Sot në ora 10, Deputetët vazhdojnë debatin për ajrin, Kryeministri mbledh vartësit
Çfarë do të ndodhë më 1 shkurt në Kosovë?
Të enjten, në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme, për të debatuar në lidhje me ndotjen alarmante të ajrit në Prishtinë.
Seanca, e nisur të mërkurën, është ndërprerë, pas disa orësh diskutime, për të vazhduar më 1 shkurt, në orën 10.
Në Kuvend do të ketë edhe zhvillime të tjera.
Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione mban mbledhje lidhur me organizimin e konferencës rajonale mbi pozitën e femrës në shoqëri.
E, në mëngjes, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të mbajë një takim pune, me përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore dhe të komunitetit të mjekëve, në zyrën e tij.
Më pas, në orën 12, shefi i ekzekutivit do ta udhëheqë mbledhjen e radhës, të rregullt, të Qeverisë së Kosovës.
Pasdite, Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme, ashtu sikurse Kuvendi i Kosovës, për të diskutuar për ndotjen e ajrit në kryeqytet.
Të enjten, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do ta vizitojë Prizrenin, ku do të zhvillojë disa aktivitete. Atje, ai do të debatojë për profilizimin e mësimdhënësve dhe për testin PISA.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, dhe drejtori i Misionit të USAID-it, James Hope, do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për partneritet mes kësaj komune dhe USAID-it.
Gjithashtu, të enjten, komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Foggo III, dhe komandant i KFOR-it, Salvatore Cuoci, do të vizitojnë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Kryetarët e komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe veriore, po ashtu do të jenë prezentë. Pas vizitës do të ketë një deklaratë të përbashkët për medie.
(Kosova Sot)