Falimentojnë bizneset, qytetarët të zhgënjyer me kryetarin Ahmeti!

  • 28 September 2016 - 07:47
Falimentojnë bizneset, qytetarët të zhgënjyer me kryetarin Ahmeti!

Bizneseve u është dashur t'i mbyllin dyqanet dhe t'i largojnë të punësuarit!

Ndërtimi i platosë mbi "Kurriz", të lagjes "Dardania" në Prishtinë, i ka tejkaluar të gjitha afatet kohore të kryerjes së punëve, pasi më 8 qershor 2015, kompania "Rexha&Loni" dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar kontratë për ndërtimin e bulevardit mbi "Kurriz" në lagjen "Dardania" në vlerë prej 948 mijë e 825 euro. Punimet, pra, ishin paraparë të kryhen për 180 ditë pune, nga koha kur është lidhur kontrata, ndërsa deri më tani janë bërë rreth 455 ditë dhe projekti ende nuk ka përfunduar! Në anën tjetër, mbi këtë plato, që për disa vjet u ka sjellë telashe qytetarëve dhe tani kur edhe kanë filluar punimet është krijuar kaos për banorët, bizneset, por edhe kalimtarët e rastit. Bizneset ankohen për shkak të mospërfundimit të punimeve me kohë, sepse atyre u ka rënë puna duke rrezikuar kështu edhe punëtorët si dhe qarkullimin e bizneseve që u ka rënë deri në 95 për qind. Gjithashtu, edhe qytetarët dhe kalimtarët e rastit janë shprehur mjaft të mllefosur për këtë dështim. Ndërkohë, disa nga bizneset pranojnë se u është dashur t'i mbyllin edhe bizneset e tyre dhe të pësojnë humbje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Bizneseve u bie puna

Edmond Rrahmani, banakier në kafeterinë "Melosi", mbi plato të "Kurrizit", theksoi për gazetën "Kosova Sot"se për disa muaj është dashur të mbyllin edhe lokalin."Ende pa filluar punimet këtu ka qenë edhe tarraca dhe ne kemi qenë 11 punë- torë, si pasojë e punës është dashur të zbresim numrin e punëtorëve dhe tani jemi pesë punëtorë. Me fillimin e punimeve na është rrezuar edhe tarraca dhe për shtatë muaj na është dashur të mbyllim lokalin. Tani, nga shkurti i këtij viti, e kemi hapur, por kot nuk kemi punë sikurse përpara , myshterinjtë po i shohim nëpër lokale të tjera. Po hezitojnë të vijnë këtu të pinë kafe në pluhur të platosë", ka theksuar ai. Për gjithë këtë dështim, Rrahmani ka akuzuar Komunën e Prishtinës, e cila nuk po e monitoron zvarritjen e punimeve në këtë pjesë. Sipas tij, asnjëherë nuk janë parë zyrtarë të Komunës duke monitoruar punimet. "As shefat, e as kryetari Shpend Ahmeti, asnjëherë nuk kanë qenë për t'u njoftuar për së afërmi me punimet. Të paktën ne jemi këtu dhe dikush nga ne do t'i kishte parë", është shprehur Rrahmani. Ky qytetar ka shprehur habinë e tij se si mund të kontraktohet një kompani ku në vend pune shihen shumë pak punëtorë duke kryer punë. "Shumë pak ka punëtorë, me këtë numër mendoj se nuk arrihet të kryhen punët", është shprehur Rrahmani.

Disa i mbyllën dyqanet

Po të njëjtat halle i ka shpalosur edhe farmacistja në barnatoren "Orhideja ", farmaci kjo mbi plato të "Kurrizit". Lindita Aliaga ka pohuar t'i këtë rënë puna shumë."Po, të moshuarit e kanë të vështirë të vijnë këtu, për shkak të punimeve. Ata kanë hallin se mund të rrezohen. I kam parë disa nga klientët më kanë kërkuar falje duke më thënë se pikërisht është platoja e shkatërruar ajo që po u pengon të vijnë në barnatoren time", ka pohuar Aliaga. Edhe kjo e fundit ka fajësuar Komunën e Prishtinës për neglizhencë të projektit. "Sigurisht se kontrata është lidhur në mes të Komunës dhe punëkryesit, andaj aty mendoj se ka pasur edhe një afat kohor se kur do të përfundojnë punimet. Kjo marrëveshje është shtyrë, sepse këtu ka më shumë se një vit që janë bërë përpjekjeje për të punuar diçka dhe kush është më i dëmtuari, ne qytetarët. Për stërzgjatjen e punimeve është ankuar edhe pronarja e butikut "Unika" . Ajo ka shtuar se është dëmtuar mjaft."Nga mospuna,për katër muaj rresht më është dashur ta mbyll lokalin, por për fat të keq as tash nuk po kemi punë. Ka rënë shumë dhe jemi dëmtuar jo vetëm unë, po të gjithë në këtë anë", është shprehur ajo, duke shtuar se përgjegjësia dhe llogaria bie mbi  punëkryesin dhe Komunën e Prishtinës.

Qytetarët, të nervozuar me Komunën

Por, ankesa për numër të vogël të punëtorëve, dhe stërzgjatje të punimeve kanë adresuar edhe banorë dhe kalimtarë të rastit. Agim Halili theksoi se zakonisht shihen duke punuar katër deri në pesë punëtorë që punojnë gjatë ditës."Ndoshta edhe deri në shtatë, por jo më shumë. Ne po i vuajmë pasojat e dikush për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Tanimë kanë kaluar të gjitha afatet kohore për t'u përfunduar kjo punë. Të moshuarit janë mbyllur brenda, nuk kanë siguri të dalin, e për fëmijët duhet të kujdesemi maksimalisht për t'i dërguar në shkollë", është shprehur ky qytetar. Kurse, edhe kalimtarja e rastit Antigona Gashi ka shpalosur të njëjtat probleme duke shtuar se tash nuk është problem i madh, por sigurisht se më keq do të jetë kur moti të prishet. "Pa dyshim se edhe për ne kalimtarët e rastit po paraqet problem. Po mendoj se janë tejkaluar të gjitha limitet kohore kur është dashur të përfundojë kjo punë. Për qytetarët zvarritja e punimeve po na kushton", ka kri tikuar kjo qytetare.

Kaçaniku: Komunarët meritojnë t'i padisim

Ndërkohë, Selatin Kaçaniku, nga Organizata KONSUMATORI, ka adresuar kritika për zvarritje të punimeve në këtë pjesë të qytetit. "Po ta ndiente Komuna obligimin që qytetarin klient / konsumues ( edhe ) të shërbimeve të Komunës e taksapagues dhe gjenerues kryesor (edhe) të Buxhetit ( të Komunës ) ajo nuk do ta lejonte këtë zvarritje", ka thënë ai, duke kërkuar nga qytetarët të jenë më të zëshëm."Po t'i dinin qytetarët klientë / konsumatorë dhe bizneset të drejtat dhe obligimet e tyre - do ta padisnin Komunën për zvarritje, për lëndimet, për humbjet socioekonomike e të dinjitetit", është shprehur ai. "Komuna akoma nuk është e përgatitur emotivisht, profesionalisht, etikisht...ta njohë qytetarin klient / konsumator e taksapagues për punëdhënës të tyre, të cilit i detyrohet, i obligohet...edhe marrëveshje, konsensus, transparencë, llogaridhënie, dhe, mbi të gjithat - ndarje të përgjegjësive",ka potencuar Kaçaniku. 

(Kosova Sot)