Demolli: FSK e gatshme të shndërrohet në ushtri

  • 27 October 2016 - 14:41
Demolli: FSK e gatshme të shndërrohet në ushtri

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka thënë se FSK-ja e ka kryer me sukses planin e saj operativ në mënyrën më të mirë dhe sipas tij kjo dëshmon edhe njëherë se kjo forcë është e gatshme që të marrë edhe detyra të reja kushtetuese, pra të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, ministria që ai e drejton ka punuar në mënyrë të vazhdueshme dhe ka kryer të gjitha procedurat të cilat i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës.

Demolli gjatë pjesëmarrjes në ushtrimin fushor “Shqiponja 5” që u realizua sot në bjeshkët e Malësisë së Hasit njëherit i ka bërë thirrje Komisionit përkatës parlamentar që ta procedojë në Kuvend projektligjin për transforimin e FSK-së në FAK.

Formimi i FAK-ut pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Ndërkaq, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama që ishte i pranishëm poashtu në këtë ushtrim tha se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi të reja që i ngarkohen me Kushtetutë.

(Kosova Sot)