Politikanët e korruptuar i frikësohen Vetting-ut në drejtësi

  • 10 December 2018 - 08:00
Politikanët e korruptuar i frikësohen Vetting-ut në drejtësi

Ahmeti:Kosova po vazhdon të mbetet oazë e krimit, korrupsionit e kontrabandës

“Vetëm një drejtësi e kriminalizuar dhe e korruptuar ia mundëson mbrojtjen edhe të politikës e të pushtetit të korruptuar, prandaj marrëdhëniet politikë-drejtësi janë marrëdhënie simbiotike, të cilat ushqejnë dhe mbajnë njëra-tjetrën dhe prandaj të dyja jo vetëm se nuk e duan VETTING-un, por janë armiqtë më të mëdhenj të tij. VETTING-u është emergjencë kombëtare, sepse vetëm ai e nxjerr Kosovën nga kjo amulli paralize. Me VETTING-un fillojë të lëvizin e të gjallërohen shteti dhe shoqëria. Me VETTING-un çlirohen ligji, shteti, drejtësia, liria dhe demokracia. VETTING-u çliron edhe patriotizmin e vërtetë, meritokracinë dhe intelektualizmin pozitiv, të cilat i ka prangosur politika dhe drejtësia e kriminalizuar. Prandaj, rinia studentore kosovare duhet ta bëjë kauzë të sajën atë që si kauzë ka vite që e ka bërë gazeta "KOSOVA SOT" dhe kjo kauzë janë: VETTING-u, SHTETI LIGJOR DHE ANTIKORRUPSIONI”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e kësaj fushe thonë se hezitimi i të gjitha partive politike për ta iniciuar një ligj të VETTING-ut në Kuvendin e Kosovës, të cilin nuk po e bën Qeveria, tregon faktin se politika nuk është e interesuar për të nxitur reforma rrënjësore, sidomos aty ku gjendja është më e rëndë, në sektorin e sundimit të ligjit. Prandaj, duke vazhduar këtë logjikë, ata vlerësojnë se politikanët e korruptuar po vazhdojnë ta sfidojnë ligjin, duke e nëpërkëmbur atë, falë një drejtësie të kapur e të pafuqishme që të veprojë. Janë të gjitha seancat parlamentare që mbahen njëra pas tjetrës dhe asnjëherë asnjëri nga përfaqësuesit e popullit nuk e merr mundimin as ta përmendë VETTING-un, sepse realisht e dinë që VETTING-u është reforma e vërtetë, sepse çdo veprim tjetër do të ishte i kotë, prandaj edhe i frikësohen VETTING-ut pushtetarët kosovarë. Kjo,sipas analistëve, është një arsye pse duhet të pastrohet sistemi urgjentisht nga njerëzit që e kanë kontaminuar atë me veprimet e tyre kriminale, që më pastaj drejtësia duhet t’i ndjekë e t’i nxjerrë në bankën e të akuzuarve të gjithë të inkriminuarit “peshqit e mëdhenj” dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, por edhe urgjentisht duhet të pastrojë veten, e më pas edhe institucionet e tjera. Sidoqoftë, pa e parë një veprim të vendosur kundër pushtetarëve të korruptuar, nuk do të ketë shpresë se në këtë vend do të sundojë ligji. E për të ardhur deri të këto zhvillime praktike, njohësit e kësaj fushe mendojnë se i vetmi shpëtim për sistemin e drejtësisë është inicimi i Ligjit të VETTING-ut edhe atë menjëherë dhe shpresa e vetme mbetet tek ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Preteni: Asnjë aktakuzë shpresëdhënëse, asnjë aktgjykim e asnjë konfiskim me peshë!

Njohësi i kësaj fushe, ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se pikërisht në Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit duhet të shihen se cilat janë rezultatet, cili është progresi nga viti i kaluar, që sipas tij del se realisht nuk ka pasur rezultate konkrete përkundër avancimit të kushteve në sistemin e drejtësisë.“Prokurorëve dhe gjyqtarëve u janë rritur pagat, ligjet kanë ndryshuar për të raportuar ndryshimet, por në përmbajtje janë më regresive sesa që kanë qenë. Asnjë aktakuzë shpresëdhënëse, asnjë aktgjykim e asnjë konfiskim me peshë. Është një heshtje morti. Deklarimet antikorrupsion janë kozmetike, stihike dhe asnjëherë këmbëngulëse dhe me peshë. Nuk ka iniciativa serioze për vetting. Diskutimet dhe pyetjet parlamentare për korrupsion kanë qenë shumë më intensive 10 vite më parë se sot. Diskutimet në Parlament kanë karakter personal, sulme personale dhe atë vetëm nëse të sulmon dikush ngrihet i atakuari dhe ia kthen me retorikë edhe më të fuqishme personale. Pra, lufta kundër korrupsionit përmendet vetëm për interesa personale. Nuk ka qëndrim dhe angazhim serioz kundër së keqes madhore kombëtare”, theksoi ai. Deputetët, sipas tij, janë vetëm duke kalkuluar se edhe sa ditë duhet të qëndrojnë aty për të përfituar benificione edhe pas mandatit. “Ju duhen dy vite dhe të gjitha veprimet janë duke i kalkuluar duke e pritur këtë. Presin favore, por edhe favorizimi është korrupsion! Nuk na duhet zbuluar ujin e nxehtë, shikoni praktikat e mira. Kroacia nuk është larg, nuk ka titullarë të institucioneve gjyqësore që nuk ka qenë në Zagreb, por si kthehen nga atje, me disa mëditje, me çokolata nga ‘free shopet’ dhe me kokat e pandryshuara. Po vetëm le të merren praktikat se si luftohet korrupsioni dhe konflikti i interesit dhe nuk do të gjejnë praktika më të mira. Pra, na duhet një Kolinda Grabar, një USKOK dhe një Institucion i pa varur për të trajtuar konfliktin e interesit”, theksoi Hasan Preteni duke shpresuar që në këtë agjendë do të ketë iniciativa konkrete nga ambasadori amerikan, z. Philip Kosnett. 

Ahmeti: Philip Kosnett është shpresë dhe mundësi për shkapjen e shtetit

Sipas njohësit tjetër të fushës së sundimit të ligjit, analistit Hidajet Ahmeti, ndihma e miqve seriozë për shtetet në tranzicion, sikur që është Kosova, ka peshë shumë të madhe në forcimin dhe stabilizimin e tyre.“Kosova si shtet në tranzicion vazhdon të mbetet oazë e krimit, korrupsionit e kontrabandës. Kjo logjikë e funksionimit është instaluar nga qeveritë e pasluftës, të cilat falë mekanizmit të drejtësisë kanë siguruar lirinë e përkohshme. Insistimi me çdo kusht për të qenë në pushtet apo pjesë e pushtetit është për ta ruajtur, mbajtur e siguruar lirinë. Pushtetit i konvenon një gjendje e tillë anarkie në sistemin e drejtësisë, kurse opozita heshtë karshi kësaj gjendje, e cila ka obligim ligjor të mbrojë e promovojë interesat qytetare. Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, është shpresë dhe mundësi për shkapjen e shtetit nga politika, e cila ka ngulfatur jetën institucionale, politike e ekonomike. Deklarata e zotit Kosnett brenda kornizave reale të gjendjes faktike është një sinjal për reflektim të institucioneve të drejtësisë, por edhe një alarm për ndryshime rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Inicimi i Ligjit të Vetting-ut është një shpresë për ndryshime në sistemin e drejtësisë, por duhet ekzistuar parakushtet për këto ndryshime rrënjësore, duke filluar nga vullneti politik, presioni ndërkombëtar dhe njëkohësisht profesionalizmi”, theksoi analisti Hidajet Ahmeti.

Edhe njohësi tjetër i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, konsideron se të gjithë e dinë që në temat e qeverisjes së shtetit, deri më tash kjo qeverisje definohet si problematike, e sidomos me rend dhe ligj që po e dëmton shtetin, ekonominë e shtetit dhe buxhetin e shtetit, që po e varfëron ekonominë e vendit, prandaj vetëm një presion nga jashtë për reformat mund të lëvizë procesin përpara.“Problemet kryesore të Kosovës mbeten mjaft aktuale që 18 vjet: korrupsioni, zhvatja e buxhetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare në punësim familjar dhe nepotist, me një varg shkeljesh të mëdha të rendit dhe ligjit. Nuk kanë të ndalur zhvatja dhe punësimi partiak, prandaj shumë probleme të tilla e kanë sjellë jetën në padurueshmëri të qytetarëve dhe ikjen e klasës intelektuale jashtë vendit. Shumica e njerëzve të profilit profesional nuk shohin perspektivë, andaj kjo ka bërë edhe të mos ketë as liberalizim edhe për një kohë, së paku deri në fund të vitit 2019. Në këtë fazë mendoj se është i domosdoshëm një presion konkret nga z. Kosnett për inicimin e reformave të thella në drejtësi- VETTING-ut, por që po ashtu Kosova duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje”, tha Burjani për Kosova Sot. 

Kapiti: Rinia studentore duhet ta bëjë kauzë të sajën atë që si kauzë ka vite që e ka bërë gazeta "KOSOVA SOT": VETTING-u, SHTETI LIGJOR DHE ANTIKORRUPSIONI

Sipas ekspertit të kësaj fushe, Skënder Kapiti, deri më tani janë pikërisht pasiviteti opozitar dhe hezitimi i saj për angazhim serioz kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që tregon se edhe opozita është e zhytur në korrupsion. “Pasiviteti i opozitës dhe moskërkimi prej saj për miratimin e VETTING-ut e komprometon edhe atë njëlloj si edhe pozitën në pushtet. Pra, e gjithë politika, i gjithë establishmenti politik, elita aktuale politike, nuk e dëshiron VETTING-un, sepse nuk e dëshiron ajo ndëshkimin e vet. Vetëm një drejtësi e kriminalizuar dhe e korruptuar ia mundëson mbrojtjen edhe të politikës e të pushtetit të korruptuar, prandaj marrëdhëniet politikë-drejtësi janë marrëdhënie simbiotike, të cilat ushqejnë dhe mbajnë njëra-tjetrën dhe prandaj të dyja jo vetëm se nuk e duan VETTING-un, por janë armiqtë më të mëdhenj të tij. VETTING-u është emergjencë kombëtare, sepse vetëm ai e nxjerr Kosovën nga kjo amulli paralize. Me VETTING-un fillojë të lëvizin e të gjallërohen shteti dhe shoqëria. Me VETTING-un çlirohen ligji, shteti, drejtësia, liria dhe demokracia. VETTING-u çliron edhe patriotizmin e vërtetë, meritokracinë dhe intelektualizmin pozitiv, të cilat i ka prangosur politika dhe drejtësia e kriminalizuar”, theksoi Skënder Kapiti. Sipas Kapitit, aq dëme të mëdha kombëtare i ka bërë kjo elita politike aktuale kombit sa që edhe në protestën e madhe kombëtare që po bëjnë studentët në Shqipëri po kërkohet VETTING edhe për universitetet. “Pra, kjo pasi doli në sipërfaqe që jo vetëm politika, pushteti, drejtësia dhe media e shoqëria civile, por edhe universitetet qenkan kapur nga krimi e korrupsioni, nga krimi intelektual. Prandaj rinia studentore kosovare duhet ta bëjë kauzë të sajën atë që si kauzë ka vite që e ka bërë gazeta "KOSOVA SOT" dhe kjo kauzë janë: VETTING-u, SHTETI LIGJOR DHE ANTIKORRUPSIONI”, theksoi Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Miftari:Ambasadori i ri amerikan, Kosnett, është shpresa e vetme që mund të ndikojë që ligji në Kosovë të funksionojë 

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë për “Kosova Sot” se tani ka një shpresë të re në pritje për kërkesa konkrete në fushën e sundimit të ligjit nga miqtë amerikanë përmes ambasadorit të porsaardhur në vendin tonë.“E kemi cekur shumë herë se me ndryshime të ligjeve qeveritarët dhe politikanët vetëm po blejnë kohë për ta zgjatur jetën e vetë pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuat, pasi nuk i kemi aspak problem ligjet as ndryshimet që sipas tyre ka nevojë të bëhen, probleme kemi me ata që janë të detyruar zyrtarisht ta zbatojnë dhe mbrojnë ligjin, e në fakt dalin të jenë vetë ata që po e shkelin ligjin, duke u shërbyer rrjeteve të nëntokës politike dhe kriminale, sepse edhe prokurorët, edhe gjyqtarët dhe hetuesit policorë janë të zgjedhur në ato pozita në mënyrë që t’u shërbejnë shefave politiko- mafiozë, por jo ligjit. Edhe pakot ligjore të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, nga PDK-ja, plotësohen e ndryshohen koti, sepse ai është vetëm një kasnec i presidentit, që po t’i dërgosh edhe trena të ngarkuar me ligje prapë është e kotë”, është shprehur ai. Kjo status-kuo, sipas Miftarit, mund të ndryshojë vetëm nëse ambasadori i ri amerikan seriozisht e merr angazhimin për të lëvizë gurët.“Ambasadori i ri amerikan Kossneti është shpresa e vetme që mund të ndikojë që ligji në Kosovë të funksionojë si duhet dhe ligji të jetë i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë njësoj. Shpresoj se qasja e ambasadorit amerikan kësaj radhe do të jetë serioze dhe e drejtë dhe jo vetëm marketing politik, pasi suksesi i shtetit të Kosovës është sukses edhe amerikan, duke mos harruar se populli ynë është populli më pro amerikan e pro perëndimor në botë. Liria jonë është e lidhur me Amerikën, por edhe suksesi apo dështimi i shtetit të Kosovës është i lidhur me Amerikën. Prandaj shpresa e vetme për ta ndalë korrupsionin politik dhe shtetëror është serioziteti i ambasadorit amerikan”, theksoi analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”.

 

(Kosova Sot)