Përplasja SHBA-Turqi, pastori Brunson mund të lirohet - Lajme - Kosova Sot
Përplasja SHBA-Turqi, pastori Brunson mund të lirohet

Përplasja SHBA-Turqi, pastori Brunson mund të lirohet

Po shtohen hamendjet se Turqia mund të lejojë pastorin amerikan Andrew Brunson të kthehet në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund përballjes diplomatike midis Ankarasë dhe Uashingtonit. Presidenti i SHBA, Donald Trump ka dënuar ndjekjen ligjore të pastorit, i cili akuzohet për terrorizëm.

Uashingtoni po shpreh optimizëm të kujdesshëm lidhur me një lirim të mundshëm të pastorit Brunson, ndoshta që të premten.

"Kam shumë shpresë se së shpejti Pastori Brunson dhe gruaja e tij do të jenë në gjendje të kthehen në Shtetet e Bashkuara," tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të mërkurën. Zoti Pompeo thuhet se është përfshirë në bisedime intensive me Ankaranë lidhur me lirimin e pastorit.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duket se është distancuar nga çdo vendim për këtë çështje, një tjetër shenjë kjo se pastori mund të lirohet. "Unë jam presidenti i Republikës Turke, një shtet demokratik dhe kushtetues", tha zoti Erdogan të martën. "Prandaj, duhet t'i bindem çfarëdo vendimi që jep gjyqësori. Të gjitha palët e përfshira duhet të ndjekin vendimet gjyqësore dhe kaq", shtoi ai.

Zoti Erdogan ka qenë në krye të zërave për ndjekjen ligjore të pastorit Brunson, ndërkohë që marrëdhëniet me Uashingtonin përkeqësoheshin.

Pastori amerikan përballet me 35 vjet burg për terrorizëm dhe akuza për spiunazh. Seanca e tij e ardhshme gjyqësore është planifikuar për të premten. Prokurorët e akuzojnë atë se ka mbështetur ndjekësit e klerikut turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të fajësuar nga Turqia për grushtin e dështuar të vitit 2016. Pastori akuzohet gjithashtu për ndihmë ndaj grupit separatist kurd të ndaluar, PKK.

Uashingtoni i ka quajtur akuzat të pabaza, duke akuzuar Ankaranë për pengmarrje diplomatike. Në muajin gusht, Presidentit Trump pjesërisht si hakmarrje për ndjekjen penale të pastorit Brunson, e goditi Turqinë me tarifa tregtare. Kjo shkaktoi një rënie të madhe të lirës turke. Erdogani u kundërpërgjigj, duke e akuzuar Uashingtonin për luftë ekonomike. 

 

 

(Kosova Sot)

18 orë e 40 minuta më parë
13/12/18