“Thirrjet e Nënave” kërkon që të diskutohet për të pagjeturit në OKB

  • 14 November 2018 - 10:47
“Thirrjet e Nënave” kërkon që të diskutohet për të pagjeturit në OKB

Shoqata “Thirrjet e Nënave” përmes një letre drejtuar ambasadores së Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku kanë kërkuar nga ajo që të diskutohet për personat e pagjetur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurisë në OKB.

Shoqata përmes letrës kanë thënë se udhëheqësit kosovarë kanë neglizhuar çështjen e të pagjeturve për nëntëmbëdhjetë vjet.

Më poshtë gjeni letrën e plotë:

“Letër e hapur drejtuar Ambasadores së Republikës së Kosovës, Znj. Vlora Çitaku
E nderuara, Ambasadore Znj. Vlora Çitaku                  

  
Kaluan nëntëmbëdhjetë vite nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ne ende bredhim me lot në sy duke shpresuar në zbardhjen e fatit të mbi 1600 bijave e bijve tonë që u rrëmbyen, vranë dhe u zhdukën nga kriminelët serbë.

Për gjithë këto vite në Kosovë u ndërruan disa kryetarë shteti dhe kryeministra, qeveri nacionale e lokale dhe asnjëra prej tyre nuk e pati prioritet zgjidhjen e çështjes më të ndjeshme, zbardhjen e vendit ku ndodhet eshtrat e më të dashurve tanë

Në Bruksel po zhvillohen bisedime e nënshkruhen marrëveshje me Serbinë, por për këtë çështje kaq të rëndësishme asnjëherë nuk u bisedua seriozisht.

Shteti serb po i vë kushte shtetit të Kosovës, ndërkaq që pushtetarët tonë sillen sikur vijnë nga ndonjë planet tjetër dhe nuk kanë ndonjë obligim ndaj mijëra viktimave civile të luftës që nuk arritën as të vdekur në atdhe

Po linden e rriten gjenerata të reja me plagë në zemër e me lot në sy për më të dashurit e tyre që nuk munden t’ua dërgojnë as një lule tek varri.

Ne prindërit dhe familjarët kemi bërë aq shumë rrugëtim, kemi larë rrugët me lot, kemi trokitur në çdo derë dhe askund nuk kemi marrë asnjëherë përgjigjen e duhur
Për këto dhe shumë arsye po e dërgojmë këtë letër të hapur, shkëlqesisë së saj, Ambasadores tonë të SHBA, Zonjës Vlora Çitaku që si përfaqësuese e shtetit të Kosovës në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB, ti dërgon mesazh të fuqishëm Serbisë:

Se nuk ka pajtim pa gjetjen e eshtrave të më të dashurve tonë, të cilët i rrëmbyen, vranë dhe zhdukën nëpër varreza masive.

Nuk ka asnjë marrëveshje pa kërkim falje të nivelit më të lartë të shtetit serb për krimet që i ka bërë shqiptarëve, regjimi i kasapit të Ballkanit.

Serbia vetëm sa e ka ndërruar formën e veprimit duke kërkuar të gllabërojë territore në Kosovë përderisa plagët tona janë të hapura dhe kullojnë gjak e dhembje
Ne nënat dhe të gjithë familjarët jemi lodhur nga pritja e durimi dhe është momenti i fundit që të tërhiqet vërejtja këtij shteti të papërgjegjshëm, shtetit të Serbisë i cili vazhdon me politikat e vjetra kriminale.

Vlora e dashur, ne nënat e dimë se ti mund ta ndjesh dhembjen dhe përgjegjësinë më së miri pasi edhe vet deri dje ke kërkuar eshtrat e dajës tuaj që fatbardhësisht më në fund i keni gjetur dhe varrosur me nderime të larta.

Edhe ne kërkojmë të njëjtin gjë për më të dashurit tonë.

Ne i njohim kapacitetet tuaja Zonja Ambasadore dhe jemi të sigurta se ju do ta merrni këtë çështje si detyrë parësore, por po ua përkujtojmë se ne familjarët më nuk do të qëndrojmë të qetë.

Nga ky vend i dërgojmë mesazhe të gjithë përgjegjësve të institucioneve të Kosovës se ne nuk do të heshtim e as nuk do të ndalemi deri sa ta gjejmë edhe personin e fundit por juve do të ju gjykoj historia nëse do të na lëni të vdesim duke kërkuar drejtësinë dhe njerëzit tonë të mbeten ende të zhdukur në territore të kriminelëve nëpër Serbi.
Në qoftë se ju nuk do ta vëni kusht në bisedime dhe ta trajtoni deri në fund ne nuk do të pajtohemi por do të veprojmë edhe më me ngulm”, thuhet në letrën e shoqatës.

(Kosova Sot)