënaqur palët ndërluftuese, që ishin fqinjët e Shqipërisë. Vetë Grey e pranon një gjë të tillë. Ai pohon në Kujtimet e tij se: “.... Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte të kishte dalje në Adriatik, dhe, kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi dëshironin t’i merrnin disa rajone të Shqipërisë, duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës.....”. (Po aty, Edward Grey, f. 246).

Për të kënaqur Greqinë, krahina shqiptare e Çamërisë iu aneksua asaj, megjithëse shumica dërrmuese e popullsisë ishte shqiptare. Sipas Memorandumit të qeverisë shqiptare të Vlorës në vitin 1913, “ në Çamëri jetonin 75 mijë shqiptarë nga të cilët 18 mijë sish të greqizuar, të cilët ishin vendosur në kazanë e Reshadijes (Igumenicës); 16 mijë shqiptarë në kazanë e Margëllicit; 25 mijë shqiptarë; në kazanë e Filatit; 20 mijë shqiptarë në kazanë e Paramithisë; 13 mijë shqiptarë në kazanë e Luros 100 për qind shqiptarë…..”. (Memorandumi i Qeverisë së Vlorës, drejtuar Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, firmosur nga Mehmet Konica, Rashih Dino dhe Filip Noga).

Për të kënaqur Serbinë, krahina shqiptare e Kosovës me mbi 90 për qind popullësi shqiptare iu dha Serbisë.

Vetë Grey e pohon një gjë të tillë, duke folur me përbuzje për trojet shqiptare. Në Kujtimet e tij ai pranon se “....ne nuk mund të bënim luftë për disa fshatra si Gjakova....”. (Po aty, Edward Grey, f. 249).

Përkundër kësaj fryme me të cilën ka qenë ushqyer edhe opinioni publik i rajonit të Ballkanit, por edhe ai botëror, autori Mehdi Hyseni sjell një libër me peshë objektive dhe realiste për drejtësinë, për humanizmin, për paqen dhe për Shqipërinë Etnike Natyrale, për Ilir Konushefcin dhe për UÇK-në, por pa urrejtje për fqinjët.

Prandaj, ky libër fillon të të futë në mendime të thella, edhe pasi ta kesh mbaruar së lexuari.

Pra, në një kuptim, ky libër fillon edhe në faqen e fundit të tij.

Tiranë, më 31 janar 2021 Prof. Dr. Koço Danaj

(Instituti i Prognozave Politike Rajonale, Tiranë)

(Kosova Sot Online)