Kryetarit të AAK-së i jepet e drejta të rrisë numrin e anëtarëve të Kryesisë

  • 02 July 2015 - 14:04
Kryetarit të AAK-së i jepet e drejta të rrisë numrin e anëtarëve të Kryesisë

Kuvendi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili po mbahet në Hotelin Emerald, në periferi të Prishtinës, ka nisur votimin për organet drejtuese të kësaj partie dhe për kryetarin.

Nga vendi i ngjarjes i dërguari i Koha.net raporton se me gjithë kërkesën që në listën e kandidatëve për kryetar të AAK-së mund të kishte edhe propozime të tjera, në rrethana kur në të ishte vetëm Ramush Haradinaj, kryetari aktual, anëtarët e Kuvendit e kanë miratuar me duartrokitje vetëm kandidaturën e tij. Kështu, tani, Kuvendi po deklarohet me votë të fshehtë vetëm për një kandidat.

Paraprakisht janë miratuar dy ndryshime statutare, njëri prej të cilit kryetarit të kësaj partie i jep të drejtën për të shtuar numrin e anëtarëve të Kryesisë. Deri tash Kryesia e AAK-së mund të kishte 27-30 anëtarë.

Po ashtu kryetarët e komunave nga radhët e AAK-së, sipas ndryshimit të bërë sot në Statut, do të jenë automatikisht anëtarë të Këshillit Drejtues. 
Sot nga 130 kandidatët për Këshillin Drejtues, delegatët do të zgjedhin 70.
Kuvendi përbëhet nga 534 veta.