Presidenca në dorën e PDK-së: Zgjidhje për krizën apo krizë e re?

Presidenca në dorën e PDK-së: Zgjidhje për krizën apo krizë e re?
Presidenca në dorën e PDK-së: Zgjidhje për krizën apo krizë e re?

Fadil Maloku

  • 03 March 2026 - 14:54

Shkruan Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

Shikuar nga perspektiva e sociologjisë së veprimit, një top discipline bashkëkohore, propozimi që  Partia Demokratike e Kosovës, i ka bërë Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me “pronësimin” e postit të Presidentit, në pamje të parë lë pak përshtypje të një “oferte” fer politike e shumë më shumë të një instrumenti negociues. Haptas duket që PDK-ja, si partia më e madhe opozitare, përmes këtij Propozimi synim dhe ambicie që duhet ta ketë çdo opozitë për qëllim të rritjes së peshës e kapitalit të vetë ndikues në sferën e pushtetit, e ka zëvendësimin e perceptimit që u “prodhua” gjatë sagës së ngërçit si “aktor bllokues” me atë të “aktorit zgjidhës”, por, në ndërkohë edhe të “dërgojë” porosinë e një subjekti të gatshëm për kompromise.

Ky pozicionim, në pamje të parë, duket korrekt si ofertë ashtu edhe si zgjidhje, pasi i mundëson subjektit propozues t’i shmanget si fajësimit ashtu edhe bllokimit eventual të procesit. Megjithatë, në planin sociologjik, për gjykimin tim, propozimi ndonëse pretendon të prodhojë kapital moral e publik, duke e paraqitur veten si më “shtetformuese” dhe duke e vendosur LVV-në nën presion normativ mbetet padyshim i ngarkuar me areolën e qartë partiake. Kjo për faktin se ai vështirë mund të perceptohet, në optikën e standardit kushtetues, si një kandidaturë autentikisht unifikuese dhe mbi-partiake.

Megjithatë, në rast se një kandidaturë e tillë, e propozuar nga PDK-ja, do të konfirmohej edhe nga LVV-ja, gjë që duket pak e mundshme, ajo potencialisht do të ashpërsonte raportet mes ekzekutivit dhe opozitës, duke rrezikuar ta shndërrojë institucionin e presidencës në një arenë konfrontimesh të vazhdueshme dhe në një hapësirë potenciale rivalitetesh të reja për hegjemoni në një skenë politike tashmë të brishtë që aktualisht mbizotëron në Kosovë. Një zhvillim i tillë, pra, do të kishte gjasa të kufizuara për të prodhuar stabilitet dhe siguri afatgjatë. Për këtë arsye, ky post kërkon jo vetëm kapacitet kontrolli dhe menaxhimi balancues, por edhe funksionimin si një valvul stabiliteti për shtetin dhe vendin, në këto momente do të thosha edhe historike.

Në këtë kontekst, nuk duhet neglizhuar as rëndësia e pajtimit të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët tradicionalisht favorizojnë figura konsensuale nga pozita dhe opozita. Një kandidaturë potencialisht e kontestuar prej tyre mund të prodhojë dyshime të bazuara për qëndrueshmërinë institucionale dhe stabilitetin e nevojshëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".