Trump nënshkruan urdhrin për tarifa për importet e çelikut dhe aluminit - Lajme - Kosova Sot
Trump nënshkruan urdhrin për tarifa për importet e çelikut dhe aluminit

Trump nënshkruan urdhrin për tarifa për importet e çelikut dhe aluminit

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi tarifa të reja prej 25 përqind ndaj importeve të çelikut dhe 10 për qind për aluminin, por duke përjashtuar përkohësisht Kanadanë dhe Meksikën, ndërsa përpiqet t’i bëjë ndryshime Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për Amerikën Veriore, e njohur si NAFTA.

Presidenti i bëri komentet të enjten pasdite në Shtëpinë e Bardhë, pas nënshkrimit të urdhrit për tarifat e reja. Ai tha se është i hapur për heqjen e tarifave duke shqyrtuar secilin vend rast pas rasti.

Zoti Trump tha se çeliku dhe alumini i importuar në SHBA me kuotat e tanishme është një "padrejtësi" dhe dëmton punëtorët dhe industrinë amerikane.

Gjatë njoftimit të shumëpritur, Presidenti Trump tha se industria amerikane është "dëmtuar rëndë nga praktikat agresive të tregtisë së jashtme." "Është me të vërtetë një sulm ndaj vendit tonë," tha ai.

Ai shtoi se vendimi i tij për të imponuar tarifat për importin e çelikut dhe aluminit përmbush një premtim kyç të fushatës.

Presidenti tha se punëtorët amerikanë të çelikut dhe aluminit ishin tradhtuar, por "ajo tradhëti tani ka marrë fund".

Për vite me radhë, tha ai, politikanët ankoheshin për rënien e industrive amerikane por askush nuk ndërmerrte veprime.

Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë ishin një numër punonjësish të çelikut së bashku me zyrtarë të administratës.

Presidenti Trump tha se punëtorët e çelikut ishin një pjesë e arsyes që ai fitoi presidencën.

TARIFAT E REJA DHE KRITIKAT

Në një postim në twitter më parë, zoti Trump tha se: “Duhet të mbrojmë dhe ndërtojmë industrinë tonë të çelikut dhe aluminit, duke shfaqur në të njëjtën kohë fleksibilitet dhe bashkëpunim të madh ndaj atyre që janë miq të vërtetë dhe na trajtojnë në mënyrë të drejtë në aspektin tregtar dhe ushtarak”.

Dje, një numër i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve i dërgoi një letër presidentit, duke i kërkuar atij që të minimizojë pasojat negative, nëse vazhdon me planin e tij të tarifave.

Plani i presidentit shkaktoi kritika edhe nga vetë republikanët në Kongres dhe aleatët e Amerikës.

Dje shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde, në një intervistë për një radio evropiane, paralajmëroi për një luftë tregtare globale.

Ajo u bëri thirrje "palëve për marrëveshje, zhvillim të negociata dhe konsultime" mbi këtë çështje.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk përsëriti qëndrimin e zonjës Lagarde duke thënë se “beson fuqimisht se është koha që politikanët në të dy anët e Atlantikut të veprojnë me përgjegjshmëri"

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, ka detajuar tarifat e “hakmarrjes” që planifikon t’i imponojë ndaj produkte të njohura amerikane, nëse Trump realizon planin e tij për të imponuar tarifat e reja ndaj importeve të çelikut dhe aluminit.


(Kosova Sot)

11 orë e 18 minuta më parë
13/12/18