Apeli i ambasadorit Kosnett dridh drejtësinë

  • 11 December 2018 - 07:51
Apeli i ambasadorit Kosnett dridh drejtësinë

Preteni: Duhet të bëhet verifikimi i pasurisë, vlerësimi i performancës dhe lidhja me krimin (familja, miqësia dhe shokët). Shtetet mike duhet të "urdhërojnë" e kosovarët të veprojnë, sepse pa mbikëqyrje, pa sanksionimin e të padenjëve, nuk ka progres!

“Në të shumtën e rasteve, të korruptuarit e nivelit të lartë dhe kokat e krimit të organizuar të mafio-politikes dhe oligarkisë mafioze të nëntokës kriminale as që janë ballafaquar me ligjin, ngase ata kanë qenë de-fakto mbi ligjin, por apeli i ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, drejtuar drejtësisë kosovare për llogaridhënie, ndëshkim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme, është një sinjal që megjithatë duhet edhe ta obligojë drejtësinë kosovare në të gjitha instancat”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Institucionet kryesore të drejtësisë kosovare, Prokuroria e Shtetit dhe ajo Speciale, akoma nuk po deklarohen rreth apelit të ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, për llogaridhënie, ndëshkim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme, edhe pse gjatë ditës së djeshme u janë dërguar pyetje lidhur me këtë apel publik. E derisa Prokuroria nuk deklarohet, njohësit e kësaj fushe kërkojnë që ky apel të merret seriozisht, të fillojë të zbatohet në vepër përmes ligjeve në fuqi, por edhe duke mos u vonuar në hartimin e Ligjit të VETTING-ut dhe zbatimit në praktikë. Ambasadori Kosnett ka folur prerë, duke dërguar mesazhe të forta te të gjithë, te institucionet që duhet të zbatojnë ligjin, te politikanët që abuzojnë me pozitat zyrtare dhe te shoqëria që nuk duhet të rrijë më tutje pasive, prandaj edhe njohësit e kësaj fushe mendojnë se është koha e fundit që askush të mos ndihet mbi ligjin, qoftë ky edhe zyrtari më i lartë dhe tani është çasti më i volitshëm për të bërë VETTING në politikë dhe në drejtësi së pari, por edhe në sektorët e tjerë.

Preteni: Apelet pa "tërheqjen e veshëve" nuk do të rezultojnë me sukses

Ish-kreu i AKK-së (Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës), Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot” se jo vetëm deklarata e ambasadorit amerikan, por të gjitha deklaratat e ambasadorëve të Quintit këto ditë ishin shumë shpresëdhënëse, në këtë fillim të mirë të shënimit të Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, dhe tani mbetet të shihet se si do të merren këto apele, mesazhe serioze nga krerët e shtetit dhe drejtësia, sepse në të kaluarën kanë hasur në vesh të shurdhër.“Kishte edhe më herët deklarime të tilla, por jo kaq të organizuara, të harmonizuara dhe unike. Apelet pa "tërheqjen e veshëve" nuk do të rezultojnë me sukses. Është bërë mjaft me ndryshime të ligjeve, me ndryshime kozmetike, me vendime skandaloze. Ligjet po mbeten në letër e në anën tjetër të gjitha çështjet po rregullohen me vendime. Si në gjendje lufte kur nuk mund të tubohet kuvendi e gjërat të rregullohen me dekrete-vendime. Kjo nuk është masë serioze, përkundrazi është krejt joproduktive edhe rritja e pagave. Ka pasur rritje edhe në të kaluarën, por pa asnjë progres. Pra, rritja e rrogave, rritja e privilegjeve, nuk po e rrit edhe efikasitetin. Po kemi shpenzim koti”, u shpreh ai. “Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të sanksionohen me zvogëlimin e pagave dhe privilegjeve dhe jo të trashen me para të pamerituara. Këto vendimet e shpejta e kanë edhe dështimin e shpejtë. Kemi nevojë për politika të matura. Kemi nevojë për ligje të analizuara dhe përgatitura mirë, kemi nevojë për hetues dhe gjyqtarë me dinjitet dhe integritet. Prandaj, uroj që thirrjet e ambasadorëve të vazhdojnë drejt krijimit të planeve konkrete operative dhe planeve vepruese. Nevojitet edhe vetting i menjëhershëm, pastrim me themel dhe rifillim i mbarë. Vetting-u të realizohet sipas modelit të Tiranës, por jo me kaq zvarritje e pengesa. Në afate të arsyeshme kohore, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese dhe poshtë. Duhet të bëhet verifikimi i pasurisë, vlerësimi i performancës dhe lidhja me krimin (familja, miqësia dhe shokët). Shtetet mike duhet të "urdhërojnë" e kosovarët të veprojnë, sepse pa mbikëqyrje, pa sanksionimin e të padenjëve, nuk ka progres”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Politika e butë e ndëshkimeve

Analisti dhe publicist Naim Kelmendi vlerëson se me të vërtetë konstatimet dhe apelet e ambasadorëve të vendeve mike janë plotësisht të arsyeshme dhe duhet të merren në konsideratë, të zbatohen sipas ligjeve në fuqi, por edhe duke përshpejtuar rrugën deri te VETTING-u. “Në sistemin e drejtësisë kosovare mungon llogaridhënia, njëherësh mungon ndëshkimi për shkelësit dhe abuzuesit e ligjit, apo deri më tash ndëshkimet kanë qenë të buta dhe llogaridhënia për shkelësit e ligjit s’ka ekzistuar fare. Në të shumtën e rasteve të korruptuarit e nivelit të lartë dhe kokat e krimit të organizuar të mafio-politikës dhe oligarkisë mafioze të nëntokës kriminale as që janë ballafaquar me ligjin, ngase ata kanë qenë de-fakto mbi ligjin, por apeli i ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, drejtuar drejtësisë kosovare për llogaridhënie, ndëshkim dhe konfiskim të pasurive të paligjshme, është një sinjal që megjithatë duhet edhe ta obligojë drejtësinë kosovare në të gjitha instancat”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, është koha e fundit që të fillohet njëmendësisht t’i nxjerrin para llogaridhënies të gjithë shkelësit e ligjit.

Miftari: Është shumë e vështirë që drejtësia kosovare të ndahet tani nga kapja e politikës!

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se është shumë e vështirë që drejtësia kosovare të ndahet tani nga kapja e politikës.“Drejtësia e Kosovës, e cila është e varur thellë nga politikanët e korruptuar, vetëm do të paraqitet kinse e kanë marrë seriozisht mesazhin e ambasadorit amerikan, Kosnett, por nëse vetë ambasadori nuk do të jetë më i vendosur për t’i shtyrë para sundimin e ligjit dhe drejtësinë e pavarur, ky mesazh i qartë i ambasadorit amerikan do të mund të harrohet shumë shpejt. Po e them këtë pasi që kërkesa për fuqizimin e sundimit të ligjit, për llogaridhënie konkrete, është bërë një lloj rutine që nga koha e ambasadores amerikane Tina Kajdanov deri te ambasadori  Greg Delavi, e që të gjitha mesazhet e ambasadorëve amerikanë kanë qenë dhe mbetur deri më tani vetëm simbolike, sidomos nga ambasadori Delavi, i cili më shumë është marrë me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi se sa me sundim të ligjit”, vlerësoi Miftari.

 Salihaj: Në Kosovë sundon mafia

Sipas Adem Salihajt, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, e tha qartë se duhet të luftohet korrupsioni i niveleve të larta dhe të konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, sepse ky është edhe ligj në vendet me demokraci të zhvilluar, ku sundon rendi dhe ligji. Ai vlerëson se vetëm me VETTING mund të fitohet kjo betejë. “Duhet ta përshëndesim angazhimin e ambasadorit amerikan, Kosnett, ai është shumë i mirëseardhur në situatën e rëndë, të cilën e kemi në Kosovë. Por, në Kosovë, ku në vend të ligjit sundojnë mafia dhe korrupsioni galopant, ky proces, për të cilin po flet ambasadori, ende nuk mund të ndodhë. Së pari, në krye të institucioneve të shtetit , në vend të bandave dhe kriminelëve, duhet të vijë një strukturë e pastër politike, e cila jo vetëm që nuk duhet të jetë e përlyer në krim e korrupsion, por duhet të jetë e aftë, e guximshme dhe e vendosur që t'i çojë prapa grilave kriminelët dhe të korruptuarit. Vetting-u është një proces i domosdoshëm edhe në Kosovë, ai është një proces pastrimi i institucioneve të rendit dhe ligjit nga elementët kriminalë dhe të korruptuar. Por, ky proces kaq i rëndësishëm i pastrimit nuk mund të zhvillohet nga elementë të zhytur deri në fyt në krim e korrupsion”, theksoi ai.“Pa një vetëdijesim të qytetarëve nuk mund të bëhet asnjë kthesë serioze në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nëse qytetarët ua japin votën e tyre kriminelëve dhe të korruptuarve dhe i instalojnë ata në pushtet, atëherë askush nuk mund t’i shpëtojë prej tyre, sepse me dorën e tyre po ia nënshkruajnë vetes një të tashme dhe të ardhme shumë të keqe”, tha Adem Salihaj.

Të veprohet ‘ex-officio’

Njohësi i fushës së drejtësisë, ligjëruesi Blerim Burjani, po ashtu është skeptik që këto kërkesa të përfillen nga institucionet e drejtësisë kosovare, ndonëse kjo është tepër e domosdoshme që të bëhet.“Po, kuptohet se do të ishte hap i mbarë institucional sikur të fillojë të konfiskohet pasuria e fituar pa bazë, e fituar në mënyrë të paligjshme. Mirëpo, deri më tash as që ka pasur ndonjë përpjekje për të luftuar dukuritë si korrupsioni, fitimin pa bazë, si dhe fitimin nga zhvatja e buxhetit, pa ndonjë arsyetim. Zhvatja është dukuria më e shëmtuar, së bashku me korrupsionin që po ndodh, prandaj rruga drejt shtetit ligjor është VETTING-u. Është i domosdoshëm edhe veprimi i prokurorisë, në mënyrë obligative ‘ex-officio’, veprim që duhet të ndodhë për dyshimet e mëdha që e kanë kapluar shtetin, sepse degradimi institucional i shtetit duhet të ndalet. Sa më shpejt duhet të ndodhë konfiskimi i pasurisë nga të gjithë ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe i kanë dëmtuar qytetarin dhe shtetin”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

 

(Kosova Sot)