Kelmendi: Presioni i padrejtë mbi votuesit

  • 10 November 2017 - 15:30
Kelmendi: Presioni i padrejtë mbi votuesit

Profesor Muhamet Kelmendi thotë se në këto zgjedhje janë shumë komuna të cilat për fat të keq po shkojnë në balotazh dhe tani këto marrëveshje politike që po bëhen janë krejtësisht joparimore dhe një lloj tregtie me votën e qytetarit. "Shikuar në bazë të asaj që kemi shkuar në balotazh në shumë komuna, pasi nuk është arritur që të kemi fitues në zgjedhjet lokale, në raundin e parë, në shumë vende po bëhen koalicione, të cilat janë shumë të dëmshme, fillimisht për demokracinë dhe vendin, e më pastaj edhe për vetë qytetarin. E them këtë konstatim, sepse me koalicionet e tilla bllokohet në fakt vullneti i votuesve", theksoi ai. Sipas tij, koalicionet në balotazh, por edhe para balotazhit, parimisht janë të dëmshme.

"Me atë formë të marrëveshjes ndërpritet vullneti i qytetarit dhe imponohet vullneti i një apo i disa personave që janë në udhëheqje. Me këtë dua të them se duke krijuar koalicion bëhet presion i madh mbi qytetarët, që ata të votojnë një kandidat a subjekt politik, që nuk e duan apo që nuk ofron zgjidhje adekuate, dhe që qytetarët mendojnë se ai nuk i zgjidh problemet dhe punët që i kanë ata si votues në demokracinë indirekte", vijoi më tej Kelmendi. "Nënshkruesit e koalicionit bëjnë presion dhe natyrisht se nuk dëgjohen nga të gjithë, por në një masë nuk del vullneti i votuesve, por në emër të votuesve del vullneti i koalicionistëve. Kjo nuk është aspak demokratike. Konsideroj se votuesit duhet të lihen të lirë, të ndjehen dhe të veprojnë e të votojnë të lirë dhe mbi ta assesi nuk duhet të bëhet presion, sepse natyrisht se edhe me ligj është e ndaluar çdo formë e presionit.... Këtu imponohen zgjedhjet e dëmshme dhe detyrohen qytetarët në veprime dhe në detyrime antiligjore, gjë që është e ndaluar. Këso koalicionesh kemi mjaft. Është në Prishtinë, në Prizren, në Mitrovicë, e ku nuk kemi koalicione të tilla, por shpresoj se masat votuese janë vetëdijesuar deri tani mjaftueshëm", tha Muhamet Kelmendi.

(Kosova Sot)