Krijimtari e bujshme me vlera artistike dhe historike e shkrimtarit Shefki Përvetica

  • 17 May 2024 - 10:49
Krijimtari e bujshme me vlera artistike dhe historike e shkrimtarit Shefki Përvetica

Shkruan: Zymer Mehani

Autori Shefki përvetica u lind më 1 shkurt 1966 në fshatin Popovë, ku edhe e filloi shkollimin fillor, për ta vazhduar në Podujevë. Aty e kreu edhe shkollën e mesme, drejtimi Teknik i Bujqësisë. Pastaj regjistrohet dhe i vazhdon studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Me krijime letrare filloi të merrej qysh si nxënës i shkollës së mesme.

Sot, ky shkrimtar i talentuar shkruan tregime të shkurtra poezi dhe kryesisht e kultivon prozën (romanin).

Ka botuar këta libra: “Eja, Pranverë” (poezi), Prishtinë, 2018; “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” (monografi për SHKAA “Rinia” të Podujevës), Prishtinë, 2019; “Historia në kornizë” (tregime), Prishtinë, 2019; “Dora e pajtimit”, (roman), Prishtinë, 2019; “Nusja e mërgatës” (roman), Prishtinë, 2020; “Trandje zemrash” (roman); Prishtinë, 2020, “Agimi i një stine” (roman), Prishtinë, 2022

“Eja, Pranverë,” (poezi), Prishtinë 2018

Përmbledhja me poezi “Eja, Pranverë!” e poetit, Shefki Përvetica, është e ndarë në tri cikle: 1.”Dy fjalë vendlindjes”, 2.”Kurrë nënshtrim asnjë armiku” dhe 3.”Dhembje dhe krenari”.
Në ciklin e parë, tani në moshën e pjekurisë, poeti i rikthehet moshës fëmijërore dhe rinore, kujtimeve të përjetuara në natyrën e fshatit, në botën idilike, ku përshkruan me shumë lirizëm krojet e vendlindjes, stanin e kecërit, lëndinën e malin etj, dhe na e paraqet panoramën e dëlirë të natyrës së fshatit.

Te poezitë e këtij cikli dominon motivi i fshatit.

Te cikli “Kurrë nënshtrim asnjë armiku”, mbizotëron motivi i atdhedashurisë, i qëndresës dhe i sakrificës që bëri ndër shekuj populli ynë për liri, për të cilën kurrë s’u ndal së luftuari, duke derdhur shumë gjak dhe duke u flijuar ndër breza.

Poeti na e rikujton porosinë e rilindësve shqiptarë se “atdheu, (është) mbi të gjitha” prej nga vjen edhe detyrimi që kemi ndaj kësaj porosie. Amaneti pra doemos duhet të çohet në vend. Dhe, vërtet për ta çuar në vend këtë porosi, u flijuan shumë bij e bija të kombit tonë, siç ishte edhe vashëza e re nga Llapi ilirik, Ylfete Humolli.

Për lirinë e atdheut ranë edhe shumë dëshmorë të kombit, siç janë: Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Bedri Ahmeti, Fahri Fazliu dhe shumë të tjerë, që janë simbol lirie dhe vetë liria jonë. Falë gjakut të tyre, sot ne në atdheun tonë jemi të lirë.

Në ciklin “Dhembje dhe krenari” poeti, Shefki Përvetica, me mjeshtëri prej artisti do t’na i vizatojë portretet e disa figurave kombëtare, siç është edhe ajo e mësuesit dhe e atdhetarit, Shaban Shala.
Nëpër vargje të këtij cikli poetik do të ndeshemi edhe me figura luftëtarësh  tjerë të lirisë, siç janë Agim Ramadani, Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, të cilët nën flamur të Skënderbeut s’u ndalën dot së luftuari për çlirim të truallit amtar.

Pra, në këto vargje na del tejet i qartë qëllimi i luftës për çlirim dhe betimi që u bë në Flamurin kuqezi nga luftëtarët kombëtarë, për ta vazhduar luftën deri në çlirimin përfundimtar, që falë sakrificës dhe gjakut të tyre, edhe u arrit.

Figura e NËNËS dhe e MOTRËS në vargjet e  poetit Shefki Përvetica

Në përmbledhjen poetike “Eja Pranverë”, poeti Shefki Përvetica, me mjeshtri artistike ka arritur t’i skalisë në varg figurat e NËNËS dhe të MOTRËS.

