Deputetit milioner Ramiz Kelmendi i parashkruhet akuza për vjedhje të rrymës
Prokuroria e Apelit ka kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ramiz Kelmendi, i cili po përballet me drejtësinë për vjedhje të rrymës lidhur me kompaninë ‘Elkos’.
Burimet tregojnë propozimin e Prokurorisë së Apelit, përmes së cilës kanë kërkuar që të aprovohet ankesa e të akuzuarit Kelmendi ku është kërkuar hedhja e aktakuzës.
Rrjedhimisht, Prokuroria e Apelit po kërkon që të pushohet procedura penale ndaj tij, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se i akuzuari Ramiz Kelmendi, akuzohet për veprën penale të vjedhjes së rëndë, e cila vepër penale është kryer prej datës së pavërtetuar e gjerë më datën 30.06.2011”, thuhet në këtë aktvendim, duke shtuar se Gjykata e shkallës së parë është dashur që rikualifikim e veprës penale sipas detytës zyrtare nga vepra penale vjedhje e rëndë në atë të vjedhjes së shërbimeve komunale.
Në janar të këtij viti, Ramiz Kelmendi kishte kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj prokurorisë me pretendimin se në kohën për të cilën flitet në aktakuzë ai nuk ka pasur përgjegjësi ndaj kompanisë.
Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj Kelmendit me pretendimin se i njëjti i ka shkaktuar dëm KEK- ut në shumë prej 22 mijë euro duke vjedhur rrymën.
(Kosova Sot)