‘Lëvizja’ e Albin Kurtit pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese është vendnumërim

‘Lëvizja’ e Albin Kurtit pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese është vendnumërim
‘Lëvizja’ e Albin Kurtit pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese është vendnumërim

Florim Zeqa

  • 05 July 2025 - 09:05

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Në momentin që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e thotë se ka më shumë fuqi politike në Kuvend sesa dy partitë e mëdha opozitare, me automatizëm e merr përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë së Re të Kosovës.

 

-E vërteta është se për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përgjegjësia është e të gjithëve njësoj. Megjithatë, Albin Kurti po e shmang përgjegjësinë për dështimin në konstituimin e Kuvendit, duke e shpërndarë atë te "të gjithë", edhe pse si kryetar i LVV-së ai ka mandatin dhe fuqinë politike për të udhëhequr procesin e formimit të institucioneve të reja shtetërore.

Edhe pse Albin Kurti e pranon që mungon konsensusi, ai po këmbëngul që të procedohet me kandidaturën e Haxhiut, duke ditur që nuk ka mbështetjen e 61 votave!

Me mungesën e bashkëpunimit, po e dëshiron me çdo kusht dështimin e opozitës së çakorduar dhe dërgimin e vendit në zgjedhje.

Kjo është taktikë e Albin Kurtit për përfitim në kohë, për mospërballje me faktorin e jashtëm dhe moszbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare lidhur me Asociacionin.

“Opsionet e kompromisit” të ofruara nga Albin Kurti sinqerisht nuk janë të tilla, por janë përpjekje për të vendosur opozitën para aktit të kryer dhe për ta vendosur përgjegjësinë mbi ta në rast të dështimit të konstituimit të Kuvendit!

Një lojë dualiste e Albin Kurtit e ka vënë në lajthitje edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila është duke e pritur me padurim formimin e institucioneve shtetërore dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Prolongimi dhe ikja nga problemet e grumbulluara, jo vetëm që nuk paraqesin zgjidhje, por e rrezikojnë procesin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në nismat rajonale dhe transatlantike.

“Lëvizja” e Albin Kurtit pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese është vendnumërim. Edhe pas takimeve me Presidenten nuk ka bashkëpunim, mirëbesim, konsensus dhe kompromis mes subjekteve parlamentare!

Albin Kurti me 48 deputetë në Kuvend, me paaftësinë e tij politike për nxjerrjen e Parlamentit nga ngërçi artificial, përveçse paraqet papjekuri politike, paraqet edhe mungesë lidershipi, e mbi të gjitha mungesë dashurie për shtetin dhe abuzim me votën e lirë të qytetarëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".