
Shpat Deda publikon 'Hajde n’Ballon (Live EP)'

Këngëtari dhe kantautori Shpat Deda ka publikuar projektin e tij më të ri “Hajde n’Ballon (Live EP)”, një Live EP Album nën zhanrin neo-soul i xhiruar më 19 qershor 2025 në hapësirat e Defy Them në Prishtinë. Ky projekt shënon një arritje kulmore të krijimtarisë muzikore në Kosovë dhe Shqipëri, duke sjellë një qasje të re në prezantimin e muzikës live, dhe në mënyrën se si ndërtohet një performancë e regjistruar me audio dhe video të nivelit ndërkombëtar.
“Hajde n’Ballon (Live EP)” përfshin pesë këngë të interpretuara live, ku katër prej tyre janë kompozime origjinale të prezantuara për herë të parë, ndërsa kënga “Ke Kujdes” është një ri-përpunim i këngës me të njëjtin emër nga grupi ikonik “Blla Blla Blla…” Ky koncert përbën bazën e albumit të katërt me muzikë origjinale të Shpat Dedës dhe është nje evolucion i tingullit të tij që sjell rrymën neo soul në krijimtarinë vendore, i cili u realizua me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës. Materiali është krijuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe të hapur me muzikantët e skenës kosovare Nesim Maxhuni, Fatlind Ferati, Jeton Dolaku dhe Art Lokaj, ku procesi i krijimit ka qenë një bashkëbisedë muzikore në mes të të gjithë muzikantëve pjesëmarrës, dhe ku këngët janë krijuar përmes provave të shpeshta dhe përmes ‘jam sessions’. Maxhuni në veçanti, krahas performansës kulminante në tupana, ishte edhe shtyllë e zhvillimit muzikor të këtij albumi dhe u bë bashkë me Shpatin në sajë të bashkëpunimit të tyre të gjatë dhe të dashurisë që të dy e kanë për muzikën Neo Soul.
Një nga momentet më kulmore të këtij projekti është pjesëmarrja e jazz trumpetistit katalanas me bazë në Paris, Raynald Colom - një nga emrat më të njohur të jazz-it bashkëkohor evropian, i cili ka performuar në skena ndërkombëtare dhe ka bashkëpunuar me artistë me nam global si Manu Chao. Pjesëmarrja e tij në “Hajde n’Ballon (Live EP)” i jep projektit një dimension të veçantë artistik, duke krijuar një urë mes skenës alternative të Prishtinës dhe botës së jazz-it evropian, ndërsa kontakti me të u krijua gjatë performancës së Raynald Colom në Prishtina Jazz Festival 2024.
Albumi gjithashtu është publikuar edhe në të gjitha platformat digjitale muzikore (Spotify, Apple Music, Deezer).
(Kosova Sot Online)