Miftari: Shpeshherë keqpërdoren dosjet

  • 09 March 2018 - 15:13
Miftari: Shpeshherë keqpërdoren dosjet

Këtë lloj abuzimi e sheh si veprim shumë kriminal edhe eksperti i fushës së sigurisë Naim Miftari."Është fakt i pamohueshëm që në Kosovë nëntoka dhe qarqet politike janë bashkë dhe përbëjnë krimin e organizuar dhe përpos luftës për përfitime materiale ata kujdesen dhe luftojnë non-stop kundër rivalëve politikë nga partitë kundërshtare, ndonjëherë madje edhe kundër vetë kolegëve të vet politikë dhe mafiozë, vetëm e vetëm për të dominuar grupi i caktuar i interesit. Dhe, shpeshherë keqpërdoren dosjet për t'i shantazhuar kundërshtarët e vet, me dosjet e gjyqësisë, me dosje të policisë dhe deri në AKI, ku mafia politike, përmes dosjeve, kontrollon tërë politikën dhe rendin shtetëror", u shpreh ai.

"Një shembull real si funksionon kjo është edhe ky rast: është një ish-ministër i Kosovës, që ishte filmuar fshehtas në "Aleksandër Pallas" të Shkupit, duke kryer marrëdhënie intime me një këngëtare nga estrada e Kosovës, edhe pse ministri ishte dhe është i martuar dhe tash gati gjatë një dekade ky ish-ministër është shndërruar në një zombi, një argat i detyruar për njërën parti edhe pse i takon partisë tjetër, parti opozitare sot", theksoi Miftari."Edhe kur policia edhe prokuroria bien në gjurmë të njëjta dhe kur gjërat janë serioze, në vend të veprimit ligjor dhe masave ligjore ata thërrasin shefat e vet që jashtë institucionit dhe ligjit e zakonisht janë shefat nga politika nga sistemet parapolitike për t'i konsultuar. Dhe, kur dosja është e rëndë dhe ka të bëjë me kundërshtarë apo edhe me njerëzit nga rangu i të njëjtit krah politik, ato dosje fshihen, kopjohen, kopjohen edhe përgjimet dhe faktet, ruhen dhe vetëm kur t'u duhen pastaj për qërim hesapesh ose për shantazh të caktuar aktivizohen, zbulohen nga sistemet parapolitike dhe të mafisë", tha Miftari për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)