Kureshtje për 'parajsën' sovjetike

  • A.P /
  • 06 February 2026 - 14:34
Kureshtje  për 'parajsën' sovjetike

Nga Eshref Ymeri

Në vitin 2025, Shtëpia Botuese zvicerane “Sandermoen Publishing” hodhi në qarkullim librin me titull “The Soviet Union through the eyes of witnesses” (Bashkimi Sovjetik me sytë e dëshmitarëve). Nw parathwnie thuhet:

Ky libër nuk ka autor, por aty ka një mori zërash, të cilët rrëfejnë historitë e veta, ndajnë me njëri-tjetrin kujtimet e tyre, dhe, e përbashkëta në të gjitha këto rrëfime, është e vërteta për Bashkimin Sovjetik në dhjetëvjeçarët e fundit të ekzistencës së vet, e cila përcillet për lexuesit nga njerëz që qenë rritur në Bashkimin Sovjetik, që kanë qenë të njohur me atë epokë jo me të dëgjuar. Pra, në këtë mes kemi të bëjmë me një të vërtetë që pasqyrohet jo me syze bojërozë, përmes së cilave është bërë e modës të shikohet e kaluara nga periudha passovjetike, nga Rusia e ditëve tona dhe të shprehet nostalgjia për Bashkimin Sovjetik.

Libri hapet me citatin e specialistes së krijimtarisë së poetit Aleksandër Bllok (1880-1921) dhe të historisë së simbolizmit rus, Zara Minc (1927-1990). doktore e shkencave filologjike, profesore e Tartu University (Estoni):

“Ja cila është njëra nga detyrat themelore të çdo njeriu të kulturuar: të mos lejojë të zhduket ajo pjesë e historisë, dëshmitar i së cilës është ai dhe vetëm ai”.

Me fjalë të tjera, para lexuesit shpaloset një libër-dialog, një libër-mozaik, në të cilin janë pasqyruar mbresa nga jeta në Bashkimin Sovjetik, kur mungesa e produkteve ushqimore ishte shqetësimi kryesor i çdo qytetari. Ideja për krijimin e këtij libri pati lindur gjatë diskutimit me një grup qytetarësh në fb.

Mbresat e 75 qytetarëve sovjetikë, i ka regjistruar analistja Ludmilla Novikova, e cila është edhe hartuesja e këtij libri. Por këtu jemi mjaftuar me përkthimin e mbresave vetëm të disave prej tyre, meqenëse shqetësimet e përditshme të qytetarëve për mungesën e furnizimit me produkte të dorës së parë, janë të njëllojta.

Në vijim citohen disa anekdota nge jeta sovjetike dhe mandej vazhdojnë mbresat e qytetarëve:

Në Bashkimin Sovjetik nuk ka papunësi, por askush nuk punon.

Askush nuk punon, por planin të gjithë e realizojnë.

Planin të gjithë e realizojnë, por shitoret janë bosh.

Shitoret janë bosh, por tryezat janë plot.

Tryezat janë plot, por askush s’është i kënaqur.

Askush s’është i kënaqur, por ama të gjithë votojnë “pro”.

Tatjana Litvinova

Mesi viteve 1970. Unë jam nxënëse, jetoj në Pjatigorsk. E mbaj mend si tani. Pjesën dërrmuese të fëmijërisë sonë sovjetike e kemi kaluar bashkë me prindërit, duke mbajtur radhë para shitoreve të produkteve ushqimore. Fëmija, për një sërë arsyesh, ishte e domosdoshme të zinte radhë. Së-pari, në qoftë se ndonjë produkt ushqimor ishte i pamjaftueshëm dhe, papritur, dilte në shitje, si, fjala vjen, gjalpi, lajmi përcillej gojë më gojë në mbarë rajonin dhe para shitores njerëzit rreshtoheshin në një radhë të gjatë. Duke mbajtur radhën, njerëzit mundoheshin të blenin sa më shumë, për të mbushur frigoriferët, për të mos zënë më radhë për njëfarë kohe. Dhe prandaj fëmijët ishin të domosdoshëm në radhë, për të ndihmuar prindërit në mbajtjen e torbave. Së-dyti, në një tjetër banak të shitores qëllonte që nxirrnin në shitje një tjetër produkt ushqimor, prandaj duhej zënë një tjetër radhë dhe fëmija përsëri duhej marrë me vete.

Anastasia Fjodorova

Novosibirsk. Gjysma e dytë e viteve 1980. Njerëzit kanë zënë radhë për produktet bazë. Isha 8-10 vjeçe. Prindërit më dërguan në shitore për të blerë një copë djathë dhe pak gjalpë.

Aleksej Llomakin

Moskë. Ishte mesi i viteve 1980. Një radhë para ushqimoreve e zinin vetë prindërit, në një tjetër radhë vendosnin fëmijët, të cilët ndiqnin me sy pindërit. Ja, pikërsht në një radhë të tillë, gjyshja ime pësoi infarkt.

Aleksandër Shepetkov

Perm. Në mëngjes mua më kishte vënë gjumi poshtë. Në orën 8 hapej bulmetorja. Radhë e gjatë njerëzish. Duhej ardhur herët. Prindërit kishin shkuar në punë. Motra e madhe - në shkollë. Në mbrëmje qumësht s’ke ku gjen.

Ana Jushkjeviç

Kiev. Viti 1961, dimër, janar, dëborë. Ora 5:30 e mëngjesit. Errësirë dhe acar. Dhe unë me mamanë nisemi për të blerë bukë në bodrum, në rrugën Iskrovskaja. Duhej të zinim radhë. Unë isha 6 ose 7 vjeçe. Dhe mamaja më mori me vete për të blerë dy bukë. Se asokohe të jepnin vetëm nga një bukë…

Anekdotë

Takohen socializmi, komunizmi dhe kapitalzmi. Dikush, papritur, kalon pranë me vrap dhe bërtet:

- Në shitoren matanë qoshes njerëzit kanë zënë radhë. Po shitet sallam.

Socializmi niset me vrap. Kapitalizmi pyet:

- Ç’do të thotë fjala radhë?

Ndërhyn me pyetje edhe komunizmi:

- Ç’do të thot fjala sallam?

Në Kongresin XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i cili i zhvilloi punimet prej 17 deri më 31 tetor 1961, Nikita Hrushovi pati deklaruar:

“Me afrimin e viti 1980, në Bashkimin Sovjetik do të ndërtohet komunizmi dhe brezi i sotëm do të jetojë në komunizëm”. Dhe propaganda sovjetike u binte teneqeve në të gjitha udhëkryqet e vendit, duke u shpjeguar qytetarëve ndryshimin mis parimit socialist dhe parimit komunist të jetesës: “në socializëm njerëzit jetojnë sipas parimit: secili sipas mundësive, secilit sipas punës. Kurse në komunizëm, si faza më e lartë e zhvillimit shoqëror, njerëzit do të jetojnë sipas parimit: secili sipas mundësive, secilit sipas nevojave”.

Se çfarë “komunizmi u ndërtua” në Bashkimin Sovjetik, u duk fare qartë në sytë e mbarë botës në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90 të shekullit që kaloi, kur ai mori tatëpjetën përfundimisht.

Frederik Kemp (Frederick Kempe - 1954), gazetar amerikan, komentator radioteleviziv, është autor i librit me titull “Berlin 1961: Kennedy, Khrushchev and the World’s Most Dangerous Place” (Berlin 1961. Kenedi, Hrushovi dhe vendi më i rrezikshëm në botë) ”, të botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2011. Në kreun e 7-të të atij libri, ai përshkruan takimin e ambasadorit amerikan në Bashkimin Sovjetik Tomson (Llewellyn Thompson - 1904-1972) me Hrushovin. Takimi qe zhvilluar në Siberi, në qytetin e Novosibirskut, më 09 mars 1961. Në atë takim, në të cilin biseda qe vërtitur rreth Berlinit dhe Gjermanisë Perëndimore, Hrushovi i pati deklaruar ambasadorit Tomson:

“… Bashkimi Sovjetik në vitin 1965 do t’ia kalojë Gjermanisë Perëndimore në prodhimin e mallrave për frymë të popullsisë, kurse pesë vjet më vonë do t’i lërë prapa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kjo ishte një deklaratë paradoksale e Hrushovit, për arsye se autori i librit, duke u ndalur në deklarata të tilla, të cilat Hrushovi i nxirrte si simitet nga furra poshtë e përpjetë nëpër Bashkimin Sovjetik, se, demek, do ta fituakej garën ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, citon edhe anekdotat që qarkullonin asokohe mes njerëzve sovjetikë. Aty ai përmend dy të tilla:

E para:

Pyetje: Çfarë kombësie kishin Adami dhe Eva?

Përgjigje: Ata ishin rusë.

Pyetje: Po pse jeni i këtij mendimi?

Përgjigje: Sepse vetëm rusët mund të vrapojnë zbathur dhe me prapanicën të zbuluar, pa një strehë ku të futin kokën, të hanë një mollë dy veta dhe të bërtasin se jetojnë në parajsë.

E dyta:

Presidenti Xhon Kenedi shkoi te Zoti dhe e pyeti:

- Më thuaj, o Zot, pas sa vjetësh populli im do të jetë i lumtur?

- Pas pesëdhjetë vjetësh, - iu gjegj Zoti.

Kenedi filloi të qante dhe u largua.

Presidenti De Gol shkoi te Zoti dhe e pyeti:

- Më thuaj, o Zot, pas sa vjetësh populli im do të jetë i lumtur?

- Pas njëqind vjetësh, - ia ktheu Zoti.

De Goli filloi të qante dhe u largua.

Hrushovi shkoi te Zoti dhe e pyeti:

- Më thuaj, o Zot, pas sa vjetësh populli im do të jetë i lumtur?

Zoti filloi të qante dhe u largua.

Më 04 korrik 1958, Nikita Hrushovi mbajti një fjalim para punëtorëve të uzinës “Kirov” në Leningrad. Aty, ai, midis të tjerave, deklaroi:

- Ne, shokë, së shpejti jo vetëm do t’ia arrijmë, por edhe do t’ia kalojmë Amerikës.

Ndërhyn një punëtor nga turma:

- Që t’ia arrijmë Amerikës, ne, Nikita Sergejeviç, jemi dakord. Vetëm se për t’ia kaluar nuk do të ishte e nevojshme.

- Po pse? - e pyeti Hrushovi.

- Sepse do të na shikojë prapanicën lakuriq!.

(Kosova Sot Online)