Në poezinë “Vaji i nënës”, takohemi me figurën e nënës, që përmban në vetvete karakteristika dhe tipare të nënës shqiptare. Kjo nënë, përmes dashurisë ndaj djemve të saj, thellë në zemër e ruan edhe dashurinë ndaj luftëtarëve për çlirim të atdheut (Kosovës), sepse, edhe i mëkoi me gjirin e saj, duke u kënduar ninullat me motive atdhedashurie, e kështu i brumosi dhe i rriti me atdhedashuri. Në këto vargje ne e shohim nënën e bijve më të denjë të kombit tonë, nënën e Jusufit e të Bardhoshit, të fortë sikur shkëmb graniti edhe në çastet më të rënda, kur e merr vesh rënien e bijve.
Se sa e fuqishme është dashuria dhe qëndresa e këtyre nënave mësojmë, kur ato e marrin lajmin për vrasjen e djemve të tyre. Ato prapë mbesin të forta, qëndrestare dhe sypatrembura. P.sh, në vargjet në vazhdim, nëna e Jusufit dhe e Bardhoshit, në çastet kur e kupton rënien e bijve të saj, nuk u drejtohet bijve të saj, por, i drejtohet shokut të idealit të djemve të saj, Kadri Zekës:

Jo, Kadri, s’t’harron Kosova,

Bir i nënës, dritë e syrit


Ky është qëndrimi i nënës kosovare. Ajo është nënë e të gjithë bijve dhe bijave që luftojnë për lirinë e atdheut. Sa madhështore është shpirti i kësaj nëne. Tamam si në legjenda, mu sikur në epikë. Kjo nënë, pra, me kohë e kishte kuptuar se rruga deri te liria është me ferra e driza dhe, se deri tek ai diell, nuk arrihet dot pa viktima.

Nuk do të harrojmë kurrë se portreti i nënës shqiptare është shfaqur jo vetëm njëherë nëpër vargjet e poetit Përvetica. Kështu me figurën shumë të dashur të nënës ne do të takohemi edhe në poezitë “Nënëlokja”, “Nëna shqiptare”, “Nënë Tereza”, “Ora e dhembjes”, “Nënës shqiptare” etj., ku kjo figurë gjithnjë na del madhështore, e dhimbshme, por plot krenari dhe qëndrestare, e plagosur në zemër, por çdoherë e paepur.

Veç figurës së nënës, një figurë tjetër po kaq e dashur, por edhe e dhimbshme, është edhe figura e motrës, të cilën do ta gjejmë, sidomos në dy poezitë me nota elegjiake të vëllimit “Eja, Pranverë!”.
Është krejt e vërtetë se në këtë botë njeriu sprovohet. Shpesh duhet ta pimë edhe kupën e hidhërimit, edhe pse s’na pëlqen. E gotë shumë e hidhur është edhe ndarja nga kjo botë dhe prej nesh e më të dashurve tanë.

Në poezinë tjetër, të titulluar “Veç edhe një herë”, poeti tregon se ka shumë mall për ta parë edhe njëherë motrën dhe assesi nuk do që të bindet se ajo ka ndërruar jetë. Nga dhembja e madhe që ndien, poeti sikur rebelohet deri në urrjejte ndaj kësaj bote.

 

“Dromca kulturore në një kohë të përflakur” (monografi për SHKAA “Rinia” të Podujevës), Prishtinë, 2019;

Libri: “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” (monografi për Shoqërinë Kulturore-Artistike Amatore “Rinia” të Podujevës) i autorit Shefki Përvetica është i konceptuar në formë kujtimesh kronologjike me një shtrirje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë karakteristika të përgjithshme për qytetin dhe për Komunën e Podujevës, siç janë: shtrirja gjeografike, numri i banorëve, emërtimi etj. etj., dhe të dhëna të ndryshme për tërë trevën e Llapit që nga lashtësia e gjer më sot. Kjo monografi pastaj vazhdon me një historik për kryengritjet e llapianëve kundër forcave pushtuese 500-vjeçare turke, duke vazhduar me Kryengritjet  e Llapit të viteve 1910 dhe 1912, të cilat dëshmojnë se qysh më 1910 disa pjesë të Llapit çlirohen nga Perandoria Otomane para se të shpallej Pavarësia e Shqipërisë.

