Përshendetje i nderuar

  • 12 January 2026 - 01:06
Përshendetje i nderuar

Përshendetje i nderuar, uroj të jeni mirë dhe të gjeni kohë të përgjigjeni lidhur me këtë temë...

1. A mund të arrihet shumica prej 80 votash për të zgjedhur një president të ri, duke marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve në Kuvend?


2. A ka ndonjë mundësi që presidentja Osmani të mund të arrijë një marrëveshje me partitë e tjera për të siguruar një mandat të dytë, apo përpjekjet për të marrë një shumicë të gjerë mund të bëhen të pamundura për shkak të ndarjeve politike të thella?


3. Çfarë mund të ndodhë nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri në afatin përfundimtar të marsit 2026? A mund të çojë kjo në zgjedhje të parakohshme, dhe si mund të ndikojë kjo në stabilitetin politik të Kosovës?

 

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të cilës i përfundon mandati në pranverë të vitit 2026, ka shprehur hapur synimet edhe për një mandat tjetër.

Ajo ka deklaruar se nëse partitë nuk e bëjnë sërish presidente atëherë do t’u dalë përballë në zgjedhje.

“Në fund të fundit është në vullnetin e deputetëve, që vendosin nëse do të më përkrahin apo jo, dhe po e them përsëri, në qoftë se vendosin që po, do të vazhdojmë me punë të mira për vendin, mbrojtje të interesave të qytetarëve, në qoftë se vendosin që jo, atëherë unë e vazhdoj punën në një mënyrë tjetër, nëpërmjet angazhimit politik dhe kurdo që të ketë zgjedhje, atëherë i përballim idetë, nocionet, qëndrimet, energjinë besa e shumëçka tjetër. Por qëllimi im është që të vazhdojë të jem e angazhuar politikisht dhe ta ndihmoj Republikën e Kosovës që të ecë përpara“, tha Osmani.

 

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026. Sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  ka thënë se e kanë parë deklarimin e presidentes por së pari janë tre hapa përpara, që është formimi i Kuvendit dhe Qeverisë, si dhe miratimi i buxhetit dhe se nuk mund të flitet për hapin e katër pa kaluar ata tre.

Kurti ka thënë se është e rëndësishme që të ulen me presidenten Osmani dhe të diskutojnë të gjitha gjërat, pasi kanë 61 vota por jo 80, gjë që po ndikon edhe në kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Në bazë të rezultatit preliminar të KQZ-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.11% ose 486,994 vota. Pas saj, është Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka 20.19% ose 192,407 vota. E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.23% ose 126,102 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50% ose 52,370 vota.

Në bazë të këtij rezultati, LVV do t’i ketë 57 deputetë, PDK 22 deputetë, LDK 15 deputetë, AAK 6 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.