Trump e Putin takohen sot në Vietnam

  • 10 November 2017 - 11:27
Trump e Putin takohen sot në Vietnam

Një takim tjetër mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut amerikan, Donald Trump, do të zhvillohet sot në Vietnam, në kuadër të samitit të Forumit të vendeve të Azi-Paqësorit (APEC), theksoi sot këshilltari i Kremlinit, Juri Ouchakov, cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

“Ky takim do të zhvillohet më 10 nëntor”, deklaroi Ouchakov, cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve TASS, duke shtuar se ora e takimit po diskutohet.

Kremlini e gjykoi dje shumë të mundshëm këtë takim mes presidentit rus dhe homologut amerikan, i dyti që prej betimit të Donald Trump në muajin janar.

"Edhe Trump do të marrin pjesë në të njëjtin samit. Kjo është dhe arsyeja e këtij takimi”, deklaroi për shtypin Ouchakov.

“Më e rëndësishme është që do të ketë çështje mbi të cilat do të disktohet duke filluar nga Siria dhe për të përfunduar me Korenë e Veriut”, theksoi ai.

Samiti i vendeve të Azi-Paqësorit (APEC) do të zhvillohet në Danang, në qendër të Vietnamit. Dy drejtuesit u takuan për herë të parë në muajin korrik në kuadër të samitit të G20-s në Hamburg, në Gjermani, për një diskutim që zgjati rreth dy orë e gjysmë.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë vazhdojnë të jenë jo të mira që prej zgjedhjes së Donald Trump si president, në sfondin e krizës në Ukrainë, luftës në Siri dhe akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.

(Kosova Sot)