Autori Shefki Përvetica në vazhdim, hollësisht do të shkruajë për organizimin e jetës kulturore në Podujevë gjatë viteve ’90 të shek. XX dhe për aktivitetet e SHKAA “Rinia”. Ai është shërbyer me kujtimet e tij, ngase asokohe (1992-93) ishte inicues për formimin e kësaj shoqërie dhe njëherësh edhe përgjegjës artistik i saj. Kjo pjesë, ku flitet për SHKAA “Rinia” është edhe kaptina bosht e tërë këtij libri, për shkrimin e të cilit z. Përvetica është shërbyer me literaturë të mjaftueshme. Ai ka përdorur me sukses edhe materiale të ndryshme, si fotografi, artikuj të botuar në shtypin tonë ditor, lista të anëtarëve të kësaj shoqërie, të grupit të recitatorëve etj. për të qenë sa më i saktë  në temat që i trajton dhe ngjarjet e kohën që i përshkruan në librin e tij.

Si përfundim, mund të themi se libri “Dromca kulturore në një kohë të përflakur” i Shefki Përveticës ka një rëndësi të veçantë për historinë më të re të Llapit, pasi që e pasuron atë me detaje dhe ngjarje, edhe kulturore, edhe të përgjithshme, që u zhvilluan në periudhën më të lavdishme të kombit tonë, pra në epokën e refuzimit edhe kulturor, edhe human, edhe kombëtar të një regjimi antishqiptar, që e kishte instaluar Serbia në 100-vjetëshin e fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës, që u dëbua turpësisht njëherë e përgjithmonë me luftën e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Meqë kanë ikur shumë vite, autorit eventualisht mund t’i ketë shpëtuar ndonjë ngjarje apo ndonjë person pa e përmendur në këtë libër, për çka, ne në emër të tij kërkojmë falje.

 

“Historia në kornizë” (tregime), Prishtinë, 2019

Autori Shefki Përvetica librin me tregime e fillon me tregimin “Vetëm edhe një herë”, dedikim për nënën. Heronjtë e tregimeve të tij janë të zhytur në vorbullën e jetës, që me shumë mund e sakrifica jetojnë e veprojnë sipas zakoneve dhe traditave tona shqiptare duke u sfiduar me andralla dhe peripeti që ua sjell jeta. Natyrisht, për autorin Përvetica që të shkruajë tregime që kanë të bëjnë pak a shumë edhe me traditat tona kombëtare, kjo nuk është kurrfarë vështirësie, ngase ai është njohës shumë i mirë i dokeve dhe zakoneve të popullit tonë.

Nuk është vështirë të konstatojmë se në këtë vëllim me tregime të autorit Shefki Përvetica janë inkorporuar një mori tregimesh, kryesisht të shkurtra. Në çdo vend e në çfarëdo situate ku qëndrojnë personazhet e këtyre tregimeve, kanë ndodhur ngjarje, ku mbretëron fryma optimiste dhe e arsyes. Prandaj bota tregimtare e autorit Përvetica është një tablo që ripikturohet me penelin e minagjinatës dhe reales. Autori mendon për lexuesit, edhe atëherë kur tregimi i tij me të gjitha elementet është krejtësisht aktual, por edhe atëherë kur tregimet ndërlidhen me vazhdimësinë nga e kaluara jonë.

Është fakt se proza e autorit Shefki Përvetica zakonisht është e ndrydhur në gjuhë dhe fjalia e tij nuk ka gjerësi, d.m.th., autori na del si kursimtar i fjalëve, e një kursim i këtillë gjuhësor është pjesë e çmueshme e stilit dhe e poetikës së tij krijuese. Por, kemi përshtypjen dhe na mban shpresa se këto tregime të z. Përvetica janë një paralajmërim i mirë për ndonjë libër të ardhshëm, për përshkrime edhe më të gjata (novelë, e pse jo edhe roman). Do të jetë me interes leximi edhe i asaj proze, sepse poetika e orientimit të Përveticës përballon përshkrime edhe më të mëdha.

