Kelmendi: Kryeaventuristi është Hashim Thaçi

  • 10 January 2018 - 12:08
Kelmendi: Kryeaventuristi është Hashim Thaçi

Analisti Jeton Kelmendi thotë se liderët e paditur dhe të paedukuar të Kosovës, që për vite të tëra kanë luajtur dhe po vazhdojnë të luajnë me fatin e qytetarit të Kosovës, janë mashtruar duke menduar që njësoj mund të luajnë edhe me ndërkombë- tarët, por kësaj radhe iu ka hasur "sharra në gozhdë", dhe kjo lojë po iu kthehet përfundimisht si bumerang i madh, vdekjeprurës për karrierën e tyre politike. "Unë këtë lojë që u luajt tani e kam parë si një aventurë shumë të rrezikshme për Kosovën, dhe kjo ishte në vazhdën e aventurave të shumta, të cilat kjo kastë politike i ka bërë deri më tani. Kësaj radhe është fakti se aventurat kanë qenë të atilla, që kryesisht e kanë dëmtuar vetëm Kosovën dhe që kreu i këtyre aventurave politike ka qenë dhe është Hashim Thaçi. Unë edhe kësaj radhe e shoh Hashim Thaçin si një aventurier të radhës, me aventurën për Gjykatën Speciale, ndërkaq tani kjo zbutje e faktorit politik kosovar vjen për faktin që këta dihet fare mirë se nuk mund të luajnë me SHBA-në dhe BE-në", theksoi ai."Deri më tash kanë luajtur vetëm me Kosovën, ndonëse edhe kjo lojë e tanishme është e rrezikshme edhe për Kosovën si shtet, por tani në një mënyrë më perfide po luajnë edhe me Amerikën dhe BE-në dhe tani vetë refuzimi i vizës amerikane për kryeministrin Haradinaj është një mesazh i qartë dhe serioz që u thotë këtyre liderëve politikë: çka është mjaft, mjaft, e keni tepruar dhe e keni bërë boll dhe ju nuk mund të luani më me ne, me Amerikën e as me Evropën", vijoi më tutje ai. "Këta, pra, e kanë sjellë tani vendin në një pozitë më të vështirën e më te keqen, në të cilën ka qenë vendi ndonjëherë që nga pas lufta e deri më tani në raport me faktorin ndërkombëtar. E, problemi qëndron edhe në faktin se kasta politike në Kosovë, në shumësinë e saj absolute, është e papërgjegjshme dhe këtu nuk janë fajtorë vetëm të mëdhenjtë, gladiatorët e politikës, siç janë trinomi Thaçi, Veseli, Haradinaj dhe sejmenët e tyre, por kjo papërgjegjësi shtrihet edhe në instancat më të vogla, edhe në instancat lokale, sepse në Kosovë është korruptuar edhe logjika e shumicës, jo e të gjithëve, sepse kur vijnë në pushtet, shumica vijnë vetëm për ta zhvatur këtë vend, për të kapur dhe për të vazhduar deformimin, i cili po ndodh tani e dy dekada pandërprerë", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot".  

(Kosova Sot)