Ganja e Naiti, të vendosur kundër Speciales
Në votimin e nesërm, të hënën, në Parlamentin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, deputetët e Parisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani e Ganimete Musliu do të votojnë kundër, sikurse bënë herën e parë.
Hasani ka deklaruar se nuk do të votojë për ndryshimet kushtetues dhe ka kërkuar edhe nga ligjvënësit e tjerë ta ndjekin shembullin e tij.
“Unë kërkoj që Gjykata Speciale të mos miratohet nga deputetët e Kosovës dhe duhet të jepet mundësia të ndryshohet kjo formë, sepse bashkësia ndërkombëtare është e gatshme ta ndryshojë, por ajo kërkon qëndrimin tonë”, ka thënë Hasani për Klan K. Ai nuk brengoset nëse ky qëndrim do të penalizojë të ardhmen e tij politike, në çfarëdo forme. “Unë e jap mendimin tim dhe nuk i frikohem asnjë hakmarrjeje”.
Për Klan K. ka folur edhe deputetja nga Drenica, Ganimete Musliu. Edhe ajo është e vendosur në qëndrimin e saj për Specialen. Musliu ka konfirmuar se do të përsëris votimin kundër Gjykatës së posaçme, duke votuar njëjtë sikur edhe herën e parë.