Komuna përzgjedh kompaninë më të shtrenjtë

  • 20 September 2016 - 22:23
Komuna përzgjedh kompaninë më të shtrenjtë

Opozita në Pejë e akuzon qeverinë lokale për konflikt interesi në rastin e përzgjedhjes së operatorit për transportin e nxënësve në ekskursionin në Shqipëri.

Kompania "Zekaj Turs" është përzgjedhur si operator fitues për dërgimin e maturantëve pejanë në ekskursionin në Shqipëri. Dega e AAK-së në Pejë ka reaguar lidhur me këtë tender, duke akuzuar qeverinë lokale për konflikt interesi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Po ashtu, sipas AAK-së, në këtë rast është përzgjedhur operatori më i shtrenjtë, duke dëmtuar kështu edhe buxhetin familjar të këtyre të rinjve. "Nuk është hera e parë që kjo kompani, pra 'Zekaj Tours' përfiton nga Komuna e Pejës, pasi pronari i 'Zekaj Tours' është anëtari i Kryesisë së LDK-së në Pejë, Faruk Zekaj, e vëllai i tij Faik Zekaj është i punësuar ne Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Nëse në një tender ka konkurruar dikush me një kompani që është pronar apo bashkëpronar dhe ai është edhe zyrtar komunal është konflikt interesi," thuhet më në reagimin e AAK-së. Përveçqë është e zyrtarit të LDK-së, kjo kompani, sipas AAK-së, ka qenë më e shtrenjtë në ofertën e saj. "Drejtoria e Arsimit në Komunën e Pejës shpalli tenderin për shëtitjen e maturanteve ne Shqipëri, ku këtë tender e fitoi 'Zekaj Tours', edhe pse oferta e tyre ishte më e shtrenjta. Për një maturant çmimi për udhëtim në Shqipëri , ushqimi dhe fjetja, si dhe shëtitjet qe i bëjnë nëpër disa qytete të Shqipërisë ishte bërë nga 105 euro për person," vijon reagimi i AAK-së. AAK-ja thotë se "Kompania 'Try Tours' ka konkurruar me çmimin më të ulët, 80 euro për një person. E dyta ishte 'Pranvera Tours', ku për një person e kishte çmimin 85 euro. Këtë e ka vërtetuar edhe pronari i "Try Tours", Shaqë Fetaj, i cili tha se ishte ofertuesi më i lirë.

Komuna mbron vendimin e vet

Engelbert Zefaj, zëdhënës i Komunës se Pejës, i ka thënë gazetës "Kosova Sot" se procesi ka qenë i rregullt dhe janë respektuar të gjitha procedurat dhe kriteret. "Në ofertën e tyre, përveç çmimit të transportit, janë paraqitur edhe kontratat me subjektet afariste për akomodimin e nxënësve, janë paraqitur certifikata testuese mjekësore të shofereve, ka paraqitur garanci për përkujdesjen cilësore të shëndetit të fëmijëve me mjek profesional. Pra, kjo kompani ka paraqitur ofertën më të volitshme dhe më të kompletuar të cilën e ka vlerësuar DKA në bashkëpunim me këshillin e prindërve, duke vepruar sipas udhëzimit administrativ", ka thënë Zefaj. Edhe drejtori për Arsim, Besim Avdimetaj, thotë se në shkolla janë aktivë këshillat e prindërve, të cilët i kanë shqyrtuar edhe ofertat e operatorëve për ekskursionin e nxënësve dhe ata kanë vendosur se cili operator të përzgjidhet duke pasur gjithnjë parasysh cilësinë e ofertuesit dhe ofertën e shërbimeve te kompletuar sipas Udhëzimit administrativ. Ndërsa, Musa Nikqi, drejtor i Gjimnazit "Bedri Pejani", thotë se nuk ka qenë në mbledhjen ku është vendosur nga Këshilli i prindërve, por mendon se procesi ka qenë i rregullt. "Aty ka qenë sekretari i gjimnazit dhe sipas informatave që kam nga ai, kompania 'Zekaj Turs' i ka plotësuar sipas Këshillit të prindërve kriteret bazë të ofertës së bërë", ka thënë Nikqi.

(Kosova Sot)