Pacolli turpëron dhe skandalizon Republikën

  • 11 December 2018 - 07:43
Pacolli turpëron dhe skandalizon Republikën

Zeqa:Sikurse variantet e Thaçit, ashtu edhe ato të Pacollit, për qëllim të fundit e kanë jo zgjidhjen, por shitjen e veriut të Kosovës, sikurse të ishte pronë private e tyre!

“Është absurde të dëgjosh se Behgjet Pacolli thotë se veriu i Kosovës duhet të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë. Këtë e ka parë ai si zgjidhje... Ky zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm i Kosovës po anashkalon çdo interes të vendit, ky njeri është zhvendosur kah pala serbe, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, është bërë pasqyrë e dështimit të shtetit të Kosovës. Ai na tregon më së miri se ku jemi si shoqëri. Te Pacolli ne shohim se si shteti është rrëmbyer nga institucionet dhe është bartur nëpër kullat e tij, nëpër avionët e tij privatë, nëpër jahtet e tij. E vetmja mënyrë si mund ta ndihmojë ai Kosovën është duke dhënë dorëheqje. Shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit tonë, për të mos thënë të gjithë, do të gëzoheshin sikur të dëgjonin se Pacolli ka dhënë dorëheqje”, thotë analistja Liridona Bislimi për “Kosova Sot”.

Analistë politikë, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita, por edhe qytetarët, e kanë cilësuar si tallje me popullin dhe shtetin e Kosovës deklarimin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili, ka thënë se personalisht nuk sheh shans për zgjidhje politike të problemit të Kosovës, por beson në zgjidhjen ekonomike nga e cila të dy palët kanë interes. Sipas tij, do të duhej që veriu i Kosovës të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë”, sikur që e citon agjencia serbe e lajmeve ‘Beta’ deklaratën e Pacollit dhënë DW-së. Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje rreth këtij qëndrimi të kreut të MPJ-së, derisa reagimet tjera janë të ashpra, që kërkojnë shkarkimin e Pacollit nga kjo detyrë, nëse ai vërtet e ka thënë këtë ashtu sikur që është cituar.

Lajçi:Të shkarkohet ministri Pacolli!

Deputeti Ali Lajçi, thotë se ky skandal i radhës assesi nuk duhet t’i falet z. Pacolli, sepse është vënie e rrezikshme në lojë e sovranitetit të shtetit, ngjashëm me atë që po bën edhe presidenti Thaçi. “Këto deklarime të tilla çojnë në eksperimentet për një shtet pa sovranitet dhe kjo është vetëm një logjikë e vënies në lojë të sovranitetit të shtetit, e kompromiseve, dhe ajo del që në aspektin ekonomik dhe juridik Kosovën e qet në pikëpyetje të madhe, me krejt integritetin dhe sovranitetin saj, sepse kur përmendet nevoja për ta menaxhuar së bashku me Serbinë një zonë të lirë ekonomike, ai nuk është gjë tjetër veçse një interes ekonomik për Serbinë, por gjithsesi edhe interes ekonomik për Pacollin, por kurrsesi nuk paraqet asnjë interes ekonomik, as të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial e kushtetues juridik për Kosovën. Në aspektin juridik kjo është një lëvizje drejt zhbërjes së sovranitetit të shtetit dhe infiltrim në modele juridike josovrane. Krejt kjo ide është një projekt, i cili faktikisht është jashtë mëvetësisë dhe vetëm i kompromiseve të ditura të Behgjet Pacollit, të Serbisë dhe të të tjerëve me radhë. Mendoj që nëse ky ministër vepron kështu, me modele të reja, jashtë modeleve qeveritare, ai është edhe jashtë rrjedhave të qeverisë dhe një njeri i tillë nuk duhet të jetë fare në qeveri, prandaj edhe do të duhej të shkarkohet, ndonëse ai shkarkimin e ka merituar kaherë, pasi vazhdimisht ka bërë skandale në dëm të shtetit të Kosovës, po këtu te ne akoma po lejohen njerëz të tillë me papërgjegjësi të mëdha”, tha Lajçi për “Kosova Sot”.

Zeka: Fajet i kanë ata që e kanë futur Pacollin në Qeveri

Adresim të përgjegjësisë ndaj Pacollit kërkon edhe deputeti Milaim Zeka. “Fajet i kanë ata që e kanë futur aty, në qeveri, sepse për fatin e keq shumë deklarata të tij, por edhe të zyrtarëve të lartë të qeverisë, nuk janë fare në harmoni me deklaratat e kryeministrit dhe kjo është shumë e dëmshme për imazhin e qeverisë. Çdo deklaratë, e çdo zyrtari të qeverisë, duhet me qenë 100% në harmoni me deklaratat dhe qëndrimet e shefit të qeverisë, e në rastin konkret me deklaratat e kryeministrit Haradinaj. Nuk mundet Pacolli të deklarojë diçka ndryshe, Enver Hoxhaj diçka ndryshe, zyrtarët e NISMA-s diçka ndryshe, të AAK-së diçka ndryshe, e pastaj edhe kryeministri ndryshe. Gjithçka këtu duhet të jetë e harmonizuar në një qëndrim të përbashkët”, tha Zeka për “Kosova Sot”.   

Badallaj: A ka turp dhe tallje më të madhe për Kosovën se një proserb dhe një prorus i dëshmuar, si Behgjet Pacolli, të jetë ministër i Jashtëm?!

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se për Qeverinë e Kosovës është turp i madh që ka në kabinetin e vet një njeri të tillë. “A ka turp dhe tallje më të madhe për Kosovën se një matrapaz, një proserb dhe një prorus i dëshmuar, si Behgjet Pacolli, të jetë ministër i Jashtëm. Por, faji nuk qëndron vetëm te ky gjysmanalfabet, faj të madh kanë edhe këto banda në pushtet, sepse dihet se ky dilenxhi erdhi me anë të pazareve të kanaleve të nëntokës kriminale, sa për ta kapur pushtetin dhe natyrisht ky njihet për lidhjet me serbët dhe rusët dhe ky synim ka pasur dhe ka interesat e tij personale dhe as që e mendon kush për interesa të vendit apo të qytetarëve të saj. Ky hajvan, që nuk di as ka shkon as ka vjen, me budallallëkun e tij tregoi vetë se nuk i intereson bashkimi i veriut të Kosovës, për këtë me rëndësi është kontrabanda. Në fund të fundit, ky pro serb kurrë nuk e ka menduar se Kosova do të çlirohet nga fashizmi shekullor serb, sepse nuk merr vesh nga politika. Ky mik i Slobodan Milosheviqit është orvatur shumë për shtetin serb dhe me gojën e tij ka thënë se Kosova nuk mund të rrojë pa Serbinë, Vladimir Putini është njeri i mirë dhe...", theksoi Badallaj.

Zeqa: Thaçi e Pacolli po mundohen të bëjnë tregti djallëzore me territorin e Kosovës

Sipas analistit politik Florim Zeqa, ky deklarim i Pacollit lë për të kuptuar se loja me veriun e vendit nga krerët shtetërorë të Kosovës nuk ka të ndalur.“Thaçi e Pacolli po mundohen të bëjnë tregti djallëzore me territorin e Kosovës. Përderisa i pari i vendit, presidenti Hashim Thaçi, shitjen e veriut mundohet ta bëjë kinse përmes korrigjimit dhe demarkimit nën mashtrim të kufirit me Serbinë, i dyti, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, kërkon që veriu i Kosovës të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë”! Sikurse variantet e Thaçit, ashtu edhe ato të Pacollit, për qëllim të fundit e kanë jo zgjidhjen, por shitjen e veriut të Kosovës, sikurse të ishte pronë private e tyre”, potencoi ai. Zeqa po ashtu thotë se përderisa vazhdojnë garën, se cili do të jenë më të shkathtë (Thaçi e Pacolli) në ndarjen e veriut, kryeministri Ramush Haradinaj është duke e zhvilluar lojën tjetër politike, atë të "betejës patriotike" të 100 %-it me Serbinë dhe atë të krijimit të ushtrisë pa emër dhe pa përmbajtje! Sipas analistit Zeqa, edhe transformimi dhjetëvjeçar i FSK-së në ushtri pa emrin e Republikës mund të jetë me shumë të panjohura dhe të papritura, derisa në anën tjetër qytetarët kosovarë, të joshur nga krijimi i ushtrisë nga ana e Haradinajt, e kanë harruar në tërësi planin ogurzi të Thaçit e Pacollit për ndarjen e Kosovës, thuajse Ligji për ushtrinë, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, do të bëjë përnjëherë FSK-në ushtri të fortë e moderne.“Prapa kësaj loje të orkestruar për FSK-së në njërën anë, me lehtësi të madhe në anën tjetër mund të realizohet skenari serb për ndarjen e veriut të Kosovës dhe jo vetëm. Zhvendosja e kufijve në Kosovë mund të prodhojë situata të paparashikuara në rajonin e trazuar të Ballkanit”, tha Zeqa për “Kosova Sot”. 

Kelmendi:  Është për të të ardhur keq se kë e ka Qeveria e Kosovës ministër të Jashtëm!

Ndërsa, prof. Muhamet Kelmendi thotë se është për të të ardhur keq se kë e ka Qeveria e Kosovës ministër të Jashtëm. “Behgjet Pacolli është një tregtar i kahershëm. Ai qysh herët është vënë në shërbim të interesave personale dhe kundër atyre kombëtare. Edhe sot e ka të njëjtën rrugë. Nën udhëheqjen e këtij njeriu kemi shumë tërheqje të njohjeve. Natyrisht se në tërheqje janë shumë faktorë, por një ndër ta është edhe vetë Pacolli si individ. Ai nëpër takime sillet si adoleshent”, potencoi Kelmendi.“Edhe në raport me shtetin serb ka qëndrime kontradiktore. Një herë thotë: "Kosovo ne moze bez Serbije". Tash përsëri deklaron: "Në veri të Kosovës duhet të investohet nga Kosova dhe Serbia bashkërisht... Atë duhet shpallur zonë të lirë ekonomike". Dhe në fund sihariqi i tij i madh: "Ekonomia i zgjidhë problemet". Mendimet e tilla janë thjesht të karakterit profitabil individual, ku nuk ka interes të shtetit. Kjo tregon se pozita e këtij njeriu është e karakterit personal dhe se asgjë kundruall kësaj nuk ka rëndësi. Me Behgjet Pacollin do të kemi edhe më tutje probleme. Do të kemi tërheqje të njohjeve dhe rreziqe të ndryshme”, tha prof. Muhamet Kelmendi.

Qarri: Një serbofil e një prorus kërcënojnë shtetin!

Sipas Gani Qarrit, fatkeqësisht një vend kaq i vogël, sa shteti ynë i brishtë, kurrë nuk ka pasur kuislingë e tradhtarë më të mëdhenj në krye se serbofili i përbetuar, Hashim Thaçi, dhe rusofili i regjur Behgjet Pacolli, të cilët i sollën Kosovës denigrimin më të madh në historinë e saj, çnjohjet dhe shkatërrimin e tërësishëm të shtetësisë, të arritur me aq shumë mund, gjak e viktima, për çlirimin e së cilës u detyruan të intervenonin edhe vetë SHBA-ja dhe NATO-ja. “Krejt ato çfarë bënë tandemi i rrezikshëm Thaçi-Pacolli, që nga ardhja në pozitat që mbajnë, nuk është prosperiteti, forcimi i shtetësisë as arritjet e reja, por vetëm përpjekjet për ndarjen, copëtimin dhe zhbërjen e Kosovës. Madje, përderisa kryekuislingu Hashim Thaçi maskon ndarjen me të ashtuquajturat "korrigjim kufijsh", "demarkim", "shkëmbim territoresh" e kompromise tjera të dhembshme, Behgjet Pacolli tallet publikisht me popullin dhe shtetin e Kosovës, duke propozuar "ndarjen ekonomike" të veriut të vendit, gjë që nuk është asgjë më pak sesa shkëputje e këtij territori të vendit tonë nga Serbia, por me një metodë tjetër”, u shpreh ai.“Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në vend se të angazhohet për avancimin e njohjeve të shtetësisë së Kosovës, ai mbjell pesimizëm me deklaratat defetiste se “personalisht nuk sheh shans për zgjidhje politike” të problemit të Kosovës, por beson “në zgjidhjen ekonomike nga e cila të dy palët kanë interes”, e që sipas tij do të duhej që “veriu i Kosovës të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila gjithsesi një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë”, siç citohet nga agjencia serbe e lajmeve, Beta, të ketë thënë në deklaratën e turpshme vetë Pacolli, dhënë DV-së”, potencoi analisti Gani Qarri. Ai kërkon që tani opozita të jetë më e zëshme dhe aspak kursimtare në kërkimin e llogaridhënies, e që shkarkimi duhet të jetë ndëshkimi minimal për Pacollin. “Ajo që çudit më së tepërmi është fakti se jo vetëm pozita, por çuditërisht po hesht edhe vetë opozita, përkundër deklaratave skandaloze të Behgjet Pacollit, i cili i papenguar nga askush bën biznes dhe tregti edhe me veriun e vendit, thuajse është pronë e tij personale. Madje, për aq më keq, ende vijon të heshtë edhe populli, duke toleruar që zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm rusofil, Behgjet Pacolli, në vend se të kryejë si duhet detyrën në të cilën është katapultuar pa të drejtë, ai vazhdon të flasë pareshtur për pazare të tokave të Kosovës, duke tentuar t`ia falë vullnetarisht edhe veriun e vendit tonë Serbisë. Turp!”, tha Qarri për “Kosova Sot”.

Bislimi: Behgjet Pacolli është zhvendosur nga pala serbe!

Përgjegjësi për këtë akt të turpshëm kërkon edhe njohësja e zhvillimeve politike, Liridona Bislimi. “Republika e Kosovës duhet menjëherë të vendosë reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, pasi që pasojat nga politika kosovare nuk janë vetëm në fushën e sigurisë, por edhe të drejtësisë, jo vetëm për drejtësinë në paqe, por edhe për drejtësinë për krimet e luftës, pasi duke marrë parasysh që shteti i Kosovës përballet me këso vështirësish në terren, është absurde të dëgjosh se Behgjet Pacolli të shkojë në intervistë në DV dhe, siç citojnë mediat serbe, të ketë thënë se veriu i Kosovës duhet të jetë zonë e madhe ekonomike, nga e cila një pjesë do t’i takonte Serbisë, kurse pjesa tjetër Kosovës, ndërsa atë zonë ekonomike do ta drejtonte një i tretë. Këtë e ka parë ai si zgjidhje... Ky zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Jashtëm i Kosovës po anashkalon çdo interes të vendit, ky njeri është zhvendosur kah pala serbe, por nuk duhet dhe nuk guxon ta marrë edhe Kosovën me vete”, vijoi më tej Bislimi. “Ministri i Jashtëm është treguar vazhdimisht i dobët karshi Serbisë ndaj shteteve që tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës, kështu gjithnjë e më pak të tjerët po na marrin seriozisht, sepse zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i vendit nuk po e merr shtetin tonë aspak seriozisht”, tha Liridona Bislimi.

Qytetarët: Pacolli me të kaluar të dyshimtë nuk e meriton atë pozitë që e ka

Edhe qytetarët e pyetur rreth kësaj çështje kanë deklaruar se ky opsion i Pacollit shkon madje përtej talljes dhe është ide shumë e rrezikshme, ndaj së cilës do të duhej reaguar vetë kryeministri Haradinaj, duke e shkarkuar atë, pasi që së paku deri më tani kryeministri ka qenë dhe mbetet kundërshtar i fuqishëm i çfarëdo opsioni të lojës me sovranitetin e shtetit.

Qytetari Islam Visoka po ashtu thotë se vërtet kjo për çka angazhohet Pacolli është një çmenduri, për të cilin veprim ai pa një pa dy do të duhej shkarkuar. “Kjo është një çmenduri nga të shumtat që i bën z. Pacolli, i cili akoma nuk është i njohur sa duhet për opinionin, për veprimtarinë e tij çfarë ka bërë ai në të kaluarën, për aferat e tij të mëdha që janë. Aspak nuk qëndrojnë pohimet se Behgjet Pacolli krejt atë pasuri e ka bërë me djersë e me punë, sepse ai është i involvuar në shumëçka, e që opinioni akoma nuk e di. Ky është një dashamir dhe mik i madh i armiqve tonë të përbetuar dhe krejt këto që bën ai janë çështje të dirigjuara nga qendra, nga Beogradi dhe qëllimi i tij dihet përafërsisht cili është, është një çmenduri të cilën ai e bën dhe ndoshta nuk është kjo fare pa konsultime me shefin e Qeverisë, me kryeministrin, derisa ai akoma po e vazhdon punën, ai po vazhdon të jetë në pozitën e ministrit të Jashtëm dhe zv. kryeministër, edhe pse ka vetëm tre vota në Parlament dhe po e mban gati gjysmën e ministrive. Jo që bën ai çon ujë në mullirin e Serbisë kur dihet se ky shihet edhe bashkëpunëtor i Bora Milosheviqit, i vëllait të Slobodan Milosheviqit, ish ambasadorit shumëvjeçar në Moskë. Ne e njohim veprimtarinë e tij edhe nga viti 1998, kur u dërgua këtu nga shërbimi rus për ta kontaktuar presidentin Ibrahim Rugova, por nuk arriti ta kontaktojë kurrë, sepse ai nuk e ka pranuar, duke ditur se kush është z. Pacolli dhe çka përfaqëson ai”, tha Islam Visoka, një nga veprimtarët dhe nëpunësit me përvojë në të kaluarën, në kabinetin e presidentit Historik Ibrahim Rugova.

Shkarkimi e Pacollit për këtë skandal e kërkon edhe qytetari Selver Lenjani.

“Mediet e kanë cituar një deklaratë të tillë të z. Pacolli dhe kjo është tepër joserioze, nëse është cituar drejt për një ministër të Jashtëm të një shteti sovran. Sidoqoftë, z. Pacolli është i njohur për dështimet e deritanishme në politikën e jashtme, për skandalet e njëpasnjëshme që e kanë përcjellë punën e tij në këtë lami, prandaj mendoj që edhe ky qëndrim i tij duhet të analizohet dhe t’i kërkohet llogaridhënie nga ana e kryeministrit. Mendoj që ai e ka tepruar me skandalet e njëpasnjëshme dhe masa minimale që duhet të ndërmerret ndaj tij duhet të jetë shkarkimi nga kjo pozitë. Kosova ka mjaft intelektualë me kapacitete shumë më të mëdha, që ta drejtojnë këtë ministri, le të merret ndonjë figurë nga bota akademike, sepse mjaft ka pësuar politika e jashtme e Kosovës, duke qenë në krye të saj, në pozitë ministrash, njerëz joprofesionistë dhe që kanë punuar vetëm për interesat e tyre biznesore, sikur që po bën në këtë rast biznesmeni Behgjet Pacolli”, tha qytetari Selver Lenjani.

 

(Kosova Sot)