Britanikët kërkojnë pasaporta të shteteve të Bashkimit Evropian

  • 26 June 2016 - 19:58
Britanikët kërkojnë pasaporta të shteteve të Bashkimit Evropian

Vendimi i Britanisë së Madhe për t'u larguar nga Bashkimi Evropian ka iniciuar një rritje të madhe të kërkimeve në 'Google' të njerëzve që pyesin se si mund ta marrin pasaportën irlandeze. Trendët e makinës kërkuese 'Google' kanë treguar se si është rritur numri i kërkimeve në Britani të Madhe nga përdoruesit të cilët pyesin se si njerëzit mund të marrin pasaportë të BE-së në shtetet si puna e Irlandës ose si mund të zhvendosen për të jetuar në territorin britanik të Gjibraltarit, transmeton gazeta Kosova Sot.

Ministria e Punëve të Jashtme në Irlandë ka raportuar për një rritje të ndjeshme në numrin e kërkimeve nga njerëzit të cilët jetojnë në Britani të Madhe sa i përket mënyrës se si mund të merret pasaporta e Irlandës, duke i nxitur ata që ta publikojnë një udhëzues sa i përket mënyrës se si mund të merret pasaporta në uebfaqen e tyre. Ky udhëzues thuhet që është postuar me qëllim që rreth 430,000 irlandezët të cilët jetojnë në Angli, Skoci dhe Uells të informohen se si mund të marrin pasaportë të vendit të tyre. Udhëzuesi gjithashtu këshillon që njerëzit që jetojnë në Britani të Madhe e që janë fëmijë të prindërve të lindur në Irlandë mund të aplikojnë për shtetësi. Në disa raste madje edhe njerëzit, gjyshërit e të cilëve janë lindur në Irlandë, kanë të drejtë aplikimi.

Marrin pasaporta franceze

Në udhëzues, në mes tjerash, thuhet: "Mund të aplikoni për nënshtetësi irlandeze edhe nëse njëri prej prindërve tuaj ka pasur nënshtetësi irlandeze në kohën që jeni lindur ju, ndonëse nuk është lindur në Irlandë. Në të shumtën e rasteve aplikimet e tilla bëhen nëpërmjet gjyshit ose gjyshes, që është lindur në Irlandë". Edhe britanikët të cilët jetojnë në shtetet evropiane kanë filluar t'i shqyrtojnë mundësitë e marrjes së pasaportave të shteteve që janë pjesë e BE-së. Një përkthyes që jetojnë në Francë, që merret edhe me certifikimin e dokumenteve ligjore, ka thënë që brenda ditës së premte ka marrë shtatë aplikime për pasaporta franceze nga britanikët të cilët jetojnë në Francë. Charles Masters, nga Ridingu i Anglisë, që tani jeton në Francë, ka thënë: "Shumë njerëz e kanë menduar marrjen e pasaportës franceze si një gjë absurde, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar përnjëherësh". Britanikët, të cilët dëshirojnë të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza në BE, kanë mundësi tjera. Në Maltë, Qeveria ka kohë që ua shet pasaportat të huajve të pasur për 650,000 euro. Oferta të ngjashme, ndonëse më të shtrenjta, vijnë edhe nga shtete tjera.

(Kosova Sot)