Arsimimi për politikë dhe përulësia në besim, janë kusht për një shoqëri të shëndoshë

Arsimimi për politikë dhe përulësia në besim, janë kusht për një shoqëri të shëndoshë
Arsimimi për politikë dhe përulësia në besim, janë kusht për një shoqëri të shëndoshë

Zef Prenka

  • 12 March 2026 - 12:11

Shkruan: Zef Prenka

Shoqëritë shpesh vuajnë jo vetëm nga mungesa e pasurisë materiale, por edhe nga mungesa e dijes dhe përgjegjësisë në politikë dhe në fe. Kur politika bëhet pa përgatitje dhe kur feja përdoret për shfaqje, pasojat i paguan populli. Prandaj një nga thirrjet më të rëndësishme për shoqërinë është: arsimohuni për politikë dhe përuluni në besim.

Së pari, politika nuk është thjesht një mjet për pushtet, por një përgjegjësi e madhe ndaj jetës së përbashkët. Kur në politikë hyjnë njerëz pa njohuri, pa vizion dhe pa ndjenjë përgjegjësie, vendimet e tyre mund të prodhojnë trauma për shoqërinë. Një qeverisje e gabuar e bën jetën e përditshme të qytetarëve të padurueshme: rritet pasiguria, thellohet padrejtësia dhe shpresa për të ardhmen zbehet. Prandaj politika duhet të ndërtohet mbi dije, etikë dhe përgjegjësi publike. Populli nuk ka nevojë për aventurierë politikë, por për njerëz të përgatitur që e kuptojnë se pushteti është shërbim dhe jo privilegj.

Së dyti, etja për para dhe përfitime personale shpesh e deformon politikën. Historia ka treguar se shumë politikanë e shohin pushtetin si mundësi për t’u pasuruar. Por pasuria e fituar pa moral nuk sjell as qetësi e as nder. Njeriu mund të grumbullojë shumë para, por në fund ato nuk mund t’i “gëlltisë”. Ato mbesin simbol i një lakmie që e varfëron shpirtin dhe e dëmton shoqërinë. Prandaj politikanët duhet të mësojnë të jenë të matur dhe të drejtë, sepse shërbimi publik kërkon integritet e jo grykësi.

Së treti, shpesh nënvlerësohen punët e ndershme, ndërsa mbivlerësohen pozitat që japin pushtet apo dukje. Në të vërtetë, nuk ka asgjë të turpshme në një punë të ndershme, qoftë edhe nëse është një punë e thjeshtë si pastrimi. Turp nuk është puna, por pretendimi për role që nuk i zotëron. Është më e ulët të merresh me politikë pa e kuptuar atë, sesa të bësh një punë të ndershme me përulësi. Po ashtu është problem kur njerëzit flasin për fe pa e jetuar atë në mënyrë të sinqertë. Besimi i vërtetë është përulësi, reflektim dhe përmirësim personal, jo reklamë apo mjet për ndikim shoqëror.

Në këtë kontekst duhet pasur kujdes edhe nga dy rreziqe të mëdha: “djajtë e politikës” dhe “djajtë e fesë”. Këta janë individë që përdorin politikën ose fenë për manipulim, për përçarje dhe për përfitime personale. Ata nuk punojnë për të mirën e njerëzimit, por për pushtetin e tyre. Pikërisht këta janë ndër armiqtë më të rrezikshëm të shoqërisë, sepse shfrytëzojnë besimin dhe shpresën e njerëzve.Në një shoqëri demokratike, as pozita dhe as opozita nuk duhet të shihen si armiq. Roli i tyre është të shtyjnë njëra-tjetrën drejt ideve më të mira dhe projekteve që zhvillojnë shtetin. Kur përplasja politike bëhet vetëm për pushtet apo për interesa personale, atëherë humbet kuptimi i demokracisë dhe dëmtohet e ardhmja e vendit.

Megjithatë, kthimi në rrugën e duhur nuk është i pamundur. Përkundrazi, është më i lehtë se sa duket. Mjafton sinqeriteti dhe korrektësia: sinqeritet në qëllime dhe korrektësi në veprime. Kur politika udhëhiqet nga ndershmëria dhe kur besimi praktikohet me përulësi, shoqëria fiton stabilitet, drejtësi dhe shpresë.Në fund të fundit, një shoqëri e shëndoshë ndërtohet kur politika bëhet me dije dhe përgjegjësi, ndërsa feja jetohen me përulësi dhe sinqeritet. Vetëm kështu mund të shmangen traumat shoqërore dhe jeta e përbashkët të bëhet më e drejtë dhe më e durueshme për të gjithë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".