Shefki Përvetica është mjeshtër i fjalës së shkruar artistike, ngase ai di ta zhvillojë kompozicionin dhe ta organizojë fabulën, si dhe ta drejtojë materialin e tij letrar, pikërisht ashtu siç e kërkon urdhri teoriko-letrar i krijimtarisë artistike. Prandaj, ky autor, secilin personazh e vë në vendin e vet. Këtë virtyt të autorit e theksojmë, sepse nuk na pëlqen proza e stërmbushur me personazhe të ndryshëm, që paraqiten e për të cilët nuk e dimë as pse janë, as çka duhet të bëjnë.

Shkrimtari Shefki Përvetica pra, di ta ndërtojë thurjen dhe shthurjen, duke mos e harruar gjatë këtij procesi krijues as artin e të rrëfyerit, gjë që shumë krijues të tregimit të shkurtër shpesh e harrojnë. Ai është liruar nga eksperimentet dhe kësisoji i ka tejkaluar hapat e gabueshëm që mund të jenë të rrezikshëm për shkatërrim të tregimit.

Shefki Përvetica me çdo kusht u përmbahet elementeve të tregimit, ku është shumë e rëndësishme fabula, ngase autori përmes saj lexuesit i ofron një ngjarje të thurur kujdesshëm. Por, ndonjëherë lexuesit edhe mund t’i pengojë shkurtësia e ca tregimeve të Përveticës, që përfundojnë aq shpejt, sa s’arrijmë dot as ta përcjellim thurjen. Por, edhe në këto raste, shkrimtari na prin në një rrugë me zigzage e labirinthe spiralore me plot befasi. Pikërisht një koncizitet i tillë i tregimit të shkurtër të z. Përvetica, është rrumbullakësuar mirë, prandaj ka edhe efekt më të madh si vlerë letrare.

Për fund të themi se autori Shefki Përvetica na ka dhuruar edhe kësaj here një libër interesant me tregime të shkurtra, në këtë kohë tejet dinamike me probleme të mëdha.

“Dora e pajtimit”, (roman), Prishtinë, 2019

Temë bosht e interesit romanor në romanin “Dora e pajtimit” të autorit Shefki Përvetica është konflikti për tokën, gjakmarrja e hakmarrja si shkaqe të mundshme, por edhe falja e pajtimi si akte burrërie. Autori insiston në fisnikërinë e ndërmarrjes për pajtim të gjaqeve në fshatra e qytete të Kosovës, por edhe më gjerë duke vënë në pah madhështinë e vetëmohimit individual, por edhe shoqëror për të mirën e përgjithshme, duke i lartësuar kësofare organizimet e rinisë dhe të njerëzve vullnetmirë për falje, pajtim e miqësi deri në nivel të vlerave njerëzore që meritojnë të shkruhen me shkronja të arta dhe të mbahen mend brez pas brezi, ngase prore ngjallin krenari për ne dhe brezat e ardhshëm.

Për autorin Shefki Përvetica Aksioni për Pajtim të Gjaqeve është një gurrë frymëzimi, sepse ishte një veprimtari e gjerë, në rend të parë humane e pastaj edhe shoqërore e kombëtare. Për karvanin e pajtimtarëve të gjaqeve që i printe prof. Anton Çetta (Plaku Flokëbardhë) mburrje prore do të ishte falja, pajtimi, shtrirja e dorës, ndërsa qyqarllëk do të mbeteshin gjithnjë hakmarrja e gjakmarrja.

Edhe në romanin “Dora e pajtimit” në vrull të aksionit për pajtim do të hidheshin edhe djem e vajza të familjeve që ishin në ngatërresë (Shpendi e Shpresona), që zakonin e hakmarrjes e të gjakmarrjes e shikojnë me përbuzje dhe assesi s’duan që t’i ndahen rinisë përparimtare, as urtisë e besës së burrave dhe as këshillave të mësuesve dhe profesorëve mendjendritur.

Si prozator, Shefki Përvetica ka shkruar me optimizëm mbi frutet e vullnetit të mirë kudo ku ndihet frymëmarrja e jetës, mbi përparimtaren, mbi forcën e edukimit të drejtë dhe të shëndoshë të brezit të ri, mbi efektin e shembullit të mirë. Nga ky këndvështrim ai ka krijuar protagonistë dhe heronj të njëmendtë (Ademi, Aliu), të cilët mbi të gjitha, janë të arsyeshëm dhe të matur në hapat vendimtarë, të disiplinuar e të formuar, punëtorë e humanë. Këta janë boshti i mendimeve dhe veprimeve, gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe interesimit të autorit, ngase janë edhe bartës të porosive të tij dhe forcë motorike e vullnetit me frymë optimiste përgjithësisht.

 

Në Aksionin për Pajtim të Gjaqeve qenë përfshirë të rinj e të moshuar duke filluar nga Prishtina, Drenica, Ortakolli, Shala, Llapi, Gollaku, Dukagjini, Hasi, Pashtriku, Anamorava e Nerodimja. Në secilin vend ku shkoi vargani i krushqve pajtimtarë, do të shëroheshin ato plagë që i kishte shkaktuar gjakmarrja dhe hakmarrja me vite e dekada në trupin e kombit tonë.

Vetë autori Përvetica jetoi tmerrin e kohës, por edhe përjetoi shpirtërisht anomalitë dhe veset, ashtu siç është edhe hakmarrja, si dukuri e shëmtuar që s’i shkon për shtati kombit shqiptar. Po të mos kishte përjetuar, autori s’do të mund të shkruante për këtë temë, sepse shkrimtari i vërtetë duhet t’i përjetojë gjërat, për të cilat shkruan, e i tillë është shkrimtari Shefki Përvetica, ngase edhe ai jetoi në Kosovën e dhunës dekada me radhë, u rrit e u burrërua në Kosovën e tmerrit. Jetoi këtu edhe kur u kryen helmime masive ndaj nxënësve shqiptarë në çerdhe e shkolla, kur u bënë vrasje, persekutime, burgosje dhe kur çnjerëzohej gjithçka që ishte shqiptare nga okupatori shekullor serbosllav. Pra, shkrimtari i mirëfilltë përjeton, prandaj edhe shkruan.

5. 

Nusja e mërgatës” (roman), Prishtinë, 2020

Kryepersonazhi i romanit, Donjeta, një vajzë e re nga Rrafshi i Kosovës, udhëton për në Gjermani për t’u martuar. Ajo, sipas autorit Përvetica, ishte një vajzë e re e moshës rreth 20 vjeçe, të cilën na e paraqet të buzëqeshur dhe të hareshme nga pamja, me flokët ngjyrë gështenje të lëshuara mbi supe, që të jepte të kuptosh se ishte një person jo i mbyllur. Vullneti për jetën ishte në vrull tek ajo. Po ashtu ishte komunikative edhe me të tjerët.

Donjeta, gjysmën e familjes e kishte të vrarë në luftën e fundit të Kosovës. Ajo i kishte të zhdukur nënën, një motër, axhën dhe disa kushërinj. Pra gjithsej nëntë persona. Për nënën dhe motrën, edhe pas njëzet vjetësh, ajo dëgjon lloj-lloj historish se si u ka ndodhur. Atyre, sipas rrëfimit të vajzës, as sot, pas kaq vitesh s’u gjendet asnjë gjurmë e nishan.

Donjetën, nëna e kishte lindur në kohë të luftës, në male, sepse familjen e saj dhe shumë të afërm të tjerë, paramilitarët i kishin përzënë nga shtëpitë e veta. Djepi i saj, siç shprehet ajo vetë, ishin duart e nënës, në ato çaste të jashtëzakonshme. Dhe kalvari i vuajtjeve të saj vazhdon për të mos përfunduar asnjëherë, kur rinisi prapë një ofanzivë tjetër, kur këtë vajzë e paskësh marrë në duar gjyshja e saj!…

Për t’i ikur ndonjë të papriture, familja e saj qenka ndarë në dysh! Në ato çaste, Donjeta ngelet në duar të gjyshes, siç i kanë treguar më vonë, ndërsa nëna e saj, me fëmijët e tjerë kishte shkuar në një tjetër drejtim. Dhe autori Përvetica thotë se që nga ai çast, kurrë më buzët e vajzës nuk u njomën me qumshtin e gjirit të nënës së saj, me aromën e trupit të saj dhe me ngrohtësinë që askush nuk mund të ta dhurojë përveç nënës.

Se mërgimtarët shqiptarë posedojnë virtyte dhe të mira, që i kanë sjellë nga vendlindja, këtë fakt nuk mund ta mohojë askush. E tillë ishte familja e Demës, që në Kosovë kishte mbetur pa punë nga masat e dhunshme të okupatorit serb. Ai si rrugë të vetme për t’u përballuar vështirësive politiko-ekonomike e kishte zgjedhur pa vullnet rrugën e mërgimit. I biri, Malësori ishte lindur në Kosovë, ndërsa Durimi ishte lindur në Gjermani.

Me virtyte njerëzore ishin prindërit e Durimit, Dema dhe Zoja, por edhe vetë djali i tyre, i cili i mbeti besnik dashurisë për Donjetën, me të cilën ishte i fejuar. Ajo kish kaluar mijëra kilometra për t’u bashkuar me djalin mërgimtar. Dema të birin e kishte edukuar në frymë të shëndoshë të traditave shqiptare.

Jeta na ka mësuar t’i shikojmë të dy anët e medaljes, sepse, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, ende ka anomali tek shqiptarët, kur bëhet fjalë për martesën. Pra, ende ekziston fenomeni i të ashtuquajturave martesa të aranzhuara, ku të tjerët zgjedhin dhe propozojnë kandidatë për t’u martuar. Fatkeqësisht ky fenomen tek ne, ende është realitet, sidomos te mërgimtarët.

Vajzat tona, shpeshherë detyroheshin për t’u martuar me ndonjë person që nuk e kanë njohur, të cilin ia kanë zgjedhur të tjerët. Në këtë rrafsh tematik, autori Shefki Pëvetica, në faqet e romanit ka treguar për atë çka u ka ndodhur shumë femrave, që ishin të fejuara dhe donin të martoheshin në Gjermani. Këto prishje fejeshash autori i ilustron më së miri nëpërmjet personazheve të romanit, Norës dhe Fatonit, fejesa e të cilëve qe prishur për shkak të lakmisë së paarsyeshme të djalit, e që pas një kohe jo shumë të gjatë, fotoja e Norës në kornizë “u përshkua me shirit të zi në cepin e djathë.” Pra, fatkeqëshisht, për pasojë të këtyre prishjeve, fat të keq patën edhe shumë vazja shqiptare, ngase ato të fejuarve s’u pëlqenin, ose ata kishin gjetur ndonjë tjetër “zemër” për ta dashuruar.

Të gjitha këto vityte dhe anomali lidhur me fejesat dhe martesat e vajzave tona në Gjermani e përbëjnë temën që shtjellohet në faqet e romanit të autorit Përvetica.

 “Trandje zemrash” (roman); Prishtinë, 2020.

Romani “Trandje zemrash” i shkrimtarit,  Shefki Përvetica është i shkruar me një përpikëri letrare, sepse atë e karakterizon qartësia narrative, si dimension thelbësor, ku përshkrimet janë të realizuara me detaje. Përgjatë gjithë rrëfimit, autori lexuesin e fut në labirinte magjike, duke e shëtitur me imagjinatën e tij të pasur nëpër kohë e vende të ndryshme dhe duke e njohur me persona, kryesisht të një familjeje shqiptare të Kosovës. Lexuesi, lundron thellë në ujërat e fantazisë, ballafaqohet me andralla  të jetës së prindërve,  babës Xhemë e nënës Zarë, që djemtë e tyre, Limanin e Skënderin i kanë në kurbet.

Veç tjerash, në roman lexuesi ndesh pasuse të pasura letrare, ku autori përshkruan mjeshtërisht ndikimin e madh të plagëve të kurbetit edhe në formësim (Limani) a në deformim (Skënderi) të karakterit të njeriut. Ai përshkruan edhe hallet dhe telashet e tyre që i kanë çuar në vend të huaj.

Jeta në kurbet është e rëndë, askush me dëshirë nuk është larguar nga vendlindja e vet. Shkrimtari i trajton me shkathtësi artistike tipologjitë e njeriut, të ambientit tonë (shqiptar), por edhe të ambientit të huaj (gjerman), atë që është vazhdues i traditës dhe atë, që mund të jetë verbuar nga paraja dhe teket.

Personazhet e romanit “Trandje zemrash”, pra, janë  pjesëtarë të një familjeje fshatare, që jetojnë me djersën e vet. Baca Xhemë me të shqen Zarën, tani në vitet e tyre të pleqërisë, vend për të pushar dhe për t’u ngushëlluar do ta kenë atë cung të bungut, në skaj të oborrit dhe hijen nën qershi, në kopshtin e tyre. “ Prej aty, edhe derës së hymjes ia shihte, madje edhe dorezën, kur e hapte mysafiri dhe hynte brenda; nga aty numëronte edhe krerët e bagëtisë, kur në mbrëmje i kthenin djemtë nga kullosa; nga ai vend, vetëm pakëz i kthyer në të majtë, i përgjigjej zërit të të shoqes, që e thërriste për të ngrënë bukë. Edhe mysafirët kur vinin, shikimet i drejtonin më tepër te vendi ku qëndronte i ulur baca Xhemë, sesa nga dera e odës, ku ai i priste bujarisht ata”.

Edhe këta, si shumë prindër të tjerë do të ballafaqohen me vështirësitë dhe ndryshimet që i sjell jeta. Veç tjerash, Xhema e Zara do të vuajnë edhe për faktin se djemtë e tyre, Limani e Skënderi, në vend se të kontribuojnë dhe të punojnë këtu në atdhe, ata detyrohen të marrin udhët e kurbetit, duke lënë bashkëshorte e fëmijë.

Nëse njeriu ka shkuar në kurbet për hallet dhe telashet e veta, a duhet ta humbë edhe veten e tij, a duhet të harrojë se kush është dhe pse ka mërguar, a duhet ta harrojë identitetin e tij?! Janë këto pyetje dhe çështje që i shtron hapur autori i romanit për dukuritë që hasen dhe i shohim te shumica e bijve dhe bijave tona që jetojnë në kurbet. Autori me të drejtë frikësohet  se mos është ky fillimi i tjetërsimit të tyre, fillimi i tëhuajësimit të tyre. Ai shpreh dilemën se mos njerëzit tanë kanë filluar të treten dhe t’i humbin të gjitha vetitë dhe tiparet që duhet t’i kenë.

Ta kujtojmë figurën e Skënderit, që shkrimtari e ka ravijëzuar në detaje. Ai sikur u nënshtrohet tekave të tij dhe për një kohë e humb arsyen, edhe pse ka kush i flet dhe e këshillon (vëlla Limani). Ai për një kohë do të harrojë përse ka marrë rrugën e kurbetit. Po ashtu do t’i harrojë prindërit e tij, madje edhe gruan e vet, Hanën dhe dy fëmijët e vegjël, Dritanin e Diellzën. Rreziku për t’u përmbysur në greminën e dështimit për të është tejet i madh.

Shpeshherë Skënderit do t’i flasë vëlla Limani. Ai, duke e vërejtur atë se ka devijuar nga rruga e drejtë, do t’ia kujtojë pse janë në kurbet dhe se nuk duhet ta harrojnë familjen, prindërit e fëmijët, duke mbajtur lidhjet me ta.

Limani kërkon nga Skënderi që të jetë i vetëdijshëm se mbi supet e të dyve tanimë po binte barra  për kujdesin ndaj prindërve, ndaj fëmijëve të tyre dhe se janë të parët ata që do duhet të japin llogari për ta, andaj duhet të përvjelin krahët dhe të fillojnë angazhimin e tyre për të punuar dhe kontribuuar për vete dhe për familjen e tyre e të mos shkojnë kurrë në lokalet, që mund të shndërrohen në vend të bixhozit dhe të shfrenimit, që me automatizëm mund të sjellin hidhërimin, zënkat dhe dëshpërimin.

Njeriu çdo herë ka nevojë për ushqim dhe gjallërim. Këtë gjallërim e gjen në punë, vetëm në punë, e cila njeriut i jep jetë dhe ia ndriçon rrugën, duke i dhënë edhe stabilitet shpirtëror për t’i kaluar sa më lehtë streset e jetës. Këto janë këshillat e Limanit edhe për vetveten, edhe për vëlla Skënderin. Ai do t’i thotë atij se zemrat e tyre do të qetësohen vetëm nëse e dinë pse janë në kurbet, për të punuar e për të siguruar fitime me djersë e ndershmërisht, me sjellje të mira, ngase sjellja e njeriut është ajo që i bie në sy gjithkujt, është pika e parë e takimit dhe i le mbresat më të mëdha tek njerëzit. Për këtë arsye njeriu me sjelljen e tij duhet lënë përshtypje të mira, sidomos kur jeton dhe vepron në mesin e huaj.

Të gjitha këto pikëpamje për jetën, të gjitha këto fjalë e këshilla të Limanit janë dorë zgjatur e tij për të vëllanë, Skënderin, të cilin e shpëtoi nga përmbysja në greminë.

Personazhe tjera janë edhe Mani me të shoqen, Sofijen dhe vajzën, Valbonën.

Mani është i biri Xhemës dhe i Zarës, që merret me punët e shtëpisë dhe përkujdeset për prindërit. Sofija është një grua me karakter të fortë, punëtore dhe krah i fortë i të shoqit në çdo situatë. Valbona  është vajza e tyre, i vetmi fëmijë, pas trembëdhjetë vjetësh martesë. Ajo është një vajzë e sjellshme, e dëgjueshme dhe e kujdesshme, sidomos ndaj gjyshit e gjyshes.

Edhe Kumria është një personazh, që do të mbetet në kujtesë të lexuesit. Ajo ndonëse është martuar me Limanin kaherë (9 vjet martesë), tek tani, kur mërgoi në vend të huaj, do t’i shijonte frytet e asaj martese, ngase do të bëhej nënë.

Hana me fëmijët, Dritanin e Diellzën janë personazhe simpatikë. Është Hana që do të përjetojë drithërim zemre, ngase i shoqi i saj, Skënderi në momente të caktuara, në vend të ngrohtësisë, asaj do t’i dhurojë ftohtësi ndoshta deri në zhgënjim.

“Atij po i mungonte dashuria për gruan dhe ngrohtësia bashkëshortore. Përqafimet, ledhatimet, fjalët e ngrohta Hana nuk po i dëgjonte dhe as po i shijonte nga i shoqi. Ah, sa ndihej e thyer shpirtërisht ajo në këto çaste. Ç’t’i thoshte të shoqit? Prapë i dhimbsej që të zbrasej në të me akuza e fjalosje. Këtë s’e shihte të udhës për ta bërë as këtë herë ndaj tij. Ajo në këto çaste i donte përkëdheljet e Skënderit, përqafimet e tij, e jo kacafytjet e zënkat, as fjalët që ia vrisnin shpirtin. Këto të fundit asaj i dukeshin pa vend.”

Shpesh Hana mendonte edhe për më të keqen:

 “Mua po më dhimbsen këta dy fëmijë të vegjël, se do t’ia kisha lënë këpucët te dera Skënderit tem, pa u mendue dy herë. Po ma djegin zemrën këta fëmijë, që nuk kanë faj, se atij zotnisë do t’ia kisha thënë të gjitha në sy menjëherë, një nga një. Sa për një burrë, dynjaja nuk është në të sosur. Burra gjen, po çka me iu bë fjalëve mbasandej!? “Çka pat? Si e lëshoi burri?”, do të thonë menjëherë; “Pse u nda Hana e i la gjithë ata fëmijë si rrezja e dritës? Uh, mos kofsha n’lëkurën e saj, se kurrë s’do të kisha mund t’i lë ashtu” etj. etj. Këto do të ishin fjalë, që s’do t’ishte lehtë për t’i duruar…”

Jeta ka dy anët e medaljes, gëzimet e hidhërimet. Kontrast i madh: Kumria e Limani gëzimin e tyre se do të bëhen prindër duan ta ndajnë edhe me familjarët e tjerë, sidomos me babë Xhemën, por, ja që ligjet e jetës janë të tilla. Atë lajm të shumëpritur, Xhema i ndjerë s’do ta dëgjonte kurrë.

Kjo është jeta, që nganjëherë di të na befasojë! 

“Agimi i një stine” (roman); Prishtinë, 2022.

Bardhi është kryepersonazh i romanit “Agimi i një stine” të shkrimtarit Shefki Përvetica, nëpërmjet pikëvështrimit të të cilit mbarështrohet ngjarja e veprës, theksohen andrallat dhe priten përfundimet. Ai është një hero i idealizuar që mëdyshjet dhe dhembjet e veta do t’i mbajë gjithnjë nën kontroll të arsyeshmërisë.

Nëpërmjet këtij personazhi (kryepersonazhi) shkrimtari ia ka dalë me sukses ta ndërtojë individualitetin e njeriut me karakter të fortë, i gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e atdheut.

S’do mend se romani “Agimi i një stine” është i zhanrit të romanit historik, që për temë bosht e ka heroizmin e bijave dhe bijve të pupullit tonë, të rreshtuara në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qëndresa dhe lufta e tyre kundër pushtuesit shekullor gjatë viteve 1998-1999.

(Kosova Sot Online )