Masakra në Munih, 3 kosovarë të vrarë në mesin e 9 viktimave

  • 24 July 2016 - 08:28
Masakra në Munih, 3 kosovarë të vrarë në mesin e 9 viktimave

Ende nuk dihet se çka mund ta ketë shtyrë adoleshentin deri në kryerjen e krimit

Policia ka thënë që shtatë nga nëntë viktimat kanë qenë adoleshentë dhe se kanë qenë pjesë moshës 13 deri në 45-vjeçare. Tri nga nëntë viktimat kanë qenë femra. Ndërsa, përveç tre kosovarëve, janë identifikuar edhe tre turq dhe një grek,raporton Gazeta Kosova Sot

Shtatë nga nëntë viktimat e masakrës në Munih të Gjermanisë kanë qenë adoleshentë. Tre prej tyre kosovarë. Në mesin e të vrarëve ka qenë edhe njëzetenjëvjeçari Dijamant Zabergja, i biri i një oficeri të policisë. Gjatë ditës së shtunë, babai i tij, Naimi, e ka vizituar vendin ku i është vrarë i biri për të vendosur lule, derisa në duar mbante fotografinë e birit të tij. Babai i tij paraprakisht e kishte konfirmuar që në mesin e të vdekurve ka qenë edhe Dijamanti, nëpërmjet një postimi në 'Facebook' ku kishte shkruar: "Me pikëllim të thellë ju njoftoj që djali im, Dijamant Zabergja, 21-vjeçar, është vrarë dje në Munih". Dijamanti ka qenë njëri nga viktimat të sulmit të kryer nga vrasësi iraniano-gjerman, Ali Sonboly, 18-vjeçar, që ka pasur probleme mendore dhe i tërbuar ishte hedhur në sulm me një pistoletë. Ai ka vrarë nëntë persona dhe ka plagosur të paktën 27 të tjerë, me shumë më shumë njerëz që kanë përjetuar traumë. Masakra ka filluar në 'McDonald's' në ora 16:50 kur Sonboly, që nuk dihet të ketë pasur lidhje me ISIS-in, ka dalë nga tualetet dhe ka bërtitur "Allahu Ekber" dhe ka hapur zjarr me pistoletë. Viktima e dytë e identifikuar gjatë ditës së shtunë ka qenë Armela Segashi, pas së cilës është identifikuar edhe Sabina Sulaj - që të dyja kosovare. 

Stonboly ka qenë në depresion Në një konferencë për shtyp, të organizuar në paraditen e së shtunës, policia ka thënë që shtatë nga nëntë viktimat kanë qenë adoleshentë dhe se viktimat kanë qenë pjesë moshës 13 deri në 45- vjeçare. Tri nga nëntë viktimat kanë qenë femra. Ndërsa, përveç tre kosovarëve, janë identifikuar edhe tre turq dhe një grek. Ministria turke e punëve të jashtme ka thënë që turqit, që e kanë humbur jetën në këtë masakër, quheshin Sevda Dag, Can Leyla dhe Selcuk Kilic. Policia ka bastisur apartamentin ku Sonboly jetonte me babanë e tij taksist dhe nënën e tij, e cila punonte në një supermarket në rrugën 'Dachauer' në qendër të Munihut, në ora 2:00 të mëngjesit të së shtunës. Blloku i apartamentit ku ka jetuar ai, i ngjyrosur me ngjyrë rozë, gjendet mbi një restorant afgan në një zonë të Munihut ku jetojnë shumë iranianë. Përbrenda dhomës së tij është gjetur një çantë shpine, brenda së cilës gjendej një libër i titulluar "Why Kids Kill" ("Pse Fëmijët Vrasin"). Në dhomë gjithashtu janë gjetur edhe dokumente të masakrave të mëhershme dhe thuhej se ai ka qenë i 'fiksuar' me adoleshentin gjerman, Tim Kretschmer, që kishte vrarë 15 shokë të klasës në vitin 2009. Është thënë që Stonboly ka qenë në depresion, derisa fqinjët e tij e kanë përshkruar si një 'të vetmuar'. Ai në videon që është realizuar gjatë kohës teksa ai po bënte kërdinë, Stonboly është dëgjuar duke thënë që ai është ngacmuar në shkollë për shtatë vjet me radhë. Në një hapësirë diskutimi në internet, një person anonim ka shkruar që e njihte Stonboly-n. Ai ka thënë se ata e kishin ngacmuar vazhdimisht dhe se ai kishte thënë se do të hakmerrej duke i vrarë. "Jam e tronditur, çka i ka ndodhur djalit? Vetëm Zoti e di se çka ka ndodhur", ka thënë Telfije Dalpi, një fqinje e tij nga Maqedonia. "Nuk e kam idenë se çka ka ndodhur, mirëpo ai ka qenë një njeri i mirë. Nuk e kam idenë nëse ka bërë ndonjë gjë të keqe, ndokund". Gjatë ditës së shtunë ka pasur prezencë të madhe të ushtrisë në rrugën që shtrihet në veri të qytetit të vjetër të Munihut. 

