Baraliu: Marrëdhënie klienteliste në mes të partive dhe biznesit, reflektohen në korrelacionin donacion-tenderim

  • 08 August 2016 - 10:07
 Baraliu: Marrëdhënie klienteliste në mes të partive dhe biznesit, reflektohen në korrelacionin donacion-tenderim

Eksperti i fushës së legjislacionit, ish-kryeshef i KQZ-së në një mandat Mazllum Baraliu ka thënë se praktika e moszbatimit dhe mosrespektimit të ligjit, që ndodh në shumë shtete të pakonsoliduara sa duhet, po vërehet në masë të madhe edhe në shtetin tonë. Një nga këto fusha sipas tij është edhe mungesa e transparencës së shpenzimit të parasë nga subjektet politike dhe mënyrave të financimit të tyre.

"Sa i përket financimit të partive tona politike, qofshin ato qeveritare ose opozitare, pa ndonjë dallim qenësor, jo vetëm nga analizat, vrojtimet dhe raportet e OJQve, por edhe të indikatorëve të tjerë, rezulton një perceptim dhe bindje, pothuajse gjithëshoqërore, se në këtë domen ka edhe shkelje të dispozitave ligjore,veçmas të Ligjit për financimin e partive politike edhe mosrespektim të rregullave përkatëse zgjedhore të KQZsë", tha Baraliu për "Kosova Sot".

 Ai ka pohuar se përkundër ndërhyrjeve që janë bërë në Ligjin e tanishëm për financimin e partive politike, ende me qëllim ose pa të gjenden një varg mangësisë, katër si më kryesore. "E para, nuk janë përpunuar dhe as sanksionuar në masë dhe përmasë të duhur burimet e financimit.

 E dyta, nuk është sanksionuar mungesa e transparencës, identifikimit,vëllimit dhe kuantifikimit të donacioneve dhe donatorëve të partive politike, sidomos të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe për asamblistë të kuvendeve komunale në Republikën e Kosovës. E treta, sanksionet administrative, sipas Ligjit për financimin e subjekteve politike janë pothuajse simbolike. E katërta, mekanizmat adekuatë ligjorë në rast të kthimit eventual të donacioneve të paguara mbi shumat e përcaktuara me ligj, si dhe gjobat, nuk janë përkatës dhe as funksionalë. Dhe e pesta, përzgjedhja apo përcaktimi i auditorit, i cili do të duhej të kontrollonte pasqyrat financiare vjetore dhe të shpenzimeve të partive politike, nga Kuvendi i përbërë nga deputetë dhe mekanizma institucionalë, që burojnë nga vetë ato subjekte politike, nuk mund të konsiderohet modeli më i mirë, sepse interesat e individëve në këtë rast përbëjnë shumësinë e interesave totale të subjekteve politike, të impenjuara natyrshëm në mbrojtjen e atyre interesave kolektive të tyre edhe sa i përket procesit të auditivit", tha Baraliu për "Kosova Sot".

Sipas tij, vetë bllokimi i auditimit të partive politike nga moszgjedhja e auditorëve flet mjaft për ruajtjen e sekretit të tyre të lidhjes së politikës me bizneset që i financojnë ato. Ai thotë se lidhjet klienteliste të partive politike me bizneset e caktuara, duke shfrytëzuar mangësitë ligjore, janë realitet që po zbulohet në shumë raporte nga OJQ-të vendore dhe mediet. "Këto marrëdhënie klienteliste në mes të partive dhe biznesit, reflektohen në korrelacionin donacion-tenderim", tha Baraliu