Musa: Qytetarët të padisin ZRRE-në - Lajme - Kosova Sot
Musa: Qytetarët të padisin ZRRE-në

Musa: Qytetarët të padisin ZRRE-në

Avokati Skender Musa, për gazetën"Kosova Sot ", tha se qytetarët tanë që janë zhvatur duhet që paratë t'i kërkojnë nga organi që i vodhi paratë e tyre, që i bie se kjo është ZRRE-ja, që mori një vendim të tillë. "Veç saj, edhe çdo anëtar i Bordit të ZRRE-së që ka qenë asokohe kur është marrë vendimi duhet që të paditen individualisht nga të gjithë qytetarët e dëmtuar, sepse janë Bordi i ZRRE-së,fajtori që u vodhi paratë e tyre konsumatorëve shqiptarë", potencoi ai. Sipas avokatit Musa, asnjë person nuk e ka të drejtën që ta detyrojë dikë tjetër që të paguajë për persona të tjerë për diçka që ata nuk kanë shpenzuar.

"Andaj, në këtë rast kemi plotësim të elementeve të veprës penale të mashtrimit dhe veprës penale të vjedhjes. Së këndejmi, sipas detyrës zyrtare, janë Prokuroria Speciale si edhe Policia e Shtetit organet shtetërore që duhet të fillojnë hetimin menjëherë për ndriçimin e plotë të rastit të zhvatjes së 53 milionë eurove nga qytetarët e Kosovës", ka vlerësuar Musa. Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për " Kosova Sot ", tha se një ditë qytetarëve të Kosovës duhet t'u rimbursohen paratë, pasi ato u janë marrë ilegalisht për t'u paguar rrymën serbëve të veriut të Kosovës. "Qytetarët e Kosovës jo vetëm që e paguajnë rrymën, por gjithashtu u mohohet e drejta për të protestuar, për shkak se në shumë fshatra të Kosovës ende ka ndërprerje të energjisë elektrike, kurse serbët e veriut gëzojnë ndriçimin me rrymë 24 orë", ka vërejtur ai.

(Kosova Sot)

9 orë e 29 minuta më parë
15/12/18