Ka qenë një djalosh i turpshëm Zëdhënësi i Policisë, Peter Beck, ka thënë që do të ekzaminojnë gjithçka si pjesë e hetimit të tyre, para se të shtonte që ende nuk dihet se çka mund ta ketë shtyrë adoleshentin deri në kryerjen e krimit. Besohet që Sonboly kishte hapur një llogari të rreme në 'Facebook' në emrin e një vajze adoleshente dhe i kishte nxitur fëmijët që të shkonin në 'McDonald's' atë pasdite, me premtimin se do t'u ofronte ushqim falas. Policia e ka vërtetuar gjithashtu që adoleshenti, para se të ndërmerrte hapa për kryerjen e krimit, ka hulumtuar për përpjekjet e mëhershme. Policia gjithashtu ka bërë të ditur që tetëmbëdhjetëvjeçari, që është shndërruar në njeriun më të urryer në Gjermani dhe përtej saj, është rritur në Munih dhe ka qenë ende duke u shkolluar me orar të plotë. Ata kanë shtuar që me gjasë ai ka qenë duke u trajtuar në psikiatri, pasi që ka shenja se ai është trajtuar për depresion. Postimi i bërë në 'Facebook', që i nxiste fëmijët që të shkonin në 'McDonald's' në ora 16:00, thoshte: "Do t'ju jap diçka, nëse dëshironi, mirëpo jo diçka të shtrenjtë". Përveç Kretschmer-it, Ali Sonboly ka qenë i fiksuar edhe me Anders Behring Breivik-un, fanatikun e ekstremit të djathtë, që në vitin 2011 kishte kryer masakrën e famshme në Norvegji. Ndonëse ende nuk dihen motivet e kësaj masakre, është pothuajse e qartë që vrasësi nuk ka pasur motive politike si dhe nuk ka pasur lidhje me grupin terrorist, Shteti Islamik. Në një adresim të shkurtër televiziv, të bërë gjatë ditës së shtunë, kancelarja gjermane Angela Merkel, u ka bërë thirrje autoriteteve që t'i zbardhin motivet prapa masakrës së kryer nga tetëmbëdhjetëvjeçari. Kancelarja më tutje ka thënë që Gjermania është në zi për ata që nuk do të mund të kthehen më tek familjet e tyre: "E bashkëndiejmë dhimbjen tuaj - mendojmë për ju dhe po vuajmë bashkë me ju", ka thënë ajo. Vrasjet e së premtes janë bërë edhe më vështirë të përballueshme, ka thënë kancelarja, për shkak të tmerreve që kanë ndodhur ditëve të fundit, duke filluar nga sulmi në Nisë të Francës për të vazhduar më pas me sulmet me sëpatë e thikë në një tren në Bavari. Stephan Baumanns, pronari i një furre dhe kafeneje nën apartamentin ku ka jetuar Sonboly, ka thënë: "E kam parë [Sonboly-n] shpesh duke kaluar këndej pari. Ai ka qenë një djalosh i turpshëm dhe i gjatë, rreth 1.90 metra. Ai dukej si një dembel. E ka pasur një punë, shpërndarjen e një gazete që shpërndahet falas - "Münchener Wochenblatt" - mirëpo, shpeshherë, në vend se t'i shpërndante gazetat, i hidhte në shportë mbeturinash". Kryetari i shtetit të Bavarisë, Horst Seehofer, është dukur tejet emocional teksa ka thënë që ishte hera e dytë në gjashtë ditë që ai duhej të mbante fjalim për një sulm terrorist. Ai e ka falënderuar të gjithë botën për mesazhet dhe mbështetjen që i është dhënë vendit të tij, para se të insistonte: "Ne duhet të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë me vlerat tona". 

Halitaj: Nuk mendoja për veten, por si t'i mbroja djemtë Shqiptari nga Kosova ka rrëfyer për tmerrin që ka përjetuar një ditë më parë, kur vrasësi me nacionalitet të dyfishtë gjermano-iranian, kreu sulm terrorist në masë, në Munih të Gjermanisë. Blerim Halitaj, nga Zabergja e Klinës, në çastin kritik ka qenë bashkë me dy fëmijët e tij përballë vrasësit - në një distancë jo më të largët se 20 metra. Halitaj tregon se bashkë me qytetarë të tjerë ka qenë duke pritur në semafor, për të kaluar në anën tjetër të rrugës, kur kishte parë njerëz duke kërcyer nga dritaret e 'McDonalds'-it."Kur e kam parë vrasësin në anën tjetër të rrugës, duke e nxjerr revolen, atëherë i kam futur nën sqetulla dy djemtë dhe jam kthyer me vrap për të hyrë në qendrën tregtare 'Olimpia'. Nuk besoja se do të mund të mbërrija të futesha brenda. Nuk mendoja për veten, por si t'i mbroja djemtë. Vrasësi gjuante në drejtim të masës që ikte dhe çdo krismë kisha bindjen se po merrte jetë. Mirëpo, nuk mund ta ktheja kokën prapa. Nën krisma jam futur brenda qendrës tregtare dhe kam vrapuar deri në daljen tjetër të saj, ku edhe e kam kaluar rrugën. Atëherë kemi hyrë me shpejtësi në një shtëpi që ishte byro private, gjithmonë nën britmat e të ikurve. Njerëzit nuk dinin se çka po ndodh në të vërtetë, por të gjithë iknin të tmerruar. Në atë shtëpi kemi qëndruar më shumë se një orë, derisa na ka nxjerrë Policia dhe na ka urdhëruar që të kthemi në shtëpi e të mos dalim nga aty derisa t'i lajmërojnë ata", rrëfen Halitaj.

(Kosova Sot)