Mustafa: Kosova nuk shfrytëzon sa duhet potencialet e ekonomisë digjitale (Foto)

  • 27 June 2016 - 13:13
Mustafa: Kosova nuk shfrytëzon sa duhet potencialet e ekonomisë digjitale (Foto)

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa mori pjesë në konferencën lansuese të “Strategjisë së Kosovës për Teknologji Informative”, gjatë të cilës vlerësoi punën e madhe që është bërë në këtë strategji. 

 Duke folur për faktin se si interneti po ndryshon formën e të bërit biznes, kryeministri tha se potencialet e ekonomisë digjitale nuk janë shfrytëzuar sa duhet në Kosovë.

 “Këto potenciale mund të kontribuojnë pa masë në rritjen ekonomike dhe sidomos në fushën e punësimit. Janë instrumente të jashtëzakonshme për rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe rrjedhimisht në të ardhmen nuk mund të paramendohet relacioni konkurrues, relacioni i inovacioneve, standardizimi, shkathtësitë punuese, pa ekonomi digjitale”, tha Mustafa.

 Ai tha se Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar të krijojë të gjitha mundësitë që të aplikohet revolucioni digjital, duke inkurajuar transformimin digjital të bizneseve ekzistuese dhe përkrahjen e më shumë bizneseve digjitale në vend.

 “Ne po ndërtojmë një ekonomi të re. Kemi një koncept të ri të zhvillimit ekonomik të bazuar në dije dhe karshi kësaj, aplikimi i teknologjisë informative do të jetë pjesë qenësore e kësaj strategjie dhe e këtij orientimi tonë të zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri Mustafa, duke falënderuar partnerët gjermanë dhe norvegjezë për mbështetjen e këtij projekti

(Kosova Sot)