Plagoset drejtori i Qendrës së Shëndetit mendor në Pejë
Në mëngjesin e sotëm është plagosur me armë zjarri drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Pejë, Skender Kandiq.
Plagosjen e konfirmoi mjeku kujdestar në Spitalin e Pejës, Bujar Idrizaj.
“E kam pranu një pacient rreth orës 7:00 i cili si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka marrë plagë në këmbë. Pacienti është jashtë rrezikut për jetë dhe pas tretmanit mjekësor është lëshuar në shtëpi,” tha mjeku Idrizaj.
I pyetur nga KALLXO.com se a bëhej fjalë për plagosjen e drejtorit Skender Kandiq, mjeku Idrizaj u përgjigj: “Po, po, ai është”.
Plagosjen e një personi në afërsi të Qendrës së Shëndetit Mendor e konfirmoi edhe Teki Syla, zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Pejë.
“Sot para orës 7:00 te Qendra e Shëndetit Mendor si pasojë shtënave me armë zjarri, një person është plagosur. Në konsultim me prokurorin e shtetit rasti është cilësuar vrasje në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm,” tha Syla.
Sipas policisë ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Në Pejë më 9 qershor vdiq pas plagëve të marra nga goditjet me thikë talenti i futbollit Idriz Berisha
(Kosova